Rama: Në shtator nis lufta ndaj korrupsionit me zemër mjekësinë

413
Sigal

TIRANE – “Lufta ndaj korrupsionit që do të nisë në shtator do të jetë e panjohur më parë dhe në zemër do të ketë shëndetësinë.” Është kjo deklarata që ka bërë Kryeministri Edi Rama gjatë analizës së punës së bërë nga Ministria e Shëndetësisë në 300 ditët e para të qeverisë. Rama e cilësoi të patolerueshme që në një vend të zemër të Europës dhe me status kandidati në BE, të pluskojë llumi i korrupsionit. Kryeministri nënvizoi se goditja ndaj këtij fenomeni do të jetë e fortë dhe me tolerancë zero. “Viti i dytë i mandatit tonë do të karakterizohet nga një luftë e panjohur më parë kundër korrupsionit, kundër të gjitha niveleve e klaneve, duke besuar se kjo luftë është transformim i sistemit. Fushata që do të nisë në shtator do të ketë në zemër edhe luftën ndaj korrupsionit në mjekësi. Toleranca do të jetë zero dhe goditja do të jetë e vazhdueshme që nga drejtorët e spitaleve. Është e patolerueshme që Shqipëria në mes të Europës kandidat për në BE ku të gjitha arteriet e shëndetësisë pluskon llumi i korrupsionit. Kjo është një çështje përgjegjësie që duhet ta ketë gjithsecili.” theksoi Rama. Kryeministri i Shqipërisë tha se lufta ndaj korrupsionit në sistemin shëndetësor është sfida e rradhës e qeverisë, që siç theksoi ai klientelizmin dhe korrupsionin e ka patologji. Rama shprehu bindjen se qeveria që ai drejton do të arrijë të fitojë këtë sfidë, pa parë në sy askënd.  “Jemi përballë një sfide që do ta fitojmë pa parë askënd në sy, në kuptimin pa u tërhequr para askujt. Sfidën e kemi me një sistem që e ka korrupsionin dhe klientelizmin patologji. Ende sot një numër i madh njerëzish në nevojë mbeten viktimë e recetave qëllimisht më të shtrenjta, dhe adresa të farmacive të imponuara nga mjekë që janë përpara nga një zgjedhje shumë e qartë. Ose të heqin dorë nga kjo praktikë ose minimalisht do të largohen. Dhe hetimi i ministrisë do të përfundojë me emra konkretë kushdo qofshin dhe do të largohen nga puna si të padenjë dhe si pjesë e atij problemi që ne duam të zgjidhim. Ne besojmë se mjekët dhe gjithë trupa janë partnerë në realizimin e objektivit të përbashkët, por nuk jemi këtu për të përkëdhelur askënd.” U shpreh kryeministri Edi Rama. Lufta ndaj korrupsionit e paralajmëruar nga Kryeministri Rama që do të nisë në shtator, krahas sistemit të drejtësisë, tashmë ka vënë në fokus edhe sistemin shëndetësor, ku të dy këto hallka të shërbimit publik janë akuzuar për implikim të veprave të korrupsionit nga opinioni publik. “Shërbimi falas do të vijë por kërkohet një revolucion i sistemit”
Gjatë fjalës së tij Kryeministri Rama u ndal edhe tek premtimi elektoral i mazhorancës për një shërbim shëndetësor falas, ku ripërsëriti qëndrimin se ky zotim do të mbahet por se sipas tij kërkon akoma shumë punë. Ai tha se hapat për realizimin e këtij premtimi janë hedhur nga qeveria në këto 300 ditët e para, ndërsa shtoi se për ta arritur kërkohet një revolucion që nga edukimi e deri tek financat e teknologjia. Sipas kryeministrit ky nuk është një premtim elektoral por një nismë botërore për të sjellë barazi në trajtimin shëndetësor të qytetarëve. “Kam dëgjuar një nga akuzat që na bëhet është shërbimi falas, a thua është një realitet sa hap e mbyll sytë dhe jo një përmbysje të një sistemi nga themeli i provuar prej vitesh se nuk funksionon. Ky është një zotim që do ta mbajmë në kohën e nevojshme për ta kryer këtë revolucion dhe sot në paraqitjen e drejtuesve të sektorit, ishte e qartë se hapat drejt këtij qëllimi madhor kanë filluar të hidhen dhe se 300 ditë pune intensive nuk e kanë transformuar rrënjësisht shëndetësinë se do të kërkonte një fuqi madhore që ne nuk e kemi por kanë shënuar disa piketa të një kthese që po merret. Dua ta theksoj se shërbimi falas nuk është asnjë aluçinacion ideologjik apo elektoral, dhe as një prirje e izoluar, por një tendencë botërore, sepse siç thekson presidenti i Bankës Botërore, nuk është një kërkesë për shëndetësi më të mirë por kusht për barazi, jo përpara një malli por një nevoje që një shtet i përgjegjshëm e plotëson në mënyrë të barabartë ka apo jo lekë. Dhe për të arritur në këtë prioritet ambicioz duhet të kalojmë një zinxhir që lidhen me të që janë nga edukimi deri tek financat dhe teknologjia e informacionit.” tha Rama