Rama në asamblenë e OKB, pritet të mbajë një fjalim, ja si renditet Shqipëria

602
Kryeministri Edi Rama, i shoqëruar nga Ministri për Evropën dhe Politikën e Jashtme Ditmir Bushat, ndodhen në Nju Jork, për të marrë pjesë në punimet e asamblesë së përgjithshme të organizatës së Kombeve të Bashkuara. Sesioni i 72-të, që u hap të martën do të përqendrohet tek tema: “Fokusi tek njerëzit: Përpjekjet për paqe dhe një jetë të mirë për të gjithë dhe një planet të qëndrueshëm”. Kreu i qeverisë shqiptare pritet që ditën e sotme të mbajë një fjalim, gjatë punimeve të kësaj asambleje që do drejtohet nga Miroslav Lajçak. Paralel me këtë sesion, do të zhvillohen edhe takime të tjera ku do të diskutohet mbi problemet e klimës dhe çështjet globale. Ndërkohë një ditë përpara fjalës së kryeministrit Edi Rama në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, rrjeti SDG ka publikuar një indeks, që mat progresin e 157 shteteve drejt objektivave të paracaktuar për vitin 2030. Këto objektiva u shpalosën në vitin 2015 dhe fokusohen në 17 fusha, secila prej të cilave përfaqëson një objektiv kyç të Organizatës së Kombeve të Bashkuara. Publikimi erdhi njëkohësisht me çeljen e atij që quhet debati i përgjithshëm e që do të zgjasë mes datave 18 dhe 28 shtator, e ku do të flasin me radhë liderët e të gjitha vendeve anëtare, përfshirë kryeministrin shqiptar, i cili pritet që ta mbajë fjalën e tij ditën e Mërkurë. Objektivat e zhvillimit të qëndrueshëm janë kryefjala e punimeve të asamblesë, dhe praktikisht kjo është kartolina me të cilën Rama do të përfaqësojë Shqipërinë. Por, me shifra, çfarë thotë OKB për Shqipërinë. Së pari, e vendos në vendin e 63-të në botë, ndër 157 shtete, sa i përket progresit drejt përmbushjes së këtyre objektivave, me 68.9 pikë në total, nën mesataren rajonale që fiksohet në 69.9 pikë. Në rajon ndërkohë, Shqipëria lë pas Malin e Zi dhe Bosnje Hercegovinën, ndërkohë që Maqedonia dhe Serbia përforcojnë bindshëm më mirë. Gjithsesi, më i rëndësishëm sesa krahasimi me rajonin është pikërisht progresi që Shqipëria ka bërë në këto 17 objektiva. Pikët minimale, pra progresin më të ulët vlerësohet ta ketë bërë në drejtim të inovacionit në industri dhe infrastrukturës, që është objektivi numër 9, me vetëm 24.6 pikë. Më pas ndjek objektivi i urisë zero dhe ai i jetës nënujore.
Sigal