Rama nga Kashari ironizon Donald Tramp

500
Rama nga Kashari, ironizon kryebashkiakun e Kamzës për rrugën me emrin “Tramp”
Kryeministri Edi Rama i njohur për deklaratat e tij të papërmbajtura kundër, duke ironizuar kryebashkiakun Xhelal Mziu, ka shigjetuar sërish presidentin e SHBA-së
Ne jemi me Gjermaninë, me politikat e këtij shteti të fuqishëm ekonomik. Ndërkohë Xhelal Mziu është me Donald Tramp, emrin e të cilit e ka përdorur edhe në një rrugë. Kjo deklaratë e kryeministrit Edi Rama ka ndezur polemika të shumta gjatë ditës së djeshme. Kryeministri Edi Rama bëhet sërish protagonist i deklaratave emocionale, kundër liderëve botërorë. Takimi elektoral që pati ditën e djeshme në zonën e Kasharit, u bë shkak për të rihapur një debat, në qendër të të cilit ishte kryebashkiaku i Kamzës Xhelal Mziu dhe emrat e rrugëve që ky i fundit, ka zgjedhur të përdorë. Me fitoren e Donald Tramp si president i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Xhelal Mziu, si një prej mbështetësve të politikave të tij, vendosi të quajë një rrugë në qytetin që ai drejton, Kamëz. Kështu një prej rrugëve tashmë ka emrin e Donald Trampit. Por për liderin e PS-së, njëherësh kryeministër i vendit, ky vendim i Mziut, është një skandal. E për të ironizuar pikërisht me emrin e Donald Tramp, Rama gjeti zonën e Kasharit. Ndërkohë që shkak kryesor për të rihapur këtë temë, është bërë një deklaratë e kryebashkiakut të Kamzës Xhelal Mziu në një takim elektoral, ku kërkonte nga banorët e bashkisë së tij respektimin e ligjit në ndërtim, ndryshe sipas tij flamujt e PS-së që mbaheshin mbi çati nuk do t’i shpëtonin nga shembja. Rama me deklaratën e tij kundër vendimit të Mziut për emrin e rrugës “Donald Tramp”, shfaq sërish mendimin e tij kundër presidentit të SHBA-së “Donald Tramp”.
Deklaratat e mëparshme të Ramës kundër Donald Tramp
Por çfarë ka thënë kryeministri Edi Rama gati një vit më parë, për presidentin aktual të SHBA-së Donal Tramp. “Nëse Donald Trump do të zgjidhet President i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Shqipëria do të prishë marrëdhëniet që ka me SHBA pasi ai është kërcënim për vetë SHBA-të dhe marrëdhënien e Shqipërisë me to”. Këtë deklaratë, Kryeministri Rama e ka bërë gjatë një emisioni të gazetarit Baton Haxhiu në Klan Kosova ku ka deklaruar se, Trump është fatkeqësi për SHBA-në. “Mos e dashtë Zoti që Amerika ta zgjedhë Trump për president”. Ai ka thënë se nëse ndodh që Trump të zgjidhet si i pari i SHBA-së, atëherë do të përkeqësoheshin marrëdhëniet diplomatike mes shqiptarëve dhe amerikanëve. Por fill pas përfundimit të zgjedhjeve, Rama deklaroi se kjo deklaratë është bërë në kontekstin e fushatës elektorale dhe nuk ka pasur lidhje me presidentin por me personin, pra Donald Tramp. Deklarata e tij u përdor nga të gjitha mediet. Kohë më pas, Rama do të deklaronte se Donald Tramp nuk e ka idenë se kush është Edi Rama e jo më të ketë dëgjuar deklaratën e tij. Ndonëse ka dhënë deklaratë të fortë kundër Trampit, Rama në intervistat e tij ka deklaruar se ato janë bërë në kontekstin politik. 

Rama kundër Xhelal Mziut për ndërtimet
Kryeministri Edi Rama ka publikuar një video në Facebook, në të cilën shfaqet kryebashkiaku i Kamzës, Xhelal Mziu, në një takim elektoral.“Kush ka vendosur flamurin e PS dhe LSI, le ta heqin brenda ditës së sotme, sepse nesër do vijmë t’iu prishim shtëpitë”, dëgjohet të thotë Mziu. Ndërkohë kreu u qeverisë e cilëson si kërcënim nga bodrumi i Republikës së Re. Ai shkruan se në tetë vjet bënë vetëm 21 mijë legalizime me lekë mbi dorë e nën dorë, ku 85% ngrehina biznesi në rrugë, oborre shkollash e spitalesh, parqe, terrene sportive, zona të mbrojtura natyrore e hapësira monumentesh kulture.“Në 2 vjet e gjysmë kemi arritur sot shifrën 144 mijë legalizime falas(93% shtëpi socialistësh e demokratësh pa dallim dhe pjesa tjetër sipërmarrje prodhuese kryesisht në fshat. Shikojeni se si Republika e Re është qimja që ndërron në një qenie që zakonin s’e harron dhe mos e harroni se mbi bindjet politike, në 25 qershor është Shqipëria që duam, me shtet-punë-mirëqenie për çdo shqiptar pa dallim, jashtë bodrumeve të partive që ju duan të përçarë vetëm për pushtetin e tyre”, shkruan Rama në Facebook.
Reagimi i Xhelal Mziut: Deklarata ime për ndërtimet pa leje u nxor nga konteksti
Menjëherë pas publikimit të deklaratës së kryeministrit Edi Rama, ka ardhur reagimi i kryebashkiakut Xhelal Mziu. Në faqen e tij sociale në facebook, Mziu i kundërpërgjigjet Ramës duke e cilësuar mashtrues. “Kërkoj ndjesë për keqkuptimet e krijuara me qëllim nga propaganda e Edi Ramës në lidhje me një deklaratë timen, të veçuar, të nxjerrë nga konteksti, e të interpretuar sipas oreksit politik dhe elektoral të qeverisë. Në fjalën time në një takim me banorët e Valiasit unë u jam referuar ndërtimeve pa leje, në shkelje të hapur të ligjit, që kanë shpërthyer gjatë kësaj fushate elektorale, dhe si mburojë kanë flamujt e PS-së dhe të LSI-së, dhe kandidatët e tyre që i nxitin këto paligjshmëri duke kërkuar votën në këmbim. Gjatë gjithë punës sime, jam krenar që kam mbrojtur dhe kam punuar e shërbyer, që ndërtimet e njerëzve të ardhur në Kamëz e në Paskuqan nga gjithë Shqipëria, pavarësisht nga bindjet e tyre politike, të legalizohen, të urbanizohen, të marrin shërbime dhe banesat e tyre të kenë vlerë. Njeriu që shemb dhe prish, njihet fort mirë, ai është Edi Rama”, shkruan Mziu.
Sigal