Rama, në sherr edhe me gazetarët italianë: “Le Iene”, media kazani

704
Disa ditë më parë emisioni investigativ italian “Le Iene” në “Italia 1” transmetoi një reportazh nga Bulqiza, ku trajtohej problemi i fëmijëve, të cilët punonin në stoqet e mineralit të kromit për të fituar 100-200 lekë në ditë. Fëmijët dëshmonin me zë dhe figurë se kjo ishte një mënyrë për të ndihmuar familjet e tyre të varfra dhe gazetarja italiane Alice Martineli i shoqëroi ata përgjatë një dite pune. Pamjet ishin tronditëse, duke shkaktuar zemërim. Por dje, gjatë një vizite në Bulqizë, kryeministri Edi Rama e mohoi këtë situatë. Ai tha se media që ka bërë reportazhin është një media kazani dhe pamjet e shfaqura ishin të vjetra. “Më erdhi inat me ca italianë, se dhe atje kazanë sa të duash ka. Kishin bërë një reportazh të ndyrë për Bulqizën me filmime të vjetra, me fëmijët që turreshin për të mbledhur krom. Faktikisht sot nuk është më si fenomen. Ka raste sporadike, por nuk është më. Po ishin filmime të vjetra mo… edhe e nxjerrin atje: “Ja Shqipëria, turren…tmerr. Tmerr. Çfarë të thuash!”, tha Rama teksa konsumonte drekën në një familje në Bulqizë.

Ndërkohë Nisma “Thurje” ka kontaktuar me gazetaren e “Le Iene”, Alice Martineli, duke e pyetur se kur janë bërë xhirimet. Ajo konfirmoi se xhirimet janë bërë nga datat 14 në 16 tetor të këtij viti. Kur i sqaruan, se përse po e pyesnin, gazetarja tha se për këtë çështje do të ketë edhe një deklaratë zyrtare nga emisioni “Le Iene” dhe, se ishte e shokuar se si një kryeministër mund të gënjejë hapur.
Sigal