Rama paralajmëron reformë administrative

455
Sigal

Ekspertët ndërkombëtarë këshillojnë  Ramën të mos e bazojë ekonominë në borxhe

Kryeministri i ri Edi Rama po zbardh edhe projektin e tij për një reformë administrative. Kjo do të thotë, që administrata publike do të boshatiset nga militantët partiakë të maxhorancës në ikje, për t’u zëvendësuar me emërimet e reja, të cilat, sikurse pretendon deri tani vetë Kryeministri Rama, do të bëhen nëpërmjet meritokracisë së …CV-ve. Në ditën e dytë të konferencës “Shqipëria e Gjeneratës Tjetër” kreu i PS-së, Kryeministri i ardhshëm i vendit, Edi Rama paralajmëroi një reformë administrative të vendit.  “Planet rregulluese që janë ndërtuar brenda për brenda qyteteve, kanë rezultuar krejtësisht të padobishme në funksion të përmbajtjes së këtyre flukseve që kanë ardhur nga jashtë qytetit dhe që janë stabilizuar rreth e rrotull qytetit. Kjo ka rezultuar fatale qoftë për ndërtimet pa leje, qoftë përsa i përket planeve ose mosplaneve të komunave kufitare”, deklaroi Rama.  Rama tha se, një reformë e tillë nuk është sfidë vetëm e maxhorancës së re, por duhet të jetë një sfidë për të gjithë klasën politike në vend për t’i dhënë jetë reformës territoriale. “Është një sfidë jo e jona, por besoj është një sfidë e gjithë klasës politike sot, e gjithë përfaqësuesve të popullit shqiptar në Parlament, për t’i dhënë më në fund jetë reformës territoriale, e cila duhet të çojë në shkurtimin e numrit të njësive vendore në funksion të situatës krejtësisht të re që kemi në vend, pavarësisht politikës, pavarësisht qeverisë”, -tha Rama.

Specialistët ekonomistë ndërkombëtarë këshillojnë

“Që ekonomia juaj të bazohet në defiçite dhe borxhe është shumë e rrezikshme. Mund të duket gjë e mirë në aspektin afatshkurtër, por ata që ju kanë dhënë borxh mund t’jua kërkojnë para kohe si na ndodhi neve në 1992, gjëja me e mirë që bëmë në 20 vitet e fundit ishte të dilnim nga ky makth. Ne humbëm vota, humbën zgjedhje, por ne tani jemi në pozicionin e duhur”,-tha Sebastian Vladescu. “Qeveria duhet të ketë kujdes që të mos krijojë pesimizëm tek publiku, por as optimizëm jo të duhur. Çfarëdo gjëje që të bëni, duhet të jetë e buxhetuar. Në rast se nuk ka zëra në buxhet për këto, atëherë mos shpenzoni, sepse disiplina fiskale është kyçe për suksesin”, u shpreh Durmus Yilmaz. “Unë do sugjeroja katër fusha prioritare, ku duhet ndërhyrje në periudhën 6-12 mujore: te parandalimi i krizave; krijimi i vendeve të punës; dhënia e shërbimeve dhe mbrojtja e burimeve natyrore. Duhet të veçoj se sektori i energjisë ka shumë probleme, investimi ka qenë neglizhent, tarifat nuk mbulojnë kostot e tanishme dhe institucionet financiarisht kanë hequr dorë. Qeveria duhet të marrë masa për dimrin dhe të shohë aspektin fiskal” nënvizoi Ellen Goldstein.

Rama: “Sfida jonë, ndërtimi i një modeli të ri zhvillimi”

Vetë Kryeministri i ardhshëm Edi Rama deklaroi se, objektivi i qeverisë së tij është formimi i një modeli të ri zhvillimi. Duke folur në sesionin e dytë të konferencës, Rama tha se, kjo mund të arrihet vetëm përmes një reforme rrënjësore.“Gjendemi përpara sfidës për të ndërtuar një model të ri zhvillimi, bazuar tek prodhimi, punësimi, transformimi i sistemit tonë arsimor dhe rritja e peshës se cilësisë së arsimit profesional. Bazuar tek domosdoshmëria për të kaluar nga një gjendje prapambetjeje në fshatin në një zhvillim modern rural. Bazuar tek bindja se, turizmi do të kthehet nga një fushë prurjesh që i mbeten spontanitetit në një industri që do të prodhojë vende punë. Të gjitha këto janë të mundura vetëm përmes një reformë rrënjësore të sistemit qeverisës, të institucioneve që rriten me ekonominë dhe sipërmarrjen, të marrëdhënies së qeverisë me sipërmarrësin dhe të sipërmarrësit me qeverinë”,- deklaroi Kryesocialisti. Duke risjellë në vëmendje sfidat integruese të vendit, Rama nënvizoi se, Europën e ëndërruar ta bëjmë këtu në bashkëjetesën e re që do të krijojë konkurreshmëri dhe meritokraci.

Shkëlqim Cani: “Zhvillimi kërkon kredi”

Ndërsa për Shkëlqim Canin, personi që do të marrë në dorë financat e shqiptarëve në qeverinë “Rama”, një ekonomi nuk mund të krijojë para pa kredi. Në kushtet kur kreditë e këqija janë shumë të larta, Cani tha se, detyra që del përpara është ritavilizimi i tyre. “Stabiliteti financiar kërkon dhe stabilitet të ekonomisë. Ekonomia ka hyrë në një fazë interesante dhe realitet të vështirë. Pika e parë që do të thoja, janë reformat strukturore, modeli i ri dhe liberalizmi i ekonomisë. Pika parë ka të bëjë me stabilitetin e tregut. Pikë e dytë do ishte mirëqeverisja. Duhet të fillojmë epokë të re kur organet e tatim-taksave duhet të krijojnë një marrëdhënie të re me institucionet. Duhet te bëjmë transparencë për Tatim-Taksat se, ku shkojnë paratë tona. Do ndalesha dhe tek pika si të nxisim ekonominë që të ecim para. Një ekonomi nuk mund të krijojë para pa kredi. Kreditë e këqija janë shumë të larta sot dhe ne do përpiqemi t’i ritavilizojmë”, u shpreh ministri i ardhshëm i Financave.

Arben Ahmetaj: “Sektorët e industrisë të formësohen në bazë të platformës së lirë”

 Ndërsa Arben Ahmetaj në fjalën e tij theksoi se, një tjetër sfidë për qeverinë mbetet borxhi i trashëguar nga qeveria ende në detyrë. “Qeveria duhet të ndërmarrë vendime që do të nxisnin sektorët e industrisë që do të formësoheshin në bazë të platformës së lirë. 2 sfida: Sfida urgjente dhe sfida afatmesme dhe afatgjata. Në ditët e pra qeveria dhe shoqëria do të përballet me sfidën e borxhit publik dhe atë që qeveria i detyrohet biznesit. 400 milionë euro që qeveria i ka borxh komunitetit të biznesit. Sfidë tjetër situata emergjente e energjisë, për 6 muajt që vijnë. Kjo është sfidë afatshkurtër. Rritja ekonomike nuk duhet të mbetet retorike. Asgjë nuk do të ndodhe nëse ne si qeveri dhe gjithë aktoret nuk shkojmë drejt rritjes së qëndrueshme”, -tha ai.

 Gerald Knaus: Shqipëria ka shumë dyqane e berberë, por ekonominë e rrit, industrinë

 “Ekonomia shqiptare sot ka shumë dyqane e shumë berberë, mos ma merrni për ofendim, bëjnë shumë mirë që janë, por dhe pse i keni, do të vijoni të mbeteni të varfër sepse vetëm një sektor prodhues, industria mund t’i japë më shumë këtij vendi”. Këtë mendim shprehu dje, Gerald Knaus, presidenti i Iniciativës Europiane të Stabilitetit. Knaus mori pjesë në punimet dy ditore të Konferencës “Shqipëria e Gjeneratës Tjetër”, e organizuar në Tiranë nga PS. Sipas Knaus, industria kërkon njerëz të trajnuar dhe ky do të jetë problemi që do të vonojë rimëkëmbjen e ekonomisë. “Ju mendoni se do të ishte e mrekullueshëm sikur ndryshimi të bëhet menjëherë, por dhe në rast se funksionon industria, duhen mrekullia në 2 vjet nuk do të ndodhë. Sepse industria tekstile marrim shembull kërkon inxhinierë të trajnuar, dhe kjo do vite punë”. Më tej, Presidenti i Iniciativës Europiane të Stabilitetit solli një shembull, si duhet të prodhojmë një strukturë të ndryshme të ekonomisë. “Nëse doni të përmirësoni shkollat, 10% janë para, por 90% janë mësuesit. Si mund të kesh mësues të motivuar me arsimim më të mirë, ashtu sikundër kanë bërë dhe vende të tjera, si Finlanda, etj dhe nëse rrit cilësinë e mësimdhënies, ke shqiptarë të arsimuar mirë në dije e kulturë”. Sipas Knaus, konferenca e PS është një iniciativë e mirë për vendin për vetë problemet që ka aktualisht ekonomia shqiptare. “Në Shqipëri shumë pak njerëz punojnë. Papunësia është një ndër problemet kryesore në vend. Konferenca ishte diçka mjaft e mirë”.