Rama në OKB, i shqetësuar për klimën, feminist dhe “gay friendly”, fjalimi që na bëri të mos e njohim kryeministrin tonë

711
Sigal

Kryeministri Edi Rama, ka mbajtur një fjalim në OKB, ku mes të tjerave ka folur për disa çështje, të cilat nuk kanë qenë aspak prezente, apo kanë zënë shumë pak vend,  në retorikën e tij të përditshme në Shqipëri.

 

Rama përmendi shqetësimin për ndryshime klimaterike dhe disa komunitete të margjinalizuara, si komuniteti rom, egjiptian, LGBTI, apo personat me aftësi të kufizuara, çështje këto shumë të ndjeshme në vendet perëndimore dhe që e “zbukuruan” tej mase fjalën e Ramës në OKB.

 

“Mes gurëve më të rëndësishëm të themelit të kësaj agjende janë planveprimet për romët, egjiptianet, LGBTI, personat me aftësi të kufizuar, për të cilët ka plane konkrete, të cilat janë në zbatim e sipër dhe që do të garantojnë të drejtat e këtyre grupeve që ndodh shpesh të margjinalizohen në mënyrë të pandershme, të padrejtë. Përveç kësaj, ne kemi bërë progres të madh përsa i takon barazisë gjinore me më shumë gra, sesa kurrë ndonjëherë, të pranishme në qeveri, në Parlament, në këshillat vendore dhe në administratën publike dhe jam shumë krenar të them që në qeverinë time ka më shumë gra sesa burra, një shenjë mjaft e mirë për të qenë të suksesshëm“, tha Rama, ndër të tjera, në fjalimin e tij.

 

Pra, po të dëgjoje fjalimin e kryeministrit, dukej sikur ky njeri sapo kishte zbritur nga një planet tjetër.

 

Kjo sepse për shumë nga këto çështje, Edi Rama, ose ka patur qëndrime skandaloze, ose nuk i ka përfilluar aspak, por duket se pjesëmarrja në OKB dhe tentativa për të impresionuar liderët perëndimor, e kanë transformuar aq shumë kryeministrin, sa të mos e njohim dot. Sigurisht, të paraqitesh si një udhëheqës i shqetësuar për klimën, feminist dhe gay friendly, është shumë “cool” në OKB. Por si na shfaqet kryeministri në Shqipëri?

 

Kur Rama flet për personat me aftësi ndryshe, nuk mund të mos na kujtohen talljet, mimikat, bullizmin dhe fyerjet e tij banale në Kuvend, për një deputet i cili në këndvështrimin e Ramës, ka vështirësi në artikulim dhe për këtë gjë duhet tallur. Nuk mund të mos na kujtohet përdorimi i etiketimit “qorr” në zhargonin e liderit tonë, që zemëroi tej mase Shoqatën e të Verbërve.

 

Po kështu, pavarësisht se Rama e ka mbushur kabinetin e tij me gra, nuk mund të mos kujtojmë, fyerjet dhe denigrimet ndaj grave deputete, grave gazetare, si rasti i Ilva Tares, të cilës kryeministri i tha se nuk ishte përgatitur në emision, pasi duhej të kujdesej për fëmijën e sapolindur, apo krahasimi i një tjetër moderatoreje me dashnoren e narkotrafikantit famëkeq, Pablo Escobar. Akoma më tej, është i pamundur të anashkalohet fakti se Rama drejton qeverinë e një vendi, ku dhuna ndaj grave është endemike dhe ku vrasja e grave nga partnerët është në nivelin më të lartë në Europë (0.7 për 100 mijë gra, sipas Kombeve të Bashkuara). Sado të mbushen karriket e pushtetit me gra të bindura ndaj liderit, kjo nuk e ka ndryshuar aspak gjendjen e mjerueshme të gruas në Shqipëri, por ka shërbyer si një operacion estetik, thjesht një fasadë më shumë e kësaj qeverie.

 

Po kështu, qëndrimet për ndryshimet klimaterike, apo të drejtat e komunitetit LGBTI, thuajse nuk zënë aspak vend në retorikën e përditshme të kryeministrit. Ato janë kauza, ku qytetarët ose janë indiferentë, ose revoltohen tej mase. Në rastin e komunitetit LGBTI përshembull, të gjithë politikanët shqiptarë, përfshirë kryeministrin, kujdesen veçanërisht të mos e përmendin aspak, të frikësuar se kjo gjë do t’i dëmtojë popullaritetin. Ndaj, përfshirja e këtij komuniteti në fjalimin e Ramës, është më së paku një hipokrizi.

 

Padyshim, të gjitha këto çështje ngjajnë fare të parëndësishme, kur përditshmëria jonë është e mbushur, me diskutime për vjedhje votash, korrupsion endemik, shpopullimin e frikshëm të vendit, trafik narkotikësh, apo gjithëfarëlloj problematikash, por fjalimi i kryeministrit, tregon thelbin e asaj çfarë ai është. Edi Rama, e di mjaft mirë se si duhet të jetë një lider perëndimor, se çfarë çështjesh janë thelbësore dhe të rëndësishme në shoqëritë demokratike, ku respektohen të drejtat e njeriut dhe ku ka shqetësim për vazhdimësinë e planetit.  Në pamundësinë për të qënë i tillë, Edi Rama ka gjetur rrugën më të thjeshtë, si gjithmonë. Nuk ka rast më të mirë, se fjalimi në OKB, për t’i shpalosur”botës”, një fasadë kaq brilante…