Rama në Libofshë për programin “100 fshatrat”, banorët e presin me protesta, duke i bllokuar rrugën

456
Sigal

Jakup B. GJOÇA

Dje kryeministri Rama filloi turin në Qarkun e Fierit, duke u ndalur në Libofshë, për të diskutuar për programin kombëtar “100 fshatrat”. Kryeministri Rama tha se vendi ka më shumë se 100 fshatra dhe është me mjaft rëndësi për të transformuar një potencial të fjetur në burim të ardhurash për çdo familje. Më tej kryeministri Rama në fjalën e tij para banorëve të Libofshës tha se modeli 100 fshatrat shërben si një model zhvillimi ekonomik dhe social.

Kryeministri Rama ironizon gratë: Vallëzoni edhe për ato që janë në protestë

Në kuadër të festës së 8 Marsit, kryeministri Edi Rama po zhvillon një takim me femrat e qytetit të Fierit. Rama i ftoi në kërcim gratë e pranishme në takim, ku nuk kurseu edhe batutat. “Për 8 marsin, a është festë apo protestë. A duhet ta festojmë 8 marsin, apo duhet të lëmë gratë të protestojnë kundër nesh. Këtë dilemë e zgjidhi Gramozi, tha hajde shkojmë në Fier, se atje gratë janë edhe për festë edhe për protestë. Ashtu, siç dua t’i shpreh admirimin të gjitha grave që punojnë në sektorin privat. Edhe ato të angazhimit në familje, për të mbajtur burrat në formë për punë. Gaz, Gjej një muzikë për vallëzim. Jo nga ai vallëzimi grua më grua. Po për të gjitha gratë, festë dhe protestë. Futeni të gjitha këtu për vallëzim, jo për të më shqyer mua.”, -tha Rama.

Rama zbulon emrin e kandidatit për kryebashkiak për Bashkinë e Fierit

Pas vendimit për të rikandiduar Erion Veliajn për kryebashkiak të Tiranës, nga Libofsha, kryeministri Rama ka konfirmuar emrin e Armando Subashit për një mandat të dytë në krye të bashkisë së Fierit. Veç Veliajt, kryetari i PS-së Rama ka rikonfirmuar edhe emrin e Sotiraq Filos në Korçë, ndërkohë në Elbasan, PS duket se ka vendosur që të kandidojë me një emër tjetër. Ndërsa gjatë kongresit të 23 marsit të PS, pritet të bëhen publike dhe kandidatë të tjerë socialistë për zgjedhjet lokale. Në Shkodër përflitet Senida Mesi. Ditën e protestës së opozitës në 16 shkurt, Rama shprehu mbështetjen e tij edhe për rikandidimin e Dritan Lelit në Vlorë, ndërsa nuk ka ende një vendim për bashkinë e Gjirokastrës.

Banorët në Roskovec dhe Patos bllokojnë rrugën: Rama ik!

Sado që kryeministri Rama përditë organizon kuvende me qytetarë dhe, nëpërmjet pamjeve që poston edhe në rrjetet sociale, përpiqet që të japë një imazh bashkëbisedimi me qytetarë, të cilët e besojnë dhe e përkrahin, e vërteta është krejt e kundërt. Tashmë, kudo ku kryeministri udhëton nëpër qytetet e vendit, banorët, sa e marrin vesh, dalin në rrugë për të protestuar fuqishëm kundër papunësisë, kundër korrupsionit, kundër arrogancës së administratës publike, kundër padrejtësive që ndeshin me drejtësinë e mohuar, etj. Edhe, dje, banorët e Roskovecit, e Patosit që në mëngjes bllokuan rrugën kryesore , duke deklaruar se kryeministri Rama është i padëshirueshëm për qytetin e tyre. Protestuesit e mbajtën për rreth një orë të bllokuar aksin hyrës, duke protestuar me thirrjet “Rama ik”, “Rama ik”, “Poshtë komunistët”, “E duam Shqipërinë pa Edi Ramën” dhe “E duam Shqipërinë si e gjithë Evropa”. Protesta e banorëve të Roskovecit detyroi kryeministrin Edi Rama të ndryshojë agjendën e ditës duke e shtyrë vizitën në kishën e Kurjanit për më vonë, duke shkuar në Vërçalli të Fierit.

Protestuesit janë përleshur me policinë në Fier

Protestë e fuqishme u organizua edhe në qytetin e Fierit, sa u përhap lajmi se kryeministri Rama do të shkojë në fshatin Vërçalli. Protestuesit në Fier për pak çaste kanë arritur të thyejnë kordonin e policisë, që i kishte ndërprerë rrugën. “Nuk jemi kundër policisë, nuk jemi kundër jush. Protesta është paqësore, nuk ka absolutisht asnjë shenjë dhune. Do t’i japim një mesazh kryeministrit të rrëzuar moralisht se ai nuk ka punë në Fier. Hapni rrugën se do kalojmë. Jeni vëllezërit tanë, kushërinjtë tanë, shokët tanë, bashkëqytetarët tanë.”, – ishin thirrjet e protestuesve. Policët u përgjigjën, duke përdorur dhunë kundër protestuesve.

Rilindësit bastisin shkollat në Fier, për të plotësuar aktivitetin e Ramës me karrige

Të gjithë militantët socialistë, janë angazhuar mbrëmjen e djeshme për të bastisur shkollat, me qëllim që të plotësojnë me karrige aktivitetin ku do të marrë pjesë Rama ditën e sotme. Ja çfarë shkruan qytetari: “E dinë këta që materialet dhe artikujt shkollore janë të ndaluara të përdoren për aktivitete politike? Po vinë dhe i marrin natën si hajdutë. Kjo pra është Rilindja. I vjedhin karriget natën, njësoj si votat. Turp! Doja të pyesja kryetaren e këshillit, që është dhe drejtoresha e gjimnazit “Janaq Kilica”, është në dijeni për këto akte?”

Policia e Shtetit hakmerret, arreston 30 protestues

Kryeministri Rama kishte një takim dje në Roskovec, por u anulua, ngaqë banorët protestuan fuqishëm dhe kërkuan: ‘Rama Ik!’ Mirëpo, pasdite, policia e Shtetit është hakmarrë, duke arrestuar 30 qytetarë, pse protestuan kundër kryeministrit, duke përfshirë sekretarin e Përgjithshëm Dritan Dogani, si dhe nënkryetarin Pelivan Bufi.