Edi Rama fitorja e "Rilindjes" do të filloj nga Durrësi i Vangjush Dakos

Kryeministri fton të rinjtë të votojnë për Partinë Socialiste dhe përmend ndryshimet e bëra nga qeveria në katër vite

Kryeministri Edi Rama ftoi dje të rinjtë e Durrësit të votojnë për Partinë Socialiste më 18 qershor, duke i cilësuar si shumë të rëndësishme këto zgjedhje. “Kur kemi ardhur disa vite më parë, këtu në këtë Pallat Sporti, ky pallat ishte mbushur, por ishte mbushur me të gjithë. Ndërsa sot, ky Pallat Sporti është mbushur në radhë të parë, me votues për herë të herë të parë. Është mbushur me vajza dhe me djem që janë këtu, sepse e ndjejnë, e kuptojnë dhe e besojnë që është momenti që të luftojnë me votën e tyre, për veten dhe për prindërit e tyre”, tha Rama. Ai falënderoi të gjithë të rinjtë nga Kruja, nga Fushë Kruja, nga Shijaku dhe natyrisht nga Durrësi fitimtar i Vangjush Dakos.

“Sinqerisht nuk e kuptoj, po me Durrësin çfarë kanë?! Ua them unë pse-në. Me Durrësin, ashtu si me Tiranën, ashtu si me të gjitha bashkitë ku ne po transformojmë hapësirën e përbashkët dhe po i bëjmë komunitetet tona të ndihen në qytete europiane, ata kanë problemin e madh se ua vret sytë pastërtia, ua vret sytë bukuria. Ua vret sytë çdo rreze drite dhe shprese që ne sjellim në komunitetet e në qytetet tona dhe që të jeni të bindur, do të çojmë në çdo fshat të Shqipërisë, në katër vitet e ardhshme. E keni parë, sa herë Vangjushi fillon ndonjë projekt, nga ato projekte që janë pjesë e një vizioni për Durrësin e të ardhmes, mblidhen menjëherë dhe fillojnë protestojnë aty ku fillon ndërtimi i diçkaje të re. Si ka mundësi!”, u shpreh Rama. Kryeministri shtroi më pas disa pyetje. “Si nuk u mblodhën kurrë, aty ku kishte plehra dhe të protestonin pse ka plehra?! Si nuk u mblodhën kurrë, aty ku kishte gropa dhe të protestonim pse ka gropa?! Si nuk u mblodhën kurrë, aty ku po binin fasadat e godinave dhe të thoshin pse po i bie “lëkura” në tokë godinave ku jetojnë njerëzit?! Sepse midis plehrave dhe shesheve publike, ata zgjedhin plehrat. Midis gropave dhe rrugëve të shtruara e të ndriçuara, ata janë me gropat. Midis pamjes së bukur që sjell transformimi urban dhe pamjes së tmerrshme që na lanë në Shqipërinë që e qeverisën si mos më keq, ata zgjedhin pamjen e tmerrshme. Sepse ata mendojnë se shqiptarët nuk meritojnë më shumë”, nënvizoi shefi i qeverisë.

Për kryeministrin, “ata mendojnë se, sa më të varfër dhe sa më shumë halle të kenë njerëzit, aq më shumë mund t’i tërheqin për hunde. Ata mendojnë se ishte më mirë Durrësi i ri apo Këneta, kur nuk bënë asnjë legalizim, sesa sot që gjithmonë e më shumë qytetarë po bëhen pronarë të shtëpive të tyre”. “Është e pakrahasueshme shifra e shtëpive që u kthyen në prona në 8 vjetët e sundimit të tyre dhe shifra e shtëpive që po kthehen në prona, dita-ditës, në këto 3 vjet e gjysmë. Asnjë krahasim! Por nuk ka mbaruar, sepse ne nuk do të reshtim deri kur shtëpia e fundit të jetë bërë pronë e patundshme e prindërve që erdhën në Tiranë, në Durrës, në Vlorë, në Fier, në Shkodër, rreth qyteteve, për një jetë më të mire”, u shpreh kreu i socialistëve.

Ai nuk mungoi të bëjë edhe krahasimet me futbollin. “Kam një fjalë për tifozët e Barcelonës, mos u mërzisni fare, sepse ju keni Messi-n, ata kanë Saliun. Ju keni Neymar-in, ata kanë Lulin. As tifozët e Bayern-it nuk duhet të mërziten. Realin shohim e bëjmë më vonë. Po flasim për këto që i kanë mërzit pak shokët tanë. Në fund të fundit, miqtë e mi, futbolli është shfaqje. Ne të gjithë jemi spektatorë të shfaqjes. Nuk ka asnjë rëndësi, kur mbaron shfaqja, se kush fitoi e kush humbi. Ka rëndësi gëzimi i shfaqjes”, tha Rama. Sipas kryesocialistit, beteja për 18 qershorin nuk është shfaqje dhe ne nuk jemi spektatorë. “Ne jemi të gjithë lojtarë në një fushë ku beteja bëhet për Shqipërinë që duam; për Shqipërinë që e duam me shtet; për Shqipërinë që e duam me punë; për Shqipërinë që e duam me mirëqenie; Për Shqipërinë ku prindërit tuaj, që punojnë në shtet, duhet të marrin dhe më shumë se saç marrin me pagat e rritura nga qeveria jonë dhe ku prindërit tuaj që punojnë në privat duhet të paguhen dhe më mirë se saç paguhen sot, apo ku prindër të tjerë që janë ende të papunë duhet të kenë mundësinë e një punë të ndershme për të mbajtur familjen tuaj”, tha Rama.

Për kryeministrin, “beteja e 18 qershorit është beteja e të gjithë vajzave dhe e të gjithë djemve, që duan të shkojnë në universitet dhe që nuk kanë një mbiemër të njohur, nuk kanë kushëri me pushtet, nuk kanë as para për të dhënë ryshfet”. “Me reformën tonë në arsim ua kemi hapur rrugën këtyre vajzave dhe djemve e nuk ka më kthim mbrapa. Por, nga ana tjetër, ne duam që vajzat dhe djemtë, që nuk shkojnë në universitet, të mos punojnë në bilardo, por të kenë mundësinë e arsimit profesional, që të marrin një zanat dhe me zanatin e tyre të punësohen në një biznes të vogël. Me zanatin e tyre të fitojnë para. Me zanatin e tyre ta shikojnë të ardhmen me optimizëm dhe me besim”, tha Rama.

Sipas Ramës, Europa që duam nuk është një udhëtim që Shqipëria do ta bëjë për të ikur nga këtu. “Europa që duam është të ndërtojmë këtu, një shtet si në çdo vend të Europës, të ndërtojmë këtu një Shqipëri që punon për të gjithë dhe ku kushdo përmes punës mund ta sigurojë mirëqenien. Një Shqipëri ku mundësia për mirëqenie nuk është privilegj, por është e drejtë e secilit. përmes dijeve, talentit dhe mundit të tij”, u shpreh kryeministri.