Rama në Fier: “Berisha, fushatë me programin e PS-së në dorë”

486
Sigal

Fieri ishte ndalesa e radhës e PS-së, ku prezantoi programin e saj qeverisës, “Rilindje Kombëtare”. Në fjalën e rastit, para mbështetësve socialistë, kreu i PS-së, Edi Rama foli gjatë për programin e opozitës për rritjen ekonomike, punësimin, sistemin e tatimit, rendin dhe luftën ndaj korrupsionit. “Programi i Rilindjes do të nxirë projektin për ndihmë ekonomike, do të nxisë punësimin. Me një paketë prej 50 milionë dollarë realizohet një paketë financimi për rritjen e punësimit. Jemi mëse të kënaqur që po i japim mundësi Kryeministrit të vizitojë Shqipërinë, se këto 8 vjet nuk ka qenë në Shqipërinë reale, që vuan varfërinë, papunësinë, korrupsionin, rrënimin e gjithanshëm. Tani po e bën me programin tonë në dorë dhe përmes programit tonë po zbulon edhe çfarë mund të ishte bërë, por tani është shumë vonë.  Lideri i socialist shtoi se, PS-ja ka kohë që është angazhuar për ndërtimin deri në detaj të programit të saj për zhvillimin e vendit, i cili sipas tij, ka nevojë për një model të ri. Rama premtoi heqjen e tatimit mbi vlerën e shtuar dhe lehtësimin e barrës së taksave të tjera. “Kryeministri flet për ekonominë, po nuk përmend rrënimin social të Shqipërisë. PS-ja ka kohë që është angazhuar për formimin e programit të detajuar për zhvillim. Vendi ynë ka nevojë për ndryshim të modelit të zhvillimit. Në vitin 2012 ne kemi dorëzuar në Kuvend nismën për heqjen e TVSH-së”, -tha Rama, duke shtuar se, veç kësaj nisme, me ardhjen në pushtet të socialistëve, shqiptarët do të çlirohen edhe nga barra e taksës së sheshtë, që opozita e quan “taksë e padrejtë që penalizon 95 për qind të shqiptarëve. Për ne është e qartë që Shqipëria, sot, ka nevojë për një ndryshim jo thjeshtë të një qeverie me një qeveri tjetër, por për të ndryshuar modelin e vet të zhvillimit, për të bërë atë për të cilën ne ndryshuam sistemin. Duke u ndalur tek përplasja tregtare me Kosovën, ku Prishtina bllokoi qumështin e Shqipërisë, ndërsa Tirana pengoi importin e miellit kosovar, Kryesocialisti tha se, përmes bashkimit doganor Kosovë-Shqipëri do të shmanget ajo që ai e quajti miellofobi të kryeministrit për të siguruar monopolin e bizneseve të lidhura me qeverinë. “Nuk ka albanofobi, ka miellofobi, patatofobi të kryeministrit, ja pse ne do shkrijmë kufirin tregtar me Kosovën. Ai kufi nuk do të ekzistojë për çdo produkt të shqiptarëve të prodhuar këtej dhe andej kufirit”,- tha Rama. Ndërsa deputeti i PS-së, Ditmir Bushati, iu referua çështjes së integrimit të Shqipërisë: “Ne duam një Shqipëri më të mirë për 95% të shqiptarëve që sot janë të diskriminuar nga politikat e padrejta dhe të pabarabarta të qeverisjes së Sali Berishës. Duam një Shqipëri europiane, ku sistemi aktual të ndryshojë dhe jo ku të ndryshojnë klientët e qeverisë. Angazhimi ynë është statusi i kandidatit, marrja e statusit dhe çelja e negociatave një vit nga nisja e mandatit qeverisës të Partisë Socialiste.