Rama: Nuk kam ndërhyrë në zgjedhjen e shefave të policisë, nuk i kam asnjërit numrin e telefonit

453
Kryeministri Edi Rama thekson se i ka lënë dorë të lirë ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri, për t’i zgjedhur vetë bashkëpunëtorët në 4 vitet që ai ka mbajtur këtë detyrë. Në mbledhjen e grupit parlamentar të Partisë Socialiste, kreu i qeverisë tha se Tahiri i ka zgjedhur vetë emrat e krerëve të Policisë së Shtetit, kandidatura të cilat kryeministri Rama ia ka konfirmuar.
Rama thotë se jo vetëm nuk ka ndikuar në zgjedhjen e kreut të Policisë së Shtetit, por shton se nuk i ka as numrin e telefonit.
Ai thekson se në mandatin e tij të parë si kryeministër, nuk ka komunikuar drejtpërdrejt me krerët e policisë.
“Për meritat e tij në punë u zgjodh ministër i Brendshëm. I dhashë mbështetjen dhe besimin tim, si gjithë të tjerëve në fakt, por këtij iu deshën këto të dyja më shumë se kujtdo. Nuk kam ndërhyrë në asnjë zgjedhje që ai ka bërë për personelin. Edhe kreun e policisë e zgjodhi ai. Nuk kam komunikuar me asnjë drejtor policie. Nuk ia kam as numrin e telefonit, as atij që ishte, dhe as këtij që u zgjodh. Nuk kam bërë asnjë ndërhyrje, as kur deputetët viheshin në pozitë nga ankesat e zgjedhësve për policinë.
Që në mbledhjen e parë, pas formimit të qeverisë së parë, ju kam thënë se në 3 drejtime do t’i ndalojmë si fillim ndërhyrjet politike, policët, mësuesit, diplomatët. Ndaj ju kam kërkuar të mos bëhen ndërhyrje për punësim të policëve, mësuesve, dhe diplomatëve. Pasi pa këto tre figura, shteti nuk i ngjajnë aspak asaj që duam, por një hani me shumë porta. Ndaj kam bërë debat me ndonjë anëtar të grupit, pasi për shkak të presioni apo të traditës, ishin të detyruar të reagonin”, u shpreh kryeministri Rama.
Sigal