Rama në Paris: Ndryshoni imazhin për Shqipërinë

467
Kryeministri kërkon afrimin e vendit me Bashkimin Evropian dhe premton se Tirana nuk do të përfaqësojë më kriminalitetin dhe korrupsionin
Kryeministri Edi Rama mori pjesë dje në “Global Positive Forum”, mbajtur në Paris, me temë “Nxitja e ekonomive pozitive në vendet në zhvillim”, ku ai theksoi rëndësinë që ka për Shqipërinë integrimi evropian. Forumi u organizua nën kujdesin e Presidentit francez Emanuel Makron, ndërsa Rama qortoi edhe të djathtën ekstreme franceze. “Ky vit ishte një vit zgjedhjesh, si në vendin tim ashtu dhe në tuajin. Tek ne, partia ime dhe unë fituam, në tuajin ishte bota që fitoi. Sa ndryshe do të ishin ndjerë miliona njerëz nëpër botë, nëse kjo tokë e madhe e lirisë, vëllazërisë dhe barazisë do t’ia dorëzonte politikën të djathtës ekstreme? Por, kështu populli francez na dha shpresë, ndërsa Presidentit tuaj i dha përgjegjësinë e madhe që të drejtojë vendin në këto kohë të vështira, ashtu sikurse shqiptarët më dhanë të njëjtën përgjegjësi mua”, tha Rama. Sipas tij, “në shoqëritë e pasura në dije, çdo njeri përfaqëson vetëm një qelizë të dijes së madhe kolektive, e të rinjtë punojnë në mënyrë produktive, me dhunti të fokusuara në projekte ambicioze, që vihen në shërbim të arritjeve shoqërore komplekse. Në shoqëritë e varfra kjo nuk ndodh”. “Përtej debatit politik mbi ekonominë e konsumit dhe kërkesës, nisma, individi dhe sipërmarrësi, duhet të jetë në qendër të ekonomisë pozitive dhe kjo është gjithmonë e pamundur deri në momentin që nuk e bëjmë. Shqipëria nuk duhet të përfaqësojë më korrupsionin e kriminalitetin, por kreativitetin dhe inovacionin”, premtoi Rama. Ai shtoi se është e qartë për të gjithë ata që vijnë në Shqipëri, por edhe për të tjerët, se ne kemi nevojë për ju që të na ndihmoni të orientohemi në pikat tona të forta, në mënyrë që imazhi i vjetër të zëvendësohet nga një imazh i ri dhe njerëzit të na shohin për atë që jemi dhe atë që ne e dimë që mund të bëhemi. “Shqipëria në BE, e pamundur… ju jeni të sigurt?! Atëherë le ta bëmë realitet! Dhe më lejoni t’iu them se përse shpresoj që kjo të ndodhë, përse mendoj që kjo do të jetë një e mirë për Shqipërinë dhe gjithashtu për Evropën”, u shpreh Rama. Sipas kryeministrit shqiptar, një prej gjërave që kemi të përbashkët është besimi në vlerat e BE-së dhe dëshira për të qenë pjesë e saj. “Edhe një herë, siç e kam thënë me admirim dhe përulje, nuk besoj se njerëzimi ka njohur ndonjëherë në historinë e tij një program ekonomik e politik më ambicioz se BE-ja. Procesi për të arritur deri këtu ka qenë i trazuar, ka tejkaluar kriza të mëdha, ka njohur shumë ulje e ngritje, si Brexit në këtë moment. Në këtë çast jemi në një pikë të ulët, por projekti evropian nuk është ndërprerë dhe nuk do të ndërpritet ndonjëherë, besoj unë”, u shpreh Rama. Ndër të tjera, ai tha se “ne e duam Europën, ne duam t’i përkasim Evropës dhe ne duam që të vazhdojmë të kontribuojmë për rritjen e këtij suksesi të pabesueshëm që përfaqëson BE-ja dhe duke thënë këtë nuk flas vetëm për shqiptarët, por për të gjithë vendet e Ballkanit Perëndimor”. “Brexit apo jo e di që jemi ne, vendet e Ballkanit Perëndimor, që jemi takuar në këtë orë me marshimin e historisë, jemi të rrethuar nga vendet e BE, Kroacia, Hungari, Bullgari, Rumania, Greqia e Italia. Jemi 6 vende në zemër të Evropës, të lidhur kulturalisht me botën që na rrethon, vende që aspirojmë për një shkëmbim më intensiv dhe besojmë në një union më të madh e më të fortë me të cilin të mund të ndërveprojmë, nga i cili mund të mësojmë dhe tek i cili mund të kontribuojmë”, u shpreh Rama. Sipas tij, “nëse për vendet tona mund të ketë një Evropë që ecën me shpejtësi të ndryshme, për fëmijët tanë duhet të ketë një Evropë e vetme, me një shpejtësi të vetme, për të gjithë ata!”.
Sigal