Rama: Opozita, kundër Evropës dhe SHBA

485
Kryeministri vijon fushatën dhe akuzon PD-në për sulmet ndaj miqve e partnerëve të Shqipërisë: Votojmë më 18 qershor

Kryeministri Edi Rama u shpreh i vendosur për ta dërguar Partinë Socialiste drejt zgjedhjeve të 18 qershorit, pavarësisht mungesës së opozitës. Duke folur gjatë një takimi në Lezhë, kryesocialisti tha se përpjekjet e opozitës synojnë të mbrojnë prokurorët dhe gjyqtarët e korruptuar. 

“Ata që sot janë ngujuar në atë bunker kanë një arsye shumë të thjeshtë: Ata nuk duan që ne të gjithë së bashku, populli mbarë, pavarësisht bindjeve politike, socialistë apo demokratë, në 18 qershor të pushojmë nga puna prokurorët e gjykatësit e korruptuar. Ata nuk duan që ky popull, pas 27 vjetësh nën thundrën e padrejtësisë, pas 27 vjet torturash nëpër gjykata për pronën, për të drejta elementare, të çlirohet më në fund nga kthetrat e gjykatësve e prokurorëve, që duhet të jenë të parët që të përgjigjen përpara ligjit për të gjitha krimet që kanë bërë, për të gjitha padrejtësitë që kanë bërë”, u shpreh Rama. Sipas tij, opozita e di shumë mirë që duke bllokuar Veting-un dhe duke dalë hapur në mbrojtje të prokurorëve e gjykatësve të korruptuar “nuk mund të shkojnë as te demokratët më të flaktë e t’i thonë na jepni votën, prandaj nuk duan as zgjedhje, sepse nuk duan drejtësinë”. “Ndërsa ne i duam zgjedhjet në 18 qershor, në radhë të parë për të vendosur më në fund drejtësinë”, nënvizoi Rama.

Gjithashtu, Rama tha se sot, ne jemi në kushtet kur PD, partia që lindi si parti e shpresës për një “Shqipëri si e gjithë Evropa”, ka vendosur që të mos hyjë në zgjedhje. “Ka vendosur të mos hyjë në zgjedhje dhe mundohet t’u thotë shqiptarëve që këtu nuk mund të ketë zgjedhje pa PD”, tha Rama, duke shtuar se e vërteta është ndryshe. “Diktatura ndalon partitë e tjera që të hyjnë në zgjedhje, ndërsa demokracia nuk i pengon partitë që të mos hyjnë në zgjedhje. Është vendimi i tyre që t’i braktisin vajzat, djemtë, gratë dhe burrat që janë mësuar të votojnë për PD-në. Është dëshira dhe vullneti ynë që t’iu hapim krahët dhe t’i mirëpresim të gjithë demokratët, njerëzit e zakonshëm të këtij vendi, të cilët njësoj si socialistët duan drejtësi, që njësoj si socialistët duan shtet, që njësoj si socialistët duan punë, që njësoj si socialistët duan mirëqenie, sepse ne jemi ndryshe”, tha Rama, duke iu drejtuar të rinjve në Lezhë. Sipas tij, PD e ka ndarë vendin në ngjyra flamujsh, ndërsa socialistët duan një Shqipëri të bashkuar nën flamurin kuq e zi, të Skënderbeut dhe Ismail Qemalit. “Për ta, Shqipëria është e ndarë në copa. Ata që ju shkojnë pas janë të tyret. Ata që nuk i shkojnë pas janë të krimit dhe të drogës. Ndërsa për ne, Shqipëria është një, e pandarë dhe e pandashme nën flamuj partish”, tha Rama.

Në të njëjtën kohë, Rama akuzoi opozitën se po punon kundër Evropës dhe Shteteve të Bashkuara. “Ata, e keni parë, janë gati që të na ndajnë edhe nga Evropa, edhe nga Amerika. I keni dëgjuar sesi i vërsulen të gjithë miqve dhe partnerëve të Shqipërisë. E patë sesi Bashkimi Evropian iu foli hapur dhe troç të gjithë shqiptarëve, duke ju bërë thirrje qytetarëve, pa dallim, që të vazhdojnë përpara dhe të marrin pjesë në zgjedhjet e 18 qershorit. Ata janë gati ta prishin Shqipërinë me të gjithë miqtë, për një arsye shumë të thjeshtë, sepse ata kanë frikë nga drejtësia. Por pa një drejtësi të drejtë, Shqipëria nuk bëhet dot anëtare e Bashkimit Evropian”, u shpreh Rama.

Kryeministri Rama po zhvillon një tur në disa qytete të vendit, ndërsa ka deklaruar se nuk do të jetë më i hapur ndaj opozitës për shkak të nisjes së fushatës elektorale për zgjedhjet e 18 qershorit. 
Sigal