Rama: “Nuk ndryshoj qëndrim për kokainën, operacion tërësisht shqiptar”

75
“613 kilogramë kokainë janë kapur pa asnjë bashkëpunim ndërkombëtar”. Kështu u shpreh kryeministri Edi Rama, duke e cilësuar si të pavërtetë lajmin se ai ka ndryshuar qëndrim për kapjen e sasisë së kokainës në Durrës. Më anë të një postimi në rrjetin social “Facebook”, Rama shkruan se e vërteta është vetëm një, që 613 kg kokainë janë kapur nga policia shqiptare pa bashkëpunimin e ndërkombëtarëve. “Nisur nga intervista ime për ‘Die Welt’ (s’e kam idenë nëse saktësisht a jo, se nuk e kam lexuar versionin gjermanisht) qenka bërë lajm shqip, se paskam ndryshuar qëndrim! E pavërtetë! Sepse e vërteta është vetëm një: 613 kg kokainë janë kapur pa asnjë bashkëpunim ndërkombëtar! Kaq”, shprehet Rama. Bashkëpunimi ndërkombëtar në rastin e kapjes së kokainës një muaj më parë në Durrës u bë objekt i debateve politike, ndërsa intervista e kryeministrit Rama ngjalli akoma më tepër paqartësi në raportimin e saj në mediat vendase. Megjithatë, shefi i qeverisë i është rikthyer qëndrimit të tij, se kapja e drogës ishte një operacion tërësisht shqiptar.