Rama nga Velipoja: Premtimi për 100 ditët e para

552
Kryeministri Edi Rama mblodhi dje në Velipojë anëtarët e qeverisë së re, që do të drejtojë vendin për një mandat të dytë. Pas takimit të parë në Llogara, këtë herë ishte zgjedhur Velipoja. Fokusi i bisedimeve të Ramës me ministrat e ardhshëm u përqendrua te përgatitja për programin e qeverisë dhe hapat e parë që do të hidhen prej nisjes së punës. Vetë Rama publikoi disa nga vendimet e para që do të marrë ekzekutivi. “Guinness: Në 1 vit burokracia shqiptare kërkon 4.5 milionë certifikata. Konsum skandaloz i kohës, lekëve, nervave të qytetarëve, që do mbarojë me qeverinë e re. Në çdo rast kur i duhet certifikata e qytetarit, për të dhënë një shërbim burokracia duhet ta sigurojë vetë. Kjo do të bëhet realitet, brenda 100 ditëve të para të mandatit të ri”, bëri të ditur kryeministri. Ndërkohë një moment tjetër i trajtuar në takimin e Velipojës mësohet se ka qenë edhe ristrukturimi i thellë që do të pësojë qeveria, jo vetëm në nivelin e ministrive. Sidoqoftë bashkimi i disa sektorëve dhe shkrirja e disa ministrive do të kërkojë hartimin e strukturave e buxheteve të reja, duke sjellë jo pak vështirësi në funksionin e dikastereve. 

Vendimi i parë i qeverisë, siç është shpallur nga vetë kryeministri, do të jetë shpallja e 2018-s si viti i Skënderbeut. 
Sigal