Rama në Belsh: Mbështetje për kandidatin e ASHE, Arif Tafani

561
Kryeministri dhe njëherësh Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, ishte sot një miting elektoral në Belsh, ku mbështeti kandidatin e Aleancës për Shqipërinë Europiane, Arif Tafani.
Duke folur për opozitën, Rama u shpreh se, “dy herë që patën mundësinë ta qeverisnin Shqipërinë, një herë e fundosën në gërmadhën e piramidave dhe herën e dytë, për pak na hodhën në humnerën e borxheve dhe kolapseve energjetik. Por, akoma më keq, akoma më për turp, nëpër komunat ku drejtojnë, drejtojnë nëpërmjet ca agallarësh ordinerë, të cilët nuk kanë bërë asnjë punë tjetër përveçse janë marrë me grabitje pyjesh, me grabitje kullotash, grabitje tokash, me tjetërsime pronash, me grabitje fondesh. Unë po ju siguroj për një gjë, që pas 21 qershorit, kryetarët tanë të bashkive do të bëjnë auditimin e gjithë veprimtarisë së komunave dhe këta agallarët e Belshit do të ballafaqohen me drejtësinë”.
“Agallarët e Belshit vazhdojnë të vijnë vërdallë e kërcënojnë njerëz dhe kujtojnë se njerëzit do ju shkojnë nga mbrapa. Nuk ju shkon askush nga mbrapa, kush dëshiron që ta investojë votën e vet për t’u bërë ndonjë punë e mirë për familjen e tij dhe për komunitetin”, theksoi Rama.
Unë, vijoi kryeministri, “jam shumë i kënaqur për një fakt, që e bën këtë fushata më të bukurën që unë kam parë dhe unë kam parë jo pak fushata. Kjo është një fushatë ku si asnjëherë tjetër më parë ka një prani të jashtëzakonshme grash dhe vajzash, si asnjëherë tjetër më parë, gratë dhe vajzat edhe në zonat më të thella nuk po i presin zgjedhjet në shtëpi, por janë bërë pjesë e kësaj fushate. Ato janë kudo nëpër takimet e kandidatëve, nëpër dëgjesat publike, nëpër takimet e mëdha edhe nëpër sheshe, sepse si asnjëherë më parë, këto zgjedhje janë zgjedhje për gratë dhe për vajzat”.
Prandaj, theksoi Rama, “unë dua t’i bëj një apele të gjitha zonjave dhe zonjushave që janë këtu prezente, nënave e vajzave të tyre, gjysheve, që në 21 qershor të shkojnë të votojnë dhe të marrin me vete një fqinje, një kushërirë, një të njohur, një shoqe pune, një kolege, këdo qoftë dhe të mos lënë grua dhe vajzë pa votuar në çdo fshat. Sepse në 21 qershor, për herë të parë, Shqipëria do të votojë për të hyrë në familjen e vendeve të qytetëruara, duke çuar 50 % gra dhe vajza në kuvendet e reja vendore”.
Më në fund, nënvizoi kreu i qeverisë, “mbas kaq shumë vitesh mbaroi sundimi i burrave në këshillat e komunave, i ca të ashtuquajturve këshilltarë komunash që nuk kishin lidhje fare me komunitetin dhe me problemet e njerëzve, por kapnin ndonjë flamur partie rrugës, merrnin vota si të pavarur dhe merrnin peng kryetarin e komunës, duke i thënë më jep naftë të jap votën, apo më jep ndihmë ekonomike të jap votën për vendimet e kuvendeve vendore. Prandaj, unë jam i bindur se prania a e gjithë këtyre vajzave, barazia gjinore në kuvendet vendore do t’i japë shtëpisë së përbashkët, Bashkisë së re të Belshit, po atë ekuilibër që gratë dhe vajzat i japin shtëpisë në çdo familje. Duke pasur 50% gra e vajza, do të kemi 50% garanci se vendimmarrja do të jetë në drejtimin e duhur”.
“Këto zgjedhje janë po aq të rëndësishme edhe për fshatin. Fshati ka votuar shumë herë në zgjedhje vendore për komunat, por asnjëherë më parë nuk ka pasur mundësinëqë ka në 21 qershor. Komunat, edhe kur kryetarët e tyre kanë dashur të bëjnë punë, e kanë pasur shumë të vështirë, pasi komunat kanë qenë shumë të vogla, njësi të pafuqishme, me pak të ardhura dhe pa kompetenca. Ndërkohë që Arifi dhe Bashkia e re e Belshit do të jenë krah për krah me çdo familje në fshat, për të filluar për t’i dhënë fund krizës së ujitjes”, tha Rama.
“Jam së bashku me një tjetër mik shumë të çmuar, një njeri shumë të respektuar, profesor Edmond Panaritin, që është edhe Ministër i Bujqësisë, Arifi do të jetë krah për krah, edhe me mbështetjen time të plotë, për të zgjidhur më në fund edhe atë kancerin e duhanit, për të zgjidhur më në fund edhe atë hall të madh të të gjithë njerëzve punëtorë këtu, që mbetën peng i disa kompanive që kanë bërë çfarë kanë dashur, por po i vjen fundi edhe asaj historie. Ne do të vendosim kushte të qarta, kompanitë të fitojnë atë që i takon, por jo në kurriz të njerëzve dhe të familjeve që në fshat punojnë me duhanin”, u shpreh Rama.
Këto zgjedhje, theksoi Kryeministri, “janë për familjen tuaj. Unë po ju them se gjithë ky tmerr që ju shikoni kur dilni nga shtëpia, që është rezultat i katër viteve katastrofë, me një kryetar bashkie pa lidhje fare me punët tuaja, është arsyeja pse ju duhet të votoni në 21 qershor. Në 21 qershor janë zgjedhjet për familjet tuaja, sepse brenda mureve të shtëpisë e keni vetë në dorë edhe pastërtinë, edhe qetësinë, edhe harmoninë, por sapo dilni nga muret e shtëpisë nuk është më në dorën e secilit, por është në dorën e bashkisë, sepse rruga është bashkia, sepse uji në shtëpi është bashkia, plehrat, transporti urban, lidhja me infrastrukturë është bashkia”.
Sipas kreut të qeverisë, “të gjitha këto janë arsye që në familje të mos rrini e të mendoni që jam me këtë apo atë parti, por të mendoi që këtë letër e vlerë që është vota, ku do ta investoj, se vota është investim, kujt do t’ia besoj, kush do të ma kthejë këtë besim në zgjidhje të problemit që kam, se sa dal nga shtëpia bie në gropë bashkë me fëmijën e vogël, se nuk ka çerdhe, kopshte e shkolla e dinjitoze, siç ne prindërit i duam. Kush do jua zgjidhi këto? Vetëm Arif Tafani, vetëm Aleanca për Shqipërinë Europiane, me mbështetjen e fuqishme të qeverisë”.
Sigal