Rama: PD ka vetëm një plan ta pengojnë reformën me çdo kusht, edhe duke sulmuar publikisht ambasadorin e SHBA

398
Sigal

 

“PD ka vetëm një plan të cilin e çojnë përpara me
këmbënguljen stoike, ta pengojnë reformën me çdo kusht, edhe duke sulmuar
publikisht edhe ambasadorin e SHBA”. Kështu deklaroi kryeministri Rama nga
foltorja e Kuvendit, duke akuzuar Partinë Demokratike se po pengon hapjen e
negociatave me Bashkimin Europian, duke mos votuar ligjet prioritare të
reformës në drejtësi.

Shefi i qeverisë theksoi vendosmërinë
për të çuar përpara reformën në drejtësi, duke thënë: “Sot axhenda e këtij
kuvendi është vazhdimi me vendosmëri i rrugës për të çuar para reformën do apo
nuk do PD, i pëlqen apo jo PD-së, voton apo nuk voton PD”.

“PD i ka shpallur luftë reformës në
drejtësi dhe ka marrë haptazi anën e kazanit. Dje pasi erdhi këtu në 21 korrik
dhe votoi me pahir reformën kushtetuese, duke shpallur madje edhe fitoren si ai
prifti që kërcente nga belaja, PD ka dorëzuar në gjykatën kushtetuese kërkesën
për të rrezuar themelin e reformës, Vettingun që do të pastrojë kazanin e
sistemit të drejtësisë nga plehrat. Ligjin e Vettingut e çuan në kushtetuese në
aleancë të hapur me korrupsionin, mafien që mban peng sistemin e drejtësisë.
Kanë vetëm një plan të cilin e çojnë përpara me këmbënguljen stoike, ta
pengojnë reformën me çdo kusht, edhe duke sulmuar publikisht ambasadorin e SHBA
në emër të sovranitetit për të cilin bënë gjithë atë propagande përpara 21
korrikut dhe pastaj erdhën këtu me bisht ndër shalë dhe ngritën kartonin
jeshil. ”- deklaroi kryeministri.