Rama në Malësi të Madhe: PD është në drejtim të paditur

571
Kryeministri Edi Rama zhvilloi sot një miting elektoral në Malësi të Madhe. Në fjalën e tij, kryeministri Rama tha se në këtë zonë kanë munguar prej vitesh investimet, ndërsa u shpreh se me votën e 21 qershorit do t’i jepet një frymë e re zhvillimi.
“Kemi projekte për zhvillimin e këtyre zonave. Por deri më tani asnjë kryetar bashkie apo komune nuk na ka trokitur në zyrë për të zgjidhur qoftë edhe një problem të vetëm për komunitetin që drejton’, tha Rama.
Duke folur për opozitën, Kryeministri Rama tha e ajo është një trupë cirku që shkon ën drejtim të paditur. “Nga krahu tjetër është një trupë cirku që shkon nëpër Shqipëri duke treguar përralla nga më të ndryshme. A thua se dritat do jenë qyl, taksat do hiqen, apo kështu me radhë. PD nuk flet fare për problemet me të cilat merret bashkia, po flasin për këto të tjerat. Si mund të bëjë një kryetar bashkie këtë që thonë këta, si mund të kthehet mbrapsht reforma territoriale. PD është në drejtim të paditur, sa nuk e ka shansin të tallet me vetveten, kujton se do gjejë nëpër Shqipëri budallenj që të dëgjojnë një përrallë me të cilët qytetarët u ndanë në zgjedhjet e qershorit 2013”, u shpreh Kryeministri Rama.
Rama theksoi se, “këto janë zgjedhje për familjet shqiptare, e jo për partitë. Këto zgjedhje kanë të bëjnë me nevojat e çdo familje e çdo qytetari”.
Ndërsa ka kërkuar votën e qytetarëve për kandidatin e Aleancës për Shqipërinë Europiane për këtë bashki, Tonin Marinaj, Rama tha se, edhe ata banorë që janë demokratë “Saliun të mbajnë për mbret, por për shërbëtor të zgjedhin Toninin”.
“Ne jemi të vetmit që dimë të bëjmë shtet, jemi të vetmit që t’i bëjmë punët ashtu siç duhet, dhe të çojmë vendin në drejtimin e duhur. Unë e di se këtu ka familje që kanë kushte të vështira ekonomike, që nuk kanë qoftë edhe një anëtar të familjes në punë. Por e di se ishin shumë më shumë ata që ishin të pashpresë para 18 muajsh. Ne nuk i kemi zgjidhur këto të gjitha, kemi shumë për të bërë, por ama i kemi vënë problemet në drejtimin e duhur të zgjidhjes së tyre”, vijoi kryeministri Rama.
Rama tha se Partia Socialiste ka treguar në 18 muaj se është në gjendje të ndërtojë shtetin, ndërsa me votën për Aleancën e së majtës më 21 qershor, premtoi investime si kurrë më parë në Malësinë e Madhe.
“Do ta keni shumë më të lehtë për të bërë zgjedhjen e duhur. Duke votuar për Toninin, detyrimi ynë ndaj jush do të jetë aq i madh sa do të jetë koha që ne do të kemi në dispozicion për t’ju shërbyer ju. Votoni Toninin që të bëjmë në 4 vitet e ardhshme për Malësinë e Madhe, sa ç’nuk është bërë në çerek shekulli për Malësinë e Madhe”, tha Rama.
Sigal