Rama nis nga Vlora Rilindjen e Shqipërisë

427
Sigal

Sot mblidhen 2 qeveritë e Shqipërisë, njëra në Kryeqytetin e Pavarësisë dhe tjetra, në Kryeqytetin e Shqipërisë

“1 milion fjalë s’mjaftojnë për Vlorën, ku era e Rilindjes është dehëse!” Kështu do të shkruante për Vlorën gjatë fushatës, në faqen e tij në Facebook, Kryetari i PSSH, i zgjedhur Kryeministër nga shqiptarët, në zgjedhjet e 23 Qershorit. Të mërkurën e 21 gushtit, Rama do të nisë, po nga Vlora, t’i kthejë në realitet fjalët e thëna për Vlorën dhe për gjithë Shqipërinë. Salla e konferencave e hotel “Nju York”, pranë tunelit në Ujin e Ftohtë, është zgjedhur nga bashkëpunëtorët e Ramës për thirrjen e parë të qeverisë të dal nga zgjedhjet e 23 Qershorit. Bashkëpunëtorët e Ramës kanë përgatitur deri në detaje jo vetëm mbledhjen e mbarëvajtjen e saj, por edhe akomodimin e Kryeministrit Rama, i cili do të drekojë, darkojë e do të kalojë natën, në një nga dhomat e këtij hoteli. Burime të mirëinformuara, për “Telegraf” bëjnë me dije, se kryeministri i zgjedhur, Edi Rama dhe ministrat e tij, do të bëjnë, në ndërkohën e pushimeve të dy ditëve të mbledhjes së qeverisë “Rama1”, edhe ndonjë orë banjo në pishinën e hotelit luksoz. Burime nga stafi i hotelit kanë bërë me dije se është bërë kujdes deri në inspektimin e kuzhinës, kushteve të gatimit dhe menynë e zgjedhur për Ramën dhe ministrat e qeverisë. Por ndërsa këto janë detaje të organizimit të mbledhjes, mbledhja e qeverisë Rama, e thirrur në Vlorë, është pritur me interes, por edhe kuriozitet në qytetin e Vlorës. Komentet dhe pritshmëritë janë nga më të shumtat, ndërkohë që, në të gjithë qytetin, ndihet atmosfera e shpresës nga oguri i mirë që pritet të përcjellë kjo mbledhje, e cila edhe pse jo ende në detyrë zyrtarisht, pritet të marrë vendime jo pak të rëndësishme. Premtimet e Ramës për Vlorën gjatë fushatës janë pritur me interes në qytetin e Vlorës dhe vlonjatët më shumë se kurrë kanë besim në realizimin e tyre. Ndërtimi i Korridorit të Kaltër, një autostradë që do të mundësojë qarkullimin nga Mali i Zi, përgjatë gjithë bregdetit shqiptar, për ta kthyer portin e Vlorës në një port hyrëse në rajon, ka qenë një nga premtimet e bujshme të Ramës. ndërkohë Rama ka premtuar dhe rishikimin e rikonstruksionit të sheshit të Flamurit, të bulevardit Vlorë-Skelë, ndërtimin e shëtitores përgjatë bregdetit Skelë-Yhi i Ftohtë dhe ndërtimin e By-pass. Qytetarët e Vlorës kanë të ngulitur në kujtesën e tyre zotimin e Ramës gjatë fushatës, kur është deklaruar se: “Betohem para jush dhe dëshmorëve të këtij vendi, se unë Edi Rama, nuk do ta tradhtoj kurrë Vlorën dhe qytetarët e këtij vendi, se do të jem këtu edhe pas 23 Qershorit, për të kthyer fjalët në vepra e për t’i parë ëndrrat të kthehen në realitet për të gjithë socialistët dhe demokratët e Vlorës e gjithë Shqipërisë” Që nga e mërkura e 21 gushtit, qytetarët e Vlorës do të nisin të monitorojnë premtimet e Ramës të bëra për qytetin e tyre, duke shprehur besimin se Rama nuk do të jetë si kryeministrat e mëparshëm, të cilët kanë premtuar e janë përbetuar për Vlorën, por e kanë harruar atë shumë shpejt, sapo kanë fituar pushtetin.

Brendia e mbledhjes të qeverisë “Rama 1”

Mbledhja e Kryeministrit të ardhshëm dhe Ministrave të PS dhe LSI  do të fillojë sot në orën 12:00 dhe do të zgjasë 2 ditë, por deri më tani dhe për vetë kabinetin, detajet e mbledhjes janë të pakta. Në qendër të mbledhjes do jetë programi i ri qeverisës PS-LSI, ku secili nga anëtarët e kabinetit do të njihet me shtyllat emergjente që do vihen në zbatim me marrjen në dorëzim të qeverisë. Data 20 gusht, ishte përcaktuar si kohë e lënë në dispozicion të Ministrave të përzgjedhur, për të hartuar programin specifik të 100 ditëve të para të ekzekutivit të majtë dhe mësohet se gjatë këtyre ditëve Ministrat kanë hartuar projektin e diskastereve që do drejtojnë. Në këtë pikë, rëndësi të veçantë marrin ndarjet e strukturave. Teme e nxehtë e mbledhjes duket se do jenë edhe punësimet në administratë, pasi Edi Rama ka këmbëngulur se rekrutimi i punonjësve në administratë të kryhet vetëm përmes konkurseve të forta. Në mbledhjen e parë të Kryeministrit të ardhshëm me ministrat e rinj, jashtë diskutimeve nuk do të ngelet as kodi etik i ministrave, i cili tashmë duket se është finalizuar dhe që siç ka premtuar kryesocialisti bazohet në modelet më të shkëlqyera të mirëqeverisjes demokratike.

 Berisha mbledh në Tiranë qeverinë e tij

Po sot, në kryeqytet Kryeministri Berisha do të mbledhë kabinetin e tij qeveritar. Akoma nuk dihet axhenda e kësaj mbledhjeje, por duke u nisur se, të pakta janë ditët e kësaj qeverie, nuk pritet që kabineti qeveritar të marrë vendime të rëndësishme. Kryeministri në ikje Sali Berisha ka reaguar nëpërmjet një deklarate për mediat, lidhur me incidentet e ndodhura në Përmet.  Kreu i qeverisë vlerëson se, zbatimi i vendimeve të gjykatave është themeli i funksionimit të shtetit ligjor, por nga ana tjetër i cilëson si skena barbare rrëmbimin e objekteve të shenjta nga përmbarimi privat gjatë ekzekutimit të vendimit gjyqësor të 11 viteve më parë duke i krahasuar me veprimet e diktaturës “Hoxhiste”. Berisha iu bën thirrje palëve të gjejnë zgjidhje përmes dialogut, teksa e konsideron të papranueshme dhe ndërhyrje absurde në punët e brendshme të Shqipërisë deklaratën e fundit të autoriteteve greke.“Kryeministri vlerëson dialogun e sotëm midis autoriteteve të Bashkisë së Përmetit dhe atyre fetare dhe i ka kërkuar Kryetarit të Komitetit të Kulteve që së bashku me këto autoritete të bëjnë verifikimet e nevojshme dhe propozimet respektive për një zgjidhje përfundimtare jashtë të gjitha abuziviteteve dhe praktikave të dënueshme ateiste. Kryeministri konsideron të papranueshme dhe ndërhyrje absurde në punët e brendshme të Shqipërisë deklaratën e djeshme të autoriteteve greke. Shqipëria ka të gjitha mundësitë dhe mjetet ligjore për garantimin e shtetit të së drejtës, veprimtarisë normale të institucioneve të vendit dhe atyre të huaja si dhe për t’iu përgjigjur shkelësve të rendit dhe provokimeve të çdo lloj”, përfundon deklarata e Kryeministrisë.