Rama në Rrëshen: Votoni ata që besoni më shumë, kryebashkiakët e PD asnjë projekt

500
Kryeministri i vendit, Edi Rama është ndalur paraditen e sotme në qytetin e Rrëshenit për të prezantuar kandidatin e Bashkisë, Ndrec Dedaj për zgjedhjet lokale të 21 qershorit. Gjatë fjalës së tij Rama përcolli shembullin e kryebashkiakut në ikje të Tiranës Lulzim Basha si model i cili nuk duhet ndjekur në këto zgjedhje.
“Kush niset të votojë kandidatin e PD duhet të thotë, ku e kanë këta një model që unë ta shoh. Më të mirin e tyre kanë këtë të Tiranës, pyesni në Tiranë cfarë ka bërë ky në 4 vjet? Zero, gjumë me gërhima. Ishte ministër Transporti, për çfarë e mbani mend? 230 milionë euro në drejtim të paditur, dihet ku kanë shkuar pos a pa u kapur po e quajmë të paditur. Kur ishte ministër i Jashtëm i firoi deti me firmën e vet. Si ministër i Brendshëm mos e pyet e mbylli me 4 të vrarë në kurriz. Si kryetar bashkie bëri një gjë: Nuk bëri asgjë. Siç hyri doli kastravec, thotë populli. Ky është më i miri se ka edhe më keq”, u shpreh Rama.
Ndërkohë, në anën tjetër, Rama tha se qëndrojnë kandidatët e koalicionit të majtë të cilët vijnë në këtë garë elektorale me projekte konkrete për të ndryshuar vendin. “Era e ndryshimit po fryn në Rreshen. Aleanca jonë që ka në themelin e saj partneritetin strategjik mes dy partive PS-LSI, një forcë e madhe udhëheqëse e këtij transformimi, kemi një vizion të qartë për qytetet e fshatrat, për nevojat e rrugët që duhet tu çelim për të plotësuar nevojat e tyre dhe për t’i kthyer vendbanimet në territore ku asgjë nuk është e pamundur. Një palë tjetër nuk ka asnjë haber se çfarë duhet bërë që komunitetet të jetojnë më mirë. 
Një kandidat që është kryetar komune, pyeteni a ka bërë ndonjë përpjekje në këto 18 muaj të takohet me mua a me ndonjë ministër, të çojë ndonjë projekt e të kërkojë ndihmë. Asnjë nuk ka bërë asnjë përçapje për të marrë mbështetjen e qeverisë sepse për ata kjo është e pamundur, nga një anë nuk dinë. Kanë bërë projekte pa asnjë lloj haberi të miratuara nga qeveria e shkuar. Tani në këto zgjedhje që familjet duhet të vendosin se ku duhet cuar vota, ata cfarë propozojnë? Propozojnë vetëm sherr. Kandidat për sherr. Merren me politikën e madhe, me qeverinë, me probleme që nuk kanë lidhje me kryetarin e Bashkisë. Ata duan të kenë në çdo bashki dikë që të mos bëjë asnjë punë”, u shpreh kryeministri Edi Rama.
Sigal