Rama-Pitella: Ne presim me qetësi dhe maturi progres-raportin

616
Kryeministri Edi Rama ka pritur këtë paradite në një takim kryetarin e së majtës evropiane, Gianni Pittella, i cili po zhvillon një vizitë në Tiranë.
Në konferencën e përbashkët për shtyp, si Rama ashtu edhe Pitella shprehën besimin se viti i ardhshëm do të jetë viti i çeljes së negociatave të anëtarësimit mes Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian. 
“Ne presim me qetësi dhe maturi progres-raportin, që mendojmë se do të jetë rikonfirmimi i progresit të nisur. Gjithashtu kemi besimin se vitin e ardhshëm do të marrim dritën jeshile për nisjen e negociatave të anëtarësimit”, ka deklaruar Rama. 
Në të njëjtat linja, zoti Pittella është shprehur: “Qeveria Rama ka punuar shumë mirë për reformat sociale e institucionale. Ju inkurajoj të vijoni me reformën në gjyqësor. Kemi bindjen se vitin e ardhshëm Shqipëria do të marrë çeljen e negociatave të anëtarësimit”. 
Çështja e refugjatëve ka qenë një tjetër temë e prekur në konferencën për shtyp, me kryeministrin Rama që ka dhënë garancinë e tij se Shqipëria do të luajë rolin e saj për menaxhimin e këtij problemi. 
“Shqipëria është e përgatitur të marrë përsipër rolin e saj dhe të bëjë gjithçka për të lehtësuar sado pak këtë krizë të rëndë, në bashkëpunim me vendet që kanë peshën më të madhe, si Gjermania”, ka thënë Rama. 
Nga ana e tij, Pittella ka vlerësuar angazhimin e treguar nga Tirana zyrtare duke thënë: “Vendet e Ballkanit po japin një leksion mikpritjeje për emigrantët, që disa vende evropiane e kanë harruar. Nuk duhet të kemi frikë nga emigrantët”.
Sigal