Rama, në Serbi. Mrkiç: Të gatshëm për krijimin e marrëdhënieve më të mira në rajon

402
Sigal

TIRANË- Ministri i Jashtëm serb, Ivan Mrkiç, ka bërë të ditur në një njoftim për mediat lidhur me vizitën e Kryeministrit të shtetit shqiptar, Edi Rama. Vizita zyrtare e Kryeministrit në shtetin serb pritet të zhvillohet muajin e ardhshëm, por ende nuk është bërë e ditur data ekzakte e kësaj vizite. Qëllimi i kësaj vizite sipas Mrkiç është bisedimi dhe krijimi i raporteve më të mira në rajon. “Jemi të gatshëm të takohemi me ‘të dhe të bisedojmë për krijimin e raporteve sa më të mira në rajon”, ka thënë Mrkiç, duke shtuar se në axhendën e vizitës do të jetë bashkëpunimi dypalësh në shumë sfera.

Sipas tij, shqiptarët që jetojnë në Luginën e Preshevës i gëzojnë të gjitha të drejtat, ndërsa pakica serbe që jeton në Shqipëri ende nuk është pranuar si duhet. “Duhet të shikojmë faktin se, në Shqipëri jeton pakica serbe, e cila ende nuk është pranuar si duhet. Unë këtë çështje e kam iniciuar kur kam qenë në Tiranë vitin e kaluar. Duhet të specifikojmë të gjitha mënyrat se si do të trajtohet pakica serbe, pasi shqiptarët tek ne gëzojnë të gjitha të drejtat sipas standardeve më të larta evropiane”, ka thënë Mrkiç. Kjo u bë e ditur nga ministri i Jashtëm serb, Ivan Mrkiç, i cili njoftoi për vizitën e Ramës në muajin shkurt, por duke mos saktësuar datën.