Rama në Itali në festën e demokratëve italianë

439
Sigal

Dje, në orët e mbrëmjes, sipas burimeve të mirinformuara të “Telegraf” pranë Kryeministrisë, Kryeministri Rama është nisur për në Itali, për një vizitë shumëditore. Po, sipas këtyre burimeve të mirinformuara, Kryeministri Rama, i cili shoqërohet nga deputetë të PS-së, do të marrë pjesë në festimet e kryetarit të ri të porsazgjedhur të Partisë Demokrate Italiane, Mateo Renci, i cili është edhe kryetari i Bashkisë së Firences. Duhet thënë se PS-ja i dha një ndihmë të drejtpërdrejtë PDI-së, duke i vënë në dispozicion selinë e PS-në në Tiranë, duke organizuar një qendër votimi për të gjithë ata që kanë shtetësi italiane, qoftë italianë, por edhe emigrantë shqiptarë, të cilët kishin dëshirë që të votonin për kryetarin e ri të PDI-së, e cila është homologe e PS-së. Kryeministri Rama, në vizitën e tij shumëditore në Itali, do të marrë pjesë edhe në aktivitetet që do të organizojnë shoqata dhe forume të emigrantëve shqiptarë. Nuk përjashtohet që Kryeministri Rama, të zhvillojë edhe takim me zyrtarë të lartë të qeverisë italiane, edhe pse deri tani, një burim i tillë nuk është konfirmuar nga kryeministria jonë.  Po sipas këtyre burimeve të mirinformuara, Kryeministri Rama, do të kthehet në Atdhe, nga vizita e tij në Itali, ditën e shtunë.