Rama në Lushnje: Murrizi burrë me mend, opozita nuk mund të fshihet …

600
Sigal

Kryeministri Edi Rama ka ironizuar nga Lushnja qëndrimin e PD-së për djegien e mandateve.

Rama tha se i vetmi burrë me mend në kokë doli Myslim Murrizi, i cili vendosi që të mos dorëzojë mandatin e deputetit.

“Ata dorëzuan mandatet duke i lënë demokratët pa përfaqësim, por këtu në Lushnje jo të gjithë demokratët janë të papërfaqësuar, pasi Murrizi doli si doli, atë nuk e di unë, por tregoi se ka mend në kokë. Dhe atë batutën që tha Murrizi, u nisët për të rrëzuar Ramën dhe më rrëzuat mua, do të doja ta thosha unë.

Ata qorra që i binin me kokë murit të Kryeministrisë, të nxitur nga qorrat s’kanë çfarë ti bëjnë murit të Kryeministrisë, i kanë rënë me këmbë ekonomisë, duke e penguar të ecë ashtu siç duhet, por kanë çuar mesazh të keq jashtë vendit.

I kanë dhëne mesazhin, mos hajdeni në Shqipëri të investoni sepse këtu njerëzit i bien murit me kokë. Lulit i shkoni mbrapa? Ata shkojnë mbrapa Lulit, se Luli shkon mbrapa Monikës. Këtu në Lushnje është për të thënë që: “O Zot mbroji shqiptarët nga blerja e votës”.

Zoti po të merrej me zgjedhjet, Monikës do i kishte rënë rrufeja. Gjëja parë që do bënte zoti do mbyllte Monikën në shtëpi”, tha Rama.
Në vijim, Kryeministri u shpreh se revolucioni i opozitës rrëzoi Murrizin, në vend që të më rrëzonte mua.

Në kuadrin e turit “Bashkia që duam”, Rama tha se opozita është e shkuara, ndërsa mazhoranca është e ardhmja. Sipas Ramës, opozita zgjodhi rrugën e mbrapshtë dhe ata do të pendohen. Kreu i Qeverisë theksoi se opozita braktisi betejën e programeve dhe konkurencës, pasi ata e dinë që beteja me ne nuk fitojnë dot.

“Ne i fitojmë zgjedhjet, jo sepse i blejmë, por se jemi më të mirë se ata. Ne nuk do të tërhiqemi nga kontrata që kemi me shumicën e shqiptarëve, pasi ne nuk mund të tërhiqemi nga detyrimi që kemi marrë për ta çuar deri në fund reformën në drejtësi.

Ky është lepuri i madh i frikës për ata që ikën nga Kuvendi dhe protestojnë para derës, pasi mendojnë se do të fshihen mes popullit, kur të vijë dita që të japin llogari para drejtësisë së re”, tha Rama.

Kryeministri tha se Pallati i drejtësisë po pastrohet nga ata që e shikonin drejtësinë për të zhvatur qytetarët.

“Të jeni të sigurtë që para drejtësisë së re do të përgjigjen të gjithë ata që kanë bërë zullume”, tha Rama.