Rama në Bruksel fton opozitën që të rikthehet në Parlament

512
Sigal

BRUKSEL – Kryeministri Rama ka ftuar opozitën që të rikthehet Parlament, pasi janë plotësuar të gjitha kërkesat legjitime që kanë bërë. Këtë deklaratë Kryeministri Rama e ka dhënë gjatë konferencës për shtyp me Presidentin e Parlamentit Europian, Martin Shultz, i cili gjithashtu ka mbajtur të njëjtin qëndrim.

“Nuk flas asnjëherë për opozitën në anglisht, por dua të nënvizoj se ata duhet të kthehen në Parlament pasi kemi përmbushur kërkesat që ata pretendojnë si ligjore dhe janë të mirëpritur që të sjellin propozime të reja”- u shpreh Rama.
 
Ndërkohë që më herët Presidentin e Parlamentit Europian, Martin Shultz, theksoi se vendi i deputetëve është Parlamenti dhe për këtë ka nxitur edhe Ramën që të rikthehej në Kuvend kur ishte në opozitë.

“Duhen hapur kapituj. E kemi diskutuar edhe më parë kur z.Rama ishte në opozitë dhe nuk shkonte në parlament, por parlamentarët duhet të shkojnë në parlament, detyra e tyre nuk është që të qëndrojnë jashtë. Vendi i parlamentarit është brenda dhe jo jashtë. E kam nxitur z.Rama kur ishte në opozitë të hynte në parlament dhe të gjithë parlamentarët duhet të hyjnë në parlament.”- tha Schultz i pyetur nga gazetarët për rrugën që duhet të bëjë Shqipëria drejt BE-së.