Rama paralajmëron ‘fshesë’ në administratë: Pastrim ne të gjitha nivelet nga keqbërësit

493
“Pastrimi” ka qenë veprimi i parë i kërkuar nga kryeministri Edi Rama në Asamblenë Kombëtare të PS-së. Ai tha se ka ardhur koha që të bëhet një pastrim në të gjitha nivelet, pastrim fizik, në rrugë, pastrim në të gjitha nivelet e administratës nga keqbërësit dhe fillimin e një lufte të hapur.
“Nuk është e rastit që sot ne u përqendruam tek 100 ditët e para dhe të gjithë anëtarët e qeverisë bënë me dije ambiciet e 100 ditëve pasi besoj se në këto 100 ditë ne përcaktojmë edhe fizionominë e qeverisjes dhe tonin e bashkëqeverisjes me njerëzit. Për të bërë një përmbledhje të asaj që është substanca e këtyre 100 ditëve por që do të mbetet e tillë edhe për 300 ditët e para të qeverisjes, në këtë fazë të parë na duhet pastrim në të gjitha nivelet, pastrim fizik, në rrugë, në zyrat e shërbimeve. Pastrim në të gjitha nivelet e administratës nga keqbërësit dhe fillimin e një lufte të hapur dhe pastrim strukturor përmes rindërtimit të të gjithë strukturës dhe mekanizmave të pushtetit ekzekutiv në funksion të Shqipërisë që duam me punë me shtet me mirëqenie”, theksoi kryeministri.
Ai tha se “na duhet shërbim dhe ka rëndësi të mos neglizhojmë asnjë detaj, asnjë marrëdhënie të dikujt me shtetin, qoftë qytetar qoftë sipërmarrje dhe na duhet ndëshkim në të gjitha nivelet lidhur me çdo shfaqjeje të korrupsioni, të abuzivizmit dhe çdo shfaqje të padenjë ndaj qytetarëve”.
“U bë një pasqyrë e mirë detajuar e ambicies në 100 ditët e para dhe po të bëja një rezyme do nënvizoja faktin që në këto 100 ditë të para duhet të kalibrojmë siç duhet shënjestrën në lidhje me hapjen e negociatave për anëtarësim vitin që vjen. Duhet të përcaktojmë progresin në vitin që vjen”, tha Rama.
Sigal