Rama: Paqja në rajon fryt i partnerëve SHBA-BE, ekstremizmi sfidë globale

488
Ka nisur sot në Tiranë dita e dytë e ministerialit kundër terrorizmit, ndërsa i pranishëm në këtë takim është edhe kryeministri Edi Rama. Gjatë fjalës së mbajtur me këtë rast, kryeministri tha se paqja në Ballkan është fryt i partnerëve SHBA-BE duke e vënë theksin në nevojën për të luftuar terrorizmin të gjithë bashkë, pasi sipas tij të vetëm nuk mund tja dalin mbanë për ta luftuar. Rama tha se ekstremizmi është një sfidë rajonale e globale.
“Paqja në Ballkan, fryt i partnerëve SHBA-BE. E shohim në jetën e përditshme se sa shumë kjo paqe është e kërcënuar nga kompleksiteti i botës ku jetojmë, nga kërcënimet që vijnë prej konflikteve që vazhdojnë pranë kufijve të Evropës, nga dhuna e terrorizmi që janë faktor shumë shqetësues për shoqëritë tona. Në një botë ku çdo gjë nuk zhvillohet larg nesh. Bëhet fjalë për një sfidë që nuk është lokale, por rajonale dhe globale. Në një studim të observatorit ballkanik të vitit 2003 thuhet se vendet e Ballkanit janë më pranë me BE-në se me vetveten. Ky konstatim ka vlerë sot e gjithë ditën. E vërteta është se jemi të gjithë më pranë me Brukselin se me njëri-tjetrin. Ky është problemi ynë i përbashkët, që zgjidhet me bashkëpunimin rajonal që ka nisur në 2003 me axhendën e Selanikut. Pakti i stabilitetit shërbeu si një nxitës për ta tërhequr rajonin kundër dhunës”, u shpreh Rama.
Rama është ndalur edhe tek ngjarja në Kumanovë, ku ka lëshuar mesazhe të qarta ndaj qeverisë maqedonase, duke u shprehur se ky vend nuk do mund të jetë pjesë e NATO-s pa garantuar zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit. 
“Për Maqedoninë ne kemi mbajtur një qëndrim të qartë dhe mbështetës, ndaj të cilës kemi qenë të detyruar që edhe në samitin e Uellsit të kërkojmë respektimin deri në fund të Marrëveshjes së Ohrit. Duke u ndalur në tragjedinë e Kumanovës, do thoja se fatkeqësisht fjala terrorizëm dhe shqiptar u bënë bashkë në një përpjekje të rrezikshme, për t’i dhënë terrorizmit një prapashtesë etnike, dhe etnisë një parashtesë paragjykuese. Kjo është e rëndë për ne por edhe për Maqedoninë. Shqiptarët kanë qenë dhe janë një faktor i pazëvendësueshem shtetformues dhe me rëndësinë për integrimin e Maqedonisë. Asgjë më e rrezikshme nuk mund të na ndodhë të gjithëve ne në këtë betejë të përbashkët kundër terrorizmit, sesa trajtimi çështjeve që nuk kanë të bëjnë me të, por janë shprehje të problematikës së ngarkuar të degradimit të demokracisë. Është e patolerushme kjo përzierje e terrorizmit me këtë problematike. Nuk duhet treguar mungesë transparence dhe drejtësie. Shqipëria do një Maqedoni të qëndrueshme, por jo të pajetueshme. Maqedonia s’mund të jetë në NATO pa garantuar në frymë dhe në gërmë Marrëveshjen e Ohrit”, tha Rama
Sigal