Rama në pritjen e fundvitit me mësuesit: Nga 1 marsi rroga ju rritet me 10%

481
Sigal

Ashtu siç tashmë është bërë traditë, kryeministri Edi Rama ka mbledhur mësuesit më të dalluar në një darkë festive në Pallatin e Kongreseve, me rastin e festave të fundvitit. Pritjen e fundvitit me mësuesit, kryeministri Rama e nisi me një batutë për burrat. Duke vlerësuar mësueset kreu i ekzekutivit tha se “burrat përmirësohen, por nuk bëhen”.

“Kur filluan të flasin disa në tavolina vetëm burrat flsinin ndërkohë që gratë mbanin fjalim. Burrat përmirësohen, por nuk bëhen. Prandaj të rrojnë gratë sa malet dhe pastaj nën hijen e maleve të rrojnë dhe burrat”, tha kryeministri.

Kreu i Qeverisë tha se ashtu siç tashmë është njoftuar, mësuesit do të kenë një rritje rroge me 10 % duke filluar nga 1 Marsi.

“Tre vjet më parë ju paguheshit më pak dhe taksoheshit më shumë. Ne hoqëm taksën 10% që bënte që ju paguanit më shumë se ministrja e Arsimit dhe rritëm fuqinë tuaj blerëse. Për shkak të reformave dhe për shkak të daljes nga borxhi që trashëguam dhe vendosjes së shtetit nga pikëpamja financiare në binare, jemi të gatshëm të rrisim rrogat tuaj. Dhe ju jeni në dijeni se nga 1 marsi rroga do të rritet me 10%. Është e konsiderueshme, por jo e mjaftueshme. Mbetet sfidë që ne ta rrisim edhe më shumë. Dhe këtë sfidë ne do ta fitojmë”, u shpreh kryeministri.

E pranishme në takim, ministrja e Arsimit Lindita Nikolla tha se rezultatet e arritura nga 15-vjeçarët janë fryt i punës së madhe të mësuesve të tyre.

Teksa falenderoi mësuesit nga e gjithë Shqipëria për punën e bërë dhe për rezultatet e arritura, ministrja Nikolla tha se 2017-a do të jetë viti i mësuesit.

“Rezultatet e 15-vjeçarëve janë fryt i djersës energjisë dhe pasionit tuaj. Në emër të gjithë shkollës shqiptare, ministrisë lejomëni tju uroj. Janë rezultatet tuaja. Ka vend për mirënohje por nuk ka vend për eufori. Më shumë punë dhe përkushtim për të vijuar punën tonë të reformave. Duke ju uruar një vit të mbarë më lejoni t’ju them që 2017 do jetë viti i mësuesit. Ju drejtohem me një ftesë, të vijojmë në rrugën tonë të refornmave, jo vetëm duke punuar në orë mësimi por duke e komunikuar atë me prindërit dhe mësuesit”, tha ministrja Nikolla.