Rama në Kuçovë: Blindojeni votën për PS, nxitini të votojnë ata që dyshojnë

435
Sigal

Fushata e socialistëve vijoi mbrëmjen e djeshme në Kuçovë, ku u prezantuan kandidatët për deputetë për zgjedhjet e 23 Qershorit. Kryesocialisti Rama u kërkoi mbështetësve të Kuçovës që të nxisin për të marrë pjesë në zgjedhje çdokënd që dyshon, në mënyrë që, siç tha ai, vota për PS-në të blindohet. “Çdonjëri prej jush në 23 Qershor duhet t’i bëjë një shërbim të madh këtij vendi, duke mos shkuar vetëm në kutinë e votimit, por duke marrë me vete një tjetër, duke nxitur një dyshues dhe duke bërë që çdo votë të jetë dy vota. çdo votë të blindohet me një votë tjetër. Shikoni çfarë mund të bëni me votën. Me votën për nurin 44, kthehuni matanë vitit 44 kur s’kishte as ujë, as drita, por vetëm këneta. Me votën tek numri 29, të majtë e të djathtë qofshi do hiqni akcizën e naftës, taksën e sheshtë për plehrat kimike, farat dhe fidanët për të gjitha makineritë prodhuese”,- deklaroi Rama. Kryetari i PS-së renditi avantazhet e taksës progresive dhe theksoi vendosmërinë për aplikim të saj menjëherë pas ardhjes në pushtet të PS-së. “Saliu flet për një taksë të Zotit dhe thotë se taksën e sheshtë e keni nga Zoti. Pra Zoti ia paska thënë Saliut në vesh se mësuesja duhet të paguajë më shumë se ty, polici duhet të paguajë më shumë se ty, dhe ky i dërguari i Zotit nuk ka çfarë bën dhe thotë kjo është taksë shumë e ndershme. Jo mor Sali se me ty mësuesja merr 500 dhe paguan 50 kurse me ne do marri 500 dhe do paguajë vetëm 10 dhe do t’i kursejë 40 mijë lekë në muaj”,- tha Rama.

Rama në Çorovodë

Dëgjova që Saliu qenka në Çorovodë. Nuk e di se çfarë do t’i thotë popullit të Skraparit dhe nuk e di se si mund të jetë ndjerë që nga kthesa e Beratit, atje, në dalje të Lushnjës, deri aty ku ka mbërritur nëse ka mbërritur, nëpër këtë rrugë dhe nëpër këto rrugë që janë mjaft që, jo socialistët, jo progresistët dhe opozitarët, por dhe demokratët e thjeshtë të mos ia japin më votën, se nuk ka turp më të madh që i gjithë ky qark është kthyer në një xhep fallco me këtë rrugë të shkatërruara, që ngjajnë si rrugë pas një lufte, jo si rrugë pas 20 e kusur vitesh në demokraci. Këto rrugë janë akuza më e rëndë dhe më kuptimplotë që vjen nga ky qark për këtë qeveri, që pretendon se ka ndërtuar 10.400 kilometra rrugë. Në fakt 10.400 km janë shirita nuk janë rrugë, janë shirita inaugurimesh, nga 7- 8 herë të të njëjtës rrugë. Inaugurime nga 7-8 herë edhe të rrugicave, për të spekuluar dhe manipuluar me këtë popull me propagandë.

Rama në Berat

Kemi ardhur këtu që të zotohemi që do të merremi me Beratin shumë seriozisht, do ta fillojmë nga kjo kala këtu. Nga kjo kala, që sot nuk ka një punonjës të vetëm për mirëmbajte. Imagjinojeni, nuk ndodh kjo në asnjë vend dhe në asnjë shtet. Po ta kishin Beratin e 2400 vjetëve fqinjët tanë, të jeni të sigurt që do ta kishin bërë dritë për të ndriçuar dhe për të thithur turistë kuriozitetin, turistët e pafundmë me këtë mrekulli. Por, ja që në vendet fqinje ka shtet. Dhe kur them vende fqinje nuk kam parasysh vetëm fqinjët tanë tradicionalë si shtet, kam parasysh edhe shtetin më të ri Kosovën. Këtu s’ka shtet dhe ndaj Berati është katandisur, kështu, si është katandisur.   Ky shtet, ky pushtet, ky kryeministër që vjen vërdallë lart e poshtë, që sot ka ardhur edhe këtu dhe nuk di me çfarë fytyre po i del përballë këtij qarku, po i bëjnë Krujës atë që nuk ia bënë dy sulltanë dhe tre rrethime.

Rama siguron fermerët: Pas 23 Qershorit hallet tuaja do jenë dhe të mijat

Edi Rama, e zhvilloi sot “Këndin e Fjalës” në Kutalli të Beratit, ku iu përgjigj pyetjeve dhe shqetësimeve të banorëve të kësaj zone. Kryesocialisti Rama siguroi fermerët se qeveria socialiste do t’u qëndrojë përkrah për çdo problem dhe vështirësi. Rama ironizoi premtimet e kryeministrit Berisha duke thënë: “Sot keni përralla të freskëta se katragjyshi me antiplumb ishte në Skrapar dhe e dini çfarë tha, do ta bëjmë Osumin të lundrueshëm. Sot prapë premtoi rrugën për në Malin e Tomorrit. Sot premtoi edhe një gjë tjetër fantastike, do ndërkombëtarizojmë rakinë e Skraparit.”