Rama në Dibër: Po bëjmë realitet rrugën e Arbërit, vota letra juaj me vlerë

391
Kryeministri i vendit, Edi Rama, i pranishëm në një aktivitet elektoral në qytetin e Dibrës u ka bërë thirrje qytetarëve të votojnë në drejtimin e duhur më 21 qershor, ndërsa e ka cilësuar votën si letrën më me vlerë të qytetarëve në demokraci. Sipas tij, sikur të mos kishte rëndësi vota dhe se kë voton, sot rruga e Arbrit do të ishte vetëm një premtim fantazmë i fushatave elektorale dhe jo një projekt i financuar që shumë shpejt do të lidhë Dibrën me Tiranën, siç e meriton Dibra dhe të gjithë shqiptarët. “Gjithçka që ka ndodhur në këto 18 muaj tregon se vota është letra më me vlerë që një qytetar ka në demokraci dhe investimi i asaj letre në drejtimin e duhur bën të mundur që shumë gjëra që duken të pamundura, të bëhen të mundura duke ecur sëbashku në drejtimin e duhur”, tha Rama.
Kreu i qeverisë foli edhe për familjet e qytetarëve, të cilat, me zgjedhjet e reja të 21 qershorit dhe nëpërmjet votimit të kandidatit të majtë për bashkinë e Dibrës, do të arrijë të bëjë gjëra që vetëm nuk i bën dot të mundura. “Më 21 qershor votohet për familjen, për cilësinë e jetës së familjes sapo del nga muret e shtëpisë, votohet për rrugët, për ujin e pijshëm që vjen në shtëpi, votohet për pastërtinë, për transportin urban, për çerdhen ku duhet të shkojë fëmija, për kopshtet, për shkollat, për hapësirat që u vihen në dispozicion të moshuarve, për të gjithë prindërit që duan të mos jenë të mbytur nga taksat, brutaliteti dhe arbitrariteti i qeverisë vendore”, deklaroi Rama.
Ai iu drejtua qytetarëve duke u thënë se secili duhet ta shohë votën e 21 qershorit si mundësinë që kushtet të përmirësohen, që shërbimet të përmirësohen, që jeta në komunitetin dhe bashkinë ku familja juaj jeton të përmirësohet. Sipas Ramës, nëse i shikojmë kështu zgjedhjet, ka një arsye të fortë për ta bashkuar votën në drejtimin e duhur e për ti dhënë familjes mundësinë të jetojë në një bashki ku punohet për të krijuar kushte për punësim, për argëtim për fëmijët e të rinjtë. 
“Asnjë herë më parë vota nuk ka qenë kaq e rëndësishme për fshatin në zgjedhje vendore. Fshati asnjëherë nuk ka mundur të marrë nga kreu i komunës atë për të cilën kanë nevojë, pasi komunat kanë qenë të vogla, të pafuqishme dhe të pamundura financiarisht të realizojnë ëndrrat e tyre. Familja që jeton në fshat sot do të jetë në qendër të vëmendjes së bashkisë dhe qeveria do ti mbështesë fuqimisht bashkitë, për ti dhënë fund historisë së pafundme të mungesës së ujit, të kanaleve kulluese. Do të çelim programin e punësimit në fshat”,- u shpreh ndër të tjera Edi Rama. 
Sigal