Rama: Një President të unitetit kombëtar për Shqipërinë e Kosovën

650
Sigal

Në 10 – vjetorin e Pavarësisë së Kosovës, në një seancë solemne të parlamentit në Prishtinë, kryeministri Rama avancoi në fjalën e tij me një propozim që i afron akoma më shumë dy vendet.

Një President të unitetit kombëtar, që siç tha vetë kreu i qeverisë shqiptare, është ende një ëndërr, por jo e pamundur.

“Kosova dhe Shqipëria do të kenë një politikë të jashtme, e jo veç ambasada dhe përfaqësi diplomatike të njëjta, por pse jo një President simbol të unitetit kombëtar dhe një politikë kombëtare të sigurisë. Mbase ky parafytyrim sot mund të mos jetë i këshillueshëm në rrafshin e racionales, por historia për të cilën mora leje qysh në fillim për të mos folur sot, na këshillon se çka është e drejtë të ëndërrohet, nuk është e pamundur të realizohet”, u shpreh Kryeministri Edi Rama.

Kreu i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli renditi një sërë arritjesh të shtetit të pavarur 10-vjeçar, por nuk la pas dhe sfidat që e presin në këtë dekadë të re.

Kuvendin e përshëndeti dhe kongresmeni amerikan, Eliot Engel i cili ashtu si shteti i Kosovës, këtë 18 Shkurt feston ditën e lindjes.

Eliot Engel: “Nëse e shihni se ku ka qenë ky vend dhe ku po shkon, sa ka arritur, unë them urime ditëlindjen Kosovë, sepse keni bërë një ditëlindje të mrekullueshme. Mund t’ju them se askund në botë nuk ka njerëz më miqësor ndaj Shteteve të bashkuara se sa këtu në Kosovë. Prandaj edhe ju falënderoj”.

Seanca solemne bëri bashkë krerët më të lartë të shtetit dhe politikës shqiptare, me praninë e presidentit Ilir Meta, kreut të kuvendit Gramoz Ruci, ish-kryeministrit Sali Berisha dhe kreut të Partisë Demokratike, Lulzim Basha.