Rama në Librazhd: Vota juaj, për të çuar para projektin tonë

575
Kryeministri Edi Rama prezantoi pasditen e së hënës kandidatin e Aleancës për Shqipërinë Europiane për Bashkinë e Librazhdit, Kastriot Gurra. Gjatë fjalës së tij, Rama vlerësoi kandidatin Gurra dhe theksoi se zgjedhjet e 21 qershorit nuk janë për të zgjedhur mes kandidatëve, por për të çuar projektin e ASHE-së para.
“Vendi kishte nevojë për reformën territoriale, ku më në fund i dhamë fund një copëzimi të territorit dhe shërbimesh. Dua ta them shumë qartë ne jemi aleancë e madhe. Një koalicion që shtrihet në një spektër të gjerë, por në bosht ka partneritetin strategjik PS- LSI, dy parti por një forcë e vetme udhëheqje. Kjo është arsyeja që ne në të gjithë Shqipërinë kemi kandidatë që janë kandidatët tanë pa dallim pavarësisht se janë propozuar nga LSI apo PS”, nënvizoi Rama
Rama u ndal tek opozita, duke ritheksuar se ajo nuk u ofron asgjë shqiptarëve. “Çfarë pune? Çfarë mirëqënie pret nga një parti që ka dalë në zgjedhjet vendore dhe nuk thotë asgjë për kandidatët, se çfarë do të bëjnë ata?! Që nuk flet për ujitjen, transportin, plehrat, e kështu me radhë?! Thonë vetëm një gjë, na votoni ne që të kthehemi aty ku ishim se nuk shtyhet më duke paguar drita, duke ndërtuar me leje”, tha Rama.
Rama kërkoi votën e gjithë simpatizantëve të Partisë Socialiste dhe partive të tjera të koalicionit të gjerë për kandidatin e majtë, por edhe për këshillat bashkiakë. “Nga ana tjetër këto zgjedhje janë edhe për kuvendin vendor. Që këshillat bashkiak të kthehen në forume përfaqësuese. Për këtë arsye nëse vota për kandidatin është një votë e bashkuar, ajo për këshillin është për partinë. Zgjedhjet e 21 qershorit nuk janë zgjedhje mes Kastriotit dhe kush është tjetër përballë se as nuk e di as më intereson, por zgjedhje për të çuar para projektin tonë”, u shpreh Rama.
Sigal