Rama opoziton ministrat e qeverisë së vet

595
Kryeministri nga Asambleja Kombëtare paralajmëron: Në shtator ndryshime të qeverisë
Kryeministri Rama, edhe pse para takimit të tij në Berlin, deklaroi se Shqipëria i ka kryer detyrat e integrimit dhe e meriton hapjen e negociatave, dështimi total i lobingut të vet me kancelaren Merkel dhe me deputetë gjermanë, e detyroi, që të mblidhte urgjentisht Asamblenë Socialiste. 
Imazhi i reflektimit 
Asambleja Socialiste ishte e pa planifikuar, por edhe u zhvillua pa asnjë rend dite të paracaktuar. Mbizotëroi vetëm fjalimi kritik i kryeministrit Rama. Ndaj të gjithëve, së pari, ndaj ministrave, që nuk kanë bërë punën e vet, ndaj koordinatores së bashkëqeverisjes, Spiropalit, ndaj kryebashkiakëve socialistë, ndaj kryetarëve të PS-ve nëpër qarqe, që nuk kanë as …zyra. Kjo taktikë politike e kryeministrit ishte, që të përcillte në publik dhe deri në Bruksel, që qeveria po bën gjithçka, që deri në qershor, të kapë të paktën trenin e fundit të hapjes së negociatave. Në rast se BE-ja nuk hap negociatat me Shqipërinë për anëtarësim, atëherë kryeministri ka paracaktuar edhe masat e dënimit. Në shtator do të ndryshojë qeverinë, duke u ngarkuar ministrave që do shkarkojë, kryebashkiakëve, dhe kryetarëve të PS-ve në qarqe gjithë fajin e dështimit të integrimit. 
Në shtator, ndryshimet e qeverisë
Kryeministri Rama hapi fushatë llogaridhënie të qeverisë, të PS-së, të bashkive socialiste me njerëzit, deri në shtator, për të ndryshuar tërësisht, imazhin e keqqeverisjes së deritanishme. Në të kundërt, kryeministri Rama, paralajmëroi: “Në fund të kësaj fushate, ne do të vlerësojmë çfarë ndryshimesh do të bëjmë në qeveri në shtator, nëse do duhen bërë. Cilët ministre apo ministra, cilat ministri apo sektorë nuk janë në lartësinë e kësaj nevoje.”
Ja “opozita” e kryeministrit ndaj qeverisë, kryebashkiakëve socialistë dhe PS-së
1. Prisja nga Elisa Spiropali që të thoshte se cilët kryetarë të PS-së duhen shkarkuar sot, jo nesër, për faktin që nuk duan t’ia dinë fare që bashkëqeverisjen
2. Si mundet që sot, pas gjashtë muajsh, ne të kemi ende bashki, ku kryetarët e partisë nuk e kanë marrë vesh se çfarë duhet të bëjnë në këtë aspekt. Deputetët nuk janë zyra pune. 
3. Mirëpo këtu, partia çfarë bën? Ku është partia në këtë mes? Ku janë kryetarët e partisë? Ku janë zyrat e partisë?
4. Kryetarëve të partisë nuk u ka dhënë njeri, detyrën që të merren me punësime. Ka kryetarë partie që e bëjnë.
5. Ne nuk mund të themi sot, që e kemi mbajtur zotimin tonë deri më tani, që drejtimin e institucioneve do ta marrin më të mirët që ka komuniteti. Nuk e kemi mbajtur ende këtë zotim dhe kush paguan për këtë?
6. Pse thonë njerëzit që ne qeverisim me arrogancë? Këtë duhet ta kuptojmë e duhet ta ndajmë, cilat pjesë të qeverisjes sonë konsiderohen arrogante, sepse është e drejtë e sepse ne bëjmë reforma që janë të dhimbshme dhe, cilat pjesë të qeverisjes sonë është padrejtësisht arrogante me njerëzit. Këtë ne duhet ta ndajmë.
7. Kukësi ishte një mësim shumë i madh për të kuptuar përgjegjësinë tonë, për të kuptuar çfarë ne nuk bëmë si duhet. 
Fenomeni “Braçe”
Deputeti socialist Erion Braçe pardje publikoi një kritikë shumë konkrete dhe të drejtpërdrejtë ndaj kryebashkiakut socialist të Tiranës, Erion Veliaj, për dhënien e lejeve të ndërtimit jo transparente dhe në interes të kryeqytetit dhe të banorëve. Në fakt, deputeti Erion Braçe, pavarësisht se edhe këtë kritikë publike, mbase e bëri parimore, apo me qëllime të caktuara politike, si kryetar i Komisionit Parlamentar të Ekonomisë ka heshtur, nuk ka reaguar as në fillim, as tani, për koncesionet, as për mënyrën e tyre të dhënies së drejtpërdrejtë disa klientëve të caktuar, as për qëllimin që kanë këto koncesione, thjesht që zhvatin pasuritë e Shqipërisë, pa dhënë asnjë kontribut në zhvillimin e ekonomisë. Erion Braçe nuk ka folur as për shpërdorimin e fondeve për restaurimin e fasadave, kur ndërkohë, nuk ka investime publike. Erion Braçe nuk ka reaguar as për taksat e shumta që rëndojnë përditë biznesin e vogël, biznesin e mesëm dhe ku fondet shpërdorohen, Erion Braçe nuk ka reaguar as për shkurtimin e ndihmës sociale nga qeveria e Majtë e Rilindjes. Mirëpo, deputeti Erion Braçe, edhe duhet lavdëruar. Erion Braçe është deputeti socialist që guxoi dhe foli haptas publikisht, duke kritikuar kryebashkiakun socialist të Tiranës, për interesin e banorëve. Të paktën, Erion Braçe guxoi dhe kritikoi haptas, publikisht një kryebashkiak socialist, ndërkohë, që askush tjetër, as deputet, as anëtar i PS-së, as anëtar i qeverisë nuk guxon të kritikojë asgjë dhe asnjë. 
Sigal