Rama: Për një përkëdhelje koke nga ndërkombëtarët nuk e sakrifikoj Tahirin. Gjermania, Rruga e Kombit dhe biznesi

448
Rama: Nuk sakrifikoj Tahirin për hir të ndërkombëtarëve
Kryeministri flet për hetimet ndaj ish-ministrit, kërkesat e Gjermanisë, Rrugën e Kombit dhe problemet me biznesin e vogël
Çështja “Saimir Tahiri” u rikthye sërish në rendin e ditës, duke u bërë madje më “e nxehtë” se kurrë dhe normalisht Rama nuk mund t’i shmangej pyetjeve në “Top Show”. Rreth 7 muaj pas daljes së përgjimeve të bandës “Habilaj”, ku përmendej edhe ish-ministri i Brendshëm, ky i fundit vendosi të dorëzojë mandatin e deputetit, për t’u përballur me drejtësinë si qytetar i lirë. Vetë kryeministri hodhi poshtë këto akuza, duke mohuar t’i jetë kërkuar imuniteti i Tahirit, gjatë takimit me kancelaren gjermane, Merkel. “Politikanët nuk janë njësoj, por unë nuk do të bëja kurrë kurban apo të sakrifikoja dikë a diçka, për një përkëdhelje koke nga ndërkombëtarët. Deputetët gjermanë nuk folën që unë të kem marrë në mbrojtje Saimir Tahirin, por ka pasur vetëm një pyetje për të shpjeguar këtë çështje, gjë që unë e bëra qartë. Gjermania nuk është selia e Partisë Demokratike, që të vërë kushte të tilla, për të votuar pro hapjes së negociatave”, tha Rama. Ai shtoi se po të shohësh arkivat dhe dokumentet e Ministrisë së Brendshme, por edhe ato të policive ndërkombëtare, do të kuptohet se kultivimi i hashashit ka qenë i vazhdueshëm në Shqipëri. “Ky problem doli në pah kur ne i shpallëm luftë kultivimit të kanabisit dhe marrja nën kontroll e Lazaratit, bëri që të dalë në pah problemi i kultivimit në të gjithë Shqipërinë. Ne i shpallëm luftë kultivimit të kanabisit dhe,mund të them me bindje, se qeveria e ka fituar këtë luftë, pavarësisht të gjithë kostove, problemet dhe dështimet”, tha Rama. Kryeministri i qëndroi besnik deklaratave të tij dhe tha se Tahiri ka bërë shumë punë të mira gjatë 4 viteve në Ministri, ndërsa theksoi se ende Prokuroria e Katanias, por edhe ajo e Krimeve të Rënda, nuk kanë provuar implikim kriminal të tij deri më sot. “Unë vijoj të them sërish vlerësimin tim për ato punë të mira që ka bërë Saimir Tahiri, gjatë periudhës që ka qenë Ministër i Brendshëm, për thuajse 4 vite. Sa i përket hetimit të një grupi kriminal, ku në përgjime përmendej edhe emri i Tahirit, mund të them se deri tani, Prokurorët e Katanias, të cilët janë ‘skiftera’ për çështje të tilla dhe nuk do të falnin një ministër shqiptar, nuk kanë ngritur asnjë hetim për Saimir Tahirin. Madje as Prokuroria e Krimeve të Rënda në Shqipëri nuk ka asnjë provë të vetme për implikimin e Saimir Tahirit në trafikimin e kanabisit ose, të paktën nuk erdhi asnjë ditë ta paraqesë në Komisionin Parlamentar. Kësaj bindjeje i qëndrova deri në momentin që Tahiri vendosi të përballet si qytetar i lirë me drejtësinë, sepse tani e më pas, Prokuroria mund të bëjë ç’të dojë, pa pasur nevojë për Parlamentin”, tha Rama.
Rruga e Kombit
Kryeministri Edi Rama foli për vendimin e taksimit të Rrugës së Kombit, që solli pasoja të papritura për qeverinë e tij. Ai mohoi që ky vendim të ishte shenjë e arrogancës së qeverisë, por pranoi se kishin gabuar, duke u nisur nga qëllime të mira. “Kjo është një çështje komplekse, por që nuk kemi të bëjmë me arrogancë. Bëhet fjalë për një gabim total tonin, që erdhi pasi u nisëm nga një qëllim i mirë. Ne gabuam, pasi ajo kontratë ishte bërë dy vite më parë dhe erdhi për t’u implementuar në një moment kur nuk ishim të përgatitur as ne dhe as komuniteti. Ishte një risi në Shqipëri dhe ne gabuam strategjinë për ta prezantuar dhe implementuar ashtu si duhet”, deklaroi Rama. Sa i përket fatit të mëtejshëm të Rrugës së Kombit dhe kontratës me koncesionarin, kryeministri Rama tha se qeveria po studion një opsion të ri të funksionimit të sistemit të taksimit në atë aks. “Që të mos gabosh është e pamundur, por ka një ndryshim mes gabimit pa dashje dhe atij që bëhet për qëllime të caktuara. Gjithsesi është me rëndësi që të nxjerrim mësime nga ky gabim dhe të tjerë, për të mos i përsëritur më në të ardhmen. Në rastin konkret, ne do të japim një opsion të ri të funksionimit të taksimit të asaj rruge. Jemi duke studiuar formën e duhur dhe të përballueshme nga qytetarët, por taksimi është i pashmangshëm, pasi është një rrugë që nuk mund të mirëmbahet ndryshe”, deklaroi Rama.
Bashkëqeverisja
Prej disa ditësh qeveria ka nisur turin e llogaridhënies me qytetarët, në kuadër të të ashtuquajturës “Platforma e Bashkëqeverisjes”. Dy ditët e fundit kryeministri Rama ka qenë në Lezhë dhe Laç, ku llogaridhënia nuk ishte aspak e lehtë, gjë që e pranoi edhe ai vetë. “Unë në fakt do të dëshiroja të ishte akoma më e vështirë llogaridhënia, pasi është shumë e rëndësishme që të ketë një komunikim shumë të drejtpërdrejtë. Synimi i këtij turi është për të parë, se çfarë kemi bërë dhe ku duhet të shkojmë. Normalisht që ka një mosbesim, pasi njerëzit prej 20 vitesh mashtrohen dhe nuk gjejnë zgjidhje. Ne sot u kemi dhënë njerëzve në dorë një instrument që na jep mundësinë edhe teknologjia. Me ‘Platformën e Bashkëqeverisjes’, qytetari ka në xhep apo në telefonin e tij të gjithë qeverinë dhe çdo ministër. Nëse qytetarët vërejnë probleme me funksionimin e administratës, duhet të prezantojnë problemin në këtë platformë dhe brenda 10 ditësh do të marrin përgjigje dhe zgjidhje problemi, pa pasur nevojën e miqve apo ryshfeteve”, deklaroi Rama. Kryeministri theksoi edhe një herë se Platforma e Bashkëqeverisjes është konceptuar si një instrument për të eliminuar problemet në administratë dhe për ta vënë këtë të fundit në shërbim të qytetarëve.
Shëndetësia
Kryeministri Rama foli edhe për problemet në sistemin shëndetësor dhe përballjen me mungesën e mjekëve specialistë nëpër spitalet e rretheve. Ai akuzoi për këtë mbylljen pa shkak për 4 vite të specializimeve, ndërsa theksoi se vitin e ardhshëm pritet të dalë në punë grupi i parë i specializantëve, që do të kompletojnë spitalet me specialistë. “Në spitalet tona ka ende shumë probleme që duhen zgjidhur, por që askush nuk mund të mohojë që në drejtim të përmirësimit të shërbimit janë bërë hapa shumë galopantë përpara. Ne u përballëm me një mbyllje pa shkak, për 4 vite të specializimeve, gjë që bëri të ndjejmë mungesën e mjekëve specialistë, sidomos në spitalet e rretheve. Vitin e ardhshëm pritet të dalë grupi i parë i specializantëve dhe nuk do të kemi më mungesë të mjekëve specialistë në spitale”, deklaroi Rama.
Biznesi i vogël
Kohët e fundit ka pasur edhe një përplasje të biznesit të vogël dhe qeverisë, pas vendimit të kësaj të fundit për të përfshirë këtë kategori në sistemin e TVSH-së. Përfaqësues të këtij biznesi kanë akuzuar gjithashtu qeverinë dhe kryeministrin për arrogancë, por vetë Edi Rama mohoi kategorikisht këtë. “Nuk pranoj të ketë arrogancë, por edhe gabim në rastin e përfshirjes së biznesit të vogël në TVSH, kjo sepse vetëm 10 % e bizneseve të vogla, pra më pak se 10 mijë të tillë, preken nga përfshirja në skemën e TVSH-së. Madje mund të them se për biznesin e vogël, por edhe për 97 % të shqiptarëve, kemi ulur taksat që nga dita e parë që kemi ardhur”, u shpreh Rama. Kryeministri tha se taksat janë rritur vetëm për biznesin e madh, por edhe për naftën, që gjithsesi theksoi, se sërish është më i ulët sesa ishte para 4 vitesh, për shkak të rënies së çmimit edhe në bursë. “Unë e kam pranuar se e vetmja taksë që kemi rritur, është ajo e karburantit, çmimi i të cilit gjithsesi është më i ulët sesa ishte 4 vite më parë, kjo edhe për shkak të rënies së tij në tregun ndërkombëtar. Aktualisht shqiptarët shpenzojnë rreth 100 milionë dollarë më pak për karburant, gjatë një viti, ndonëse kanë edhe një taksë më të lartë. Ne vendosëm të rritim taksën e karburantit, pasi ishim në një situatë shumë të vështirë ekonomike, ku Berisha fliste gjithë ditën për skenarin grek, që ishte vërtetë një kërcënim real për atë periudhë kur morëm drejtimin e vendit”, tha kryeministri.
Pensionet
Për kryeministrin Rama erdhi edhe një pyetje nga paneli i publikut ku një pensionist kërkoi në mënyrë të drejtpërdrejtë të dijë nëse do ketë rritje të konsiderueshme të pensioneve apo jo. Rama tha se do të dëshironte shumë të rriste pensionet, madje këtë dëshirë do ta kishte kushdo që do të ishte në vendin e tij, por akuzoi mungesën e reformës së pensioneve, që e ka penguar qeverinë për të bërë rritje të konsiderueshme. “Reforma e pensioneve duhet të ishte bërë 25 vite më parë, por për fat të keq u ndërmor vetëm gjatë këtyre viteve nga ne. Të gjithë ata që do të dalin në pension pas hyrjes në fuqi të reformës, do të kenë një trajtim shumë më dinjitoz me vlerën e pension që do të marrin. Ne po mundohemi që të bëjmë paketa solidariteti edhe për ata që kanë dalë në pension përpara kësaj reforme dhe madje kemi synim që të përmirësojmë diçka edhe për ata, por do të isha gënjeshtar nëse do të premtoja mrekulli”, tha kryeministri.
Sigal