Rama: Nxitje investimeve të huaja në Ballkan. Raporti i BERZH: Duhen 200 vjet të arrini standardin e BE

602
Rama në Londër: Nxitje bashkëpunimit dhe investimeve në Ballkan

Kryeministri Edi Rama mori pjesë në Samitin e organizuar nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), për Ballkanin Perëndimor, me synim tërheqjen e investimeve të huaja. Samiti i mbajtur në zyrat qendrore të BERZH në Londër, i katërti i këtij formati, ka si objektiv promovimin e Ballkanit Perëndimor si destinacion investimesh. Këtë vit, Samiti u përqendrua në promovimin e projekteve në transport dhe energji, duke inkurajuar bashkëpunimin rajonal. Në Samit merrnin pjesë kryeministrat e vendeve të Ballkanit Perëndimor. Në prezantimin e tij, Rama e vuri theksin në potencialet gjithnjë në zhvillim që Shqipëria ofron në sektorin energjetik, i cili ka tërhequr kompani prestigjioze që të investojnë aty. “Të gjithë e dinë se ne kemi mjaft potencial në sektorin energjetik. Javën e kaluar kemi nënshkruar një kontratë të re me SHELL për eksplorim onshore në bregdet. Por që është një kontratë e madhe sepse përgjithësisht SHELL e ka ulur në mënyrë të ndjeshme planin e vet të eksplorimit në vende të tjera dhe kemi optimizëm të arsyeshëm se ka burime të reja të mëdha të gazit dhe naftës në Shqipëri dhe për rajonin”, tha Rama. Turizmi mbetet një fushë me potencial të lartë për investime, për të cilin Kryeministri u shpreh se kërkesa është në rritje nga viti në vit. Kryeministri theksoi se ky sektor ofron mundësi investimi në mënyrë të veçantë në turizmin elitar, interesi për të cilin është rritur ndjeshëm. “Sërish do të doja të theksoja turizmin si fokusin kryesor së paku për 10 vitet në vijim, sepse ka një kërkesë jashtë mase të madhe dhe që po rritet shumë. Po ju sjell një shifër sa për të krijuar ide. Operatorët tanë turistikë janë të detyruar të kthejnë mbrapsht 25 % të kërkesës për shkak të mungesë së infrastrukturës sonë pritëse, edhe pse shifrat janë rritur në mënyrë të ndjeshme vit pas viti. Kushdo që vjen, po kërkojnë të shqyrtojnë mundësi eksplorimi në nivelin e lartë. Ata janë të mirëpritur për të ardhur dhe për ta bërë këtë”, u shpreh shefi i qeverisë. 
BERZH: Shqipërisë mund t’i duhen 200 vite të arrijë BE-në
Vendet e Ballkanit Perëndimor kanë në agjendën e tyre një seri reformash të brendshme por edhe të lidhura me njëra-tjetrën që synojnë ngushtimin e hendekut që ekziston mes Bashkimit Evropian dhe këtij rajoni. Kjo vjen në kushtet kur integrimi mbetet busulla e orientimit për të gjitha këto vende. Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim në një raport të fundit të saj bën një vlerësim të konvergjencës së Ballkanit Perëndimor me mesataren e standardit të jetesës në BE. Sipas kësaj analize janë nxjerrë tre skenarë, optimist, skenari bazë dhe pesimisti. “Konvergjenca e plotë me mesataren e standardit të jetesës në BE mund të marrë shumë dekada. Një skenar bazë që përdor rritjen mesatarë për periudhën 2001-2016 tregon se 6 vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor në mesatare mund të arrijnë një GDP-në për frymë mesatare të BE-së për gati 60 vite. Një skenar optimist që përdor nivelin e rritjes së periudhës së para krizës tregon se mund të arrihet standardi i jetesës i BE brenda më pak se 40 vite ndërkohe që në skenarin pesimist që përdor mesataren e rritjes së post krizës rezulton që arritja e BE-së do të vinte pas 200 vitesh. Shpejtësia me të cilën kapet ritmi do të varet nga shpejtësia me të cilën do të adresohet sfidat që pengojnë zhvillimin e rajonit në potencialin e tij të plotë”, thuhet në raport. Sipas të gjitha gjasave vendet e Ballkanit Perëndimor në skenarin bazë kapin BE-në në vitin 2078, në skenarin optimist në 2053 dhe në atë pesimist në 2220. Rritja mesatare e GDP-së për frymë në gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor është sa gjysma e mesatares së 11 vendeve të Evropës Lindore dhe sa një e katërta e rritjes në ekonomitë e zhvilluara të Evropës Perëndimore. Problemi që duket se kërkon edhe zgjidhjen e shpejtë sipas BERZH është garantimi i një rritje produktive afatgjatë. Arsyet që mbajnë peng këtë rritje produktive që mbetet e ulët sipas analizës së Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim variojnë nga vite të tëra me investime të ulëta në institucione të dobëta dhe një mjedis biznesi të vështirë. “Sektori privat është kontribuuesi kryesor në ekonomi në të gjitha këto vende gjithsesi shteti ka një rol dominant në disa industri kyçe dhe kanë para një agjendë të ngjeshur privatizimesh. Ndërmarrjet e vogla dhe të mesme dominojnë sektorin privat dhe llogarinë për të paktën dy të tretat e vlerës së shtuar në mesatare”, thuhet në analizë.
Sigal