Rama pas takimit me Reiker dhe Konventës feston zgjedhjen si zv/president i eurosocialistëve.

392
Sigal

Konventa Kombëtare e PS-së, Rama: Ja si do ta kthejmë Shqipërinë në drejtimin e duhur

“Ne do ta kthejmë Lotarinë Kombëtare te publiku”

Kryetari i PS-së, Edi Rama, para se të fillonte punimet Konventa Kombëtare e PS-së, u takua edhe me Zëvendësndihmës sekretari amerikan i Shtetit, Philip Reeker,  dhe zhvilloi një bisedë,  e cila zgjati më se një orë. Sipas burimeve të mirëfillta të “Telegraf” nga selia rozë, temat që biseduan Rama me zotin Reeker  fokusuan procesin zgjedhor të 23 Qershorit, marrëdhëniet në rajon, pa harruar edhe axhentën e integrimit të Shqipërisë. Menjëherë pas këtij takimi, Kryetari i PS-së hapi edhe punimet e Konventës Kombëtare të PS-së. Konventa Kombëtare e PS-së nisi punimet pasditen e djeshme me një fjalim të shkurtër të Kryesocialistit Edi Rama, i cili shpjegoi se kjo konventë do të shërbejë për t’u dhënë përgjigje pyetjeve të qytetarëve dhe për t’i njohur ata me angazhimet dhe propozimet e socialistëve, për ta kthyer Shqipërinë, siç tha ai, në drejtimin e duhur. “Ku ndryshojnë në të vërtetë vizionet, idetë, rrugët e të tjerëve me rrugën e PS-së?  Pse Shqipëria sot shkon në drejtimin e gabuar, çfarë propozojmë ne për kthimin e vendit në drejtimin e duhur? Çfarë do të bëjmë ne për ta zmbrapsur krimin, si do ta ndalim rritjen e mëtejshme të papunësisë? Pse ne socialistët nuk e pranojmë taksën e sheshtë? Si do ta transformojmë ne sistemin e taksave? Cili do të jetë statusi i ri social i sipërmarrësit falë politikës sonë të re mbi sipërmarrjen? A do ta vendosim ne drejtësinë dhe rendin? Ku po shkon gjenerata e re? Çfarë do të ndryshojë për mësuesit, po për prindërit, si do të bashkëpunojë qeveria jonë me komunitetin për të rritur cilësinë dhe suksesin e shkollave? Si do ta mbyllim në epokën e fabrikave të diplomave pa vlerë? Po te përndjekurit pse do të gjejnë më në fund tek PS-ja partnerin që u ka munguar në krahun tjetër?”,- u shpreh Rama. “Njerëzit thonë se, ne politikanët merremi shumë me imazhin. Në fakt duhet të merremi, nëse njerëzit nuk na pëlqejnë të folurën, dukjen rrezikojnë të mos na dëgjojnë fare. Kjo konference kombëtare është e rëndësishme, pasi tregon se sa seriozisht ne i marrim njerëzit, se sa përgjegjësi ndjejmë ndaj publikut që duam t’ia përcjellim sa më të plotë pamjen që duam të jemi dhe atë që duam të bëjmë pas zgjedhjeve të 23 qershorit”,- deklaroi Rama.  Kreu i PS-së bëri të ditur se “gjatë dy ditëve do të mbledhim sugjerimet e fundit, kritikat e fundit, më pas do vazhdojmë me çdo rajon për detajimin e mëtejshëm të programit në varësi të nevojave rajonale”. Ai përfundoi duke shtuar se Konventa Kombëtare është faza e parafundit e kurorëzimit të fitores për një Rilindje Kombëtare, e cila sipas tij realizohet me forcat e socialistëve në ndryshim nga pala tjetër që sipas tij kanë nevojën e konsulencës së huaj.  Rama tha se, Konventa Kombëtare është faza e parafundit e kurorëzimit të fitores për një Rilindje Kombëtare, e cila sipas tij realizohet me forcat e socialistëve ndryshim me demokratët që sipas tij kanë nevojën e konsulencës së huaj.  “Konventa  jonë do të hartojë programin e ri të PS-së për një rilindje shqiptare,  pas një rruge të gjatë takimesh, konsultimesh, me ekspertë, shoqëri civile, grupe interesi dhe specialistë të huaj në prag të përpunimit përfundimtar që do bëhet bazuar edhe çfarë do dëgjojmë si reagime nga publiku dhe do marrim si kritika nga ndjekësit tanë në rrjete sociale dhe do konstatojmë me partinë socialiste në të gjithë territorin. Është faza e parafundit dhe kurorëzohet sot në një organizim të veçantë siç është si gjithmonë që hapim shtigje të reja dhe të tjerët nda ndjekin pas, jemi në që kemi modernizuar rrugën e komunikimit dhe fushatat ndërkombëtare, të tjerët marrin konsultentë të huaj dhe ne e bëjmë me forcat tona në fushatën e fitores për një Rilindje Kombëtare”,- tha Rama. Doja vetëm të nënvizoja diçka në respekt të këtyre kampionëve dhe të gjithë atyre që s’janë këtu sot. Në respekt edhe të gjithë kësaj pune të jashtëzakonshme që është bërë me këtë pjesë të programit dhe që ka të bëjë me një angazhim që duhet ta rinënvizoj sot. Ne do ta kthejmë Lotarinë Kombëtare te publiku, për të financuar sportin, për të financuar politikat tona rinore, që janë të lidhura bashkërisht me sportin dhe sigurisht dhe artin dhe trashëgiminë kulturore. Nëpërmjet kthimit të Lotarisë Kombëtare në një burim financimi të sportit ne do t’i japim vetes mundësi që ta rilindim sportin duke filluar nga shkolla, duke filluar nga ajo bazë e jetës shoqërore, që është komuniteti rreth shkollës. Sepse ne sigurisht duam të mbështesim çdo talent që nesër mund të ngrejë flamurin kombëtar dhe të lartësojë imazhin tonë nëpër botë:- tha Rama.

Vasilika Hysa, deputete: “Barazia para ligjit e kujtdo që shkel ligjin është baza e drejtësisë dhe një nga elementët e suksesit të  uljes së krimit. Do të investojmë që policia, prokuroria dhe sistemi i drejtësisë të jenë efektive, parandalues dhe ndëshkues ndaj krimit dhe të respektojnë liritë dhe të drejtat  e personave.”

Ledi Shamku, deputete

“Rilindja e Arsimit në këtë vend nuk është thjesht çështje buxheti, por pikësëpari është çështje vullneti. Vullneti ynë politik, vullneti i Rilindjes, beson fort se në këtë vend ringrihen vlerat morale, mëkëmbet ekonomia dhe mpaket fort varfëria, po qe se arsimi vendoset i gjithi aty ku duhet të jetë: guri i qoshit i ngrehinës së Rilindjes”

 Olta Xhaçka, deputete

“Ne do të përgjysmojmë papunësinë femërore. Të gjitha grave dhe vajzave do t’u ofrojmë një shans punësimi, vetëpunësimi ose trajnimi brenda një viti. Do të zbatojmë politika ekonomike që do të krijojnë vende të reja pune, të mirëpaguara dhe të denja për çdo grua. Do të krijojmë jo më pak se 75,000 vende të reja pune çdo vit dhe do të punësojmë me përparësi gratë dhe vajzat duke favorizuar ato më të reja, të arsimuara, pjesëtare të pakicave dhe individë me aftësi të kufizuara”

Flasin për “Telegraf:

Xhemal Qefalia

Konventa e sotme e PS-së është një eveniment shumë rëndësishëm, i kësaj partie. Është kontribut i asaj pune shumë mujore që është bërë për hartimin e programit të qeverisë së ardhshme, pas 23 Qershorit. Ky është një program realist, për çdo sektor , për Rendin -më shumë siguri, për shërbim shëndetësor, jo sipas mundësisë, por sipas nevojës, për fshatin, ndryshim rrënjësor të jetesës së tyre.

Ilir Bejtja

Në këtë konventë prezantohet programi ynë elektoral dhe qeverisës, i cili është hartuar pas shumë tryezave të bisedimeve që kemi bërë më grupet e interesit. Ky program është i hapur për çdo ndryshim që do të vijë nga konsultimet që do të vijojnë, për të hartuar një program qeverisës.

 Kryetari i PS-së  feston përzgjedhjen si zëvendëspresident i Internacionales Socialiste

Në festimin e përzgjedhjes si zëvendëspresident i IS-së, Edi Rama nuk harroi të falënderojë edhe Fatos Nanon dhe Ilir Metën, për kontributin që kanë dhënë në PS, pavarësisht se sot rrugët e tyre janë ndarë me PS-në. Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, festoi dje përzgjedhjen e tij si zëvendëspresident i Internacionales Socialiste, në një takim, ku i pranishëm ishte edhe Sekretari i Përgjithshëm i Internacionales Socialiste, Luis Ajala. Duke folur përpara të pranishmëve, Ajala tha se, ishte aty për të mbështetur objektivat e socialistëve. “Edi Rama nuk u zgjodh Kryetar i Internacionales, por herën tjetër do të zgjidhet”,- tha ai. Ai tha se që kur e kishte takuar Ramën për herë të parë, kishte parë tek ai një lider. Ajala tha se, Rama ka vizionin dhe kurajën dhe është vlerësuar nga IS që në vitin 2003. Ajala tha se, Rama është Kryeministri i ardhshëm i shqiptarëve. Ai premtoi se Internacionalja Socialiste do të vëzhgojë zgjedhjet, ndërsa shtoi se populli shqiptar kërkon zgjedhje të lira dhe të ndershme, ashtu si IS. “Asnjëherë nuk e kisha parafytyruar dot këtë mbrëmje. Se kisha menduar se kjo ditë do të vinte, të paktën jo pa kaluar disa vite. Kremtimin e një ngjarje që për partinë tonë është historike, jo sepse u zgjodha unë, por sepse u zgjedh kreu i PS-së së Shqipërisë. Është diçka e jashtëzakonshme që ndodh në një moment të pazakontë në vendin tonë, prandaj unë sot jam i lumtur që kam mundësinë ta ndaj me ju domethënien e posaçme të kësaj ngjarje”, u shpreh kryetari i PS, Edi Rama në nisje të fjalës së tij. Ndërkohë, kryetari i Partisë Socialiste, ka falënderuar emrat e njohur dhe të rëndësishëm në Partinë Socialiste për këtë arritje në Internacionalen Socialiste. Ai tha se ky është një vlerësim për të gjithë socialistë. “Unë si kryetar i PS dhe si kryeministër nesër, nuk do të përsëris gabimet e së kaluarës”,- tha Rama. Ai falënderoi Pëllumbin, Doklen, Ruçin, Rukën, Daden, Majkon. Por ai nuk harroi pa falënderuar edhe Fatos Nanon dhe Ilir Metën, si ish- kryeministra të PS. Edi Rama ka premtuar në emër të Partisë Socialiste një politikë të re për median. Rama tha se, prania e tyre aty nuk nënkuptonte se do jenë në paradhomën e kryeministrit, por se do të respektohen njësoj. Kryetari i PS ka premtuar një ndryshim rrënjësor për televizionin dhe median publike. Rama tha se, ata do jenë qeveri e transparencës dhe premtoi se çdo dokument do bëhet publik për median. Ai tha se transparente do të jenë shpenzimet e qeverisë. Në fund të fjalës së tij ai ka falënderuar gruan e tij, Linda, duke thënë se ajo e mban të balancuar. “Kushdo që më njihte dhe më parë, e di këtë gjë”,- tha ai.

Ajala i Internacionales Socialiste: “Rama, Kryeministri i ardhshëm i shqiptarëve”

Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, ka festuar mbrëmë përzgjedhjen e tij si zëvendëspresident i Internacionales Socialiste, në një takim, ku i pranishëm ishte edhe Sekretari i Përgjithshëm i Internacionales Socialiste, Luis Ajala. Duke folur përpara të pranishmëve, Ajala tha se, ishte aty për të mbështetur objektivat e socialistëve. Ai tha se që kur e kishte takuar Ramën për herë të parë, kishte parë tek ai një lider. Ajala tha se, Rama është Kryeministri i ardhshëm i shqiptarëve. Ndërkohë, kryetari i Partisë Socialiste, ka falënderuar emrat e njohur dhe të rëndësishëm në Partinë Socialiste për këtë arritje në Internacionalen Socialiste. Ai falënderoi Pëllumbin, Doklen, Ruçin, Rukën, Daden, Majkon. Por ai nuk harroi pa falënderuar edhe Fatos Nanon dhe Ilir Metën, si ish- kryeministra të PS-së. Edi Rama ka premtuar në emër të Partisë Socialiste një politikë të re për median dhe premtoi se PS nuk do të ndjekë politikën e llogoreve të PD-së dhe vetë nuk do të bojkotojnë mediat.  Kryetari i PS-së ka premtuar një ndryshim rrënjësor për televizionin dhe median publike. Në fund të fjalës së tij ai ka falënderuar gruan e tij, Linda, duke thënë se ajo e mban të balancuar. “Kushdo që më njihte dhe më parë, e di këtë gjë”, tha ai.