Rama: Në 18 qershor për vetingun, PD në drejtim të paditur

518
“Kujtdo që mendon se parlamenti i ri do e ketë jetën e shkurtër pa PD, gabon, i them gabon, sepse liria e zgjedhjeve do prodhojë opozitën e re, ajo nuk është 1 apo 2 fytyra apo një elitë frikacakësh në krye të saj, por është elitë”.
Nga Durrësi ku mbajti Kongresin e Partisë Socialiste dhe nisi fushatën elektorale, kryeministri i vendit, ndërsa dha direktivat për kandidatët për deputetë, foli edhe për jetëgjatësinë e parlamentit të ardhshëm. Në këto zgjedhje vendi po hyn pa opozitën, por për shefin e qeverisë një fakt i tillë nuk përbën asnjë problem, për aq kohë, sa pranë tij do të shfaqet një tjetër opozitë. Është i bindur se parlamenti i dalë me votat e 18 qershorit do të jetë jetëgjatë, ndërsa gjatë fjalës së tij nuk mbeti pa ironizuar edhe Partinë Demokratike, e cila që prej 18 shkurtit vazhdon të jetë në çadër, duke deklaruar se nuk lëviz nga kauza e ngritur për zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe për futjen në këto zgjedhje pa Edi Ramën kryeministër. 

“Do jetë parlamenti i parë pa Saliun, por jo pa opozitë. Pas 27 vjetësh tamam si bilmezi që e gjen vetë rrugën, ashtu edhe Saliu pas 27 vjetësh cenoi çdo normë edukate njerëzore. Shkeli çdo porosi të kanunit, shau, shpifi dhe kërcënoi tërë dynjanë në një ditë më shumë se gjithë pijanecët e Shqipërisë në një vit. E rrëmbeu PD nga duart e studentëve në ’90, e çoi në humnerë në ‘97, e ringriti dhe tani e mbyti me duart e tij duke e kthyer nga një alternativë qeverisëse në një fantazmë të frikës nga drejtësia. Më besoni ju, në qoftë se ‘97 ishte rrëzimi tragjik i Shqipërisë për shkak të marrëzisë së Saliut, 2017 do jetë rënia tragjikomike për shkak të budallallëkut të Lulëzimit”. Programin qeverisës për 4 vitet e ardhshme e prezantuan njëri pas tjetrit ministrat, ndërsa Kryeministri u kujdes të përcjellë edhe një porosi të fundit: “Njësoj me ne nuk është askush sepse ne e kemi emrin PS. Përpara dhe vetëm përpara, të bashkuar”, tha Rama. Ironia nuk mungoi për Partinë Demokratike. “Është e pabesueshme, por është e vërtetë. Partia që lindi 27 vjet më parë nga aspirata për Shqipërinë si gjithë Evropa, Partia Demokratike, sot ka ikur në drejtim të paditur. Ka vendosur të dalë nga zgjedhjet, e udhëhequr nga frika. Një frikë e madhe, më e madhe sesa një kope lepujsh në bark, nga drejtësia. Mbyllur në një bunker plasmasi, prej ku ka shpallur luftën me mullinjtë e erës, tërë dynjasë, jo mua, as ne, po Shqipërisë, Gjermanisë, Bashkimit Evropian, Amerikës. Nuk duan zgjedhje, sepse nuk duan Veting-un. Nuk duan Veting-un, sepse nuk duan drejtësinë. Nuk e duan drejtësinë, sepse nuk flenë më gjumë, qysh se u detyruan ta votojnë Reformën në Drejtësi, korrikun e shkuar, me iluzionin se do të mbetej një tjetër letër që do ta merrte lumi i ligjeve të pazbatuara për çerekshekulli me radhë. Dhe e dinë këtë, e dinë shumë mirë. Pa votuar Vetting-un, nuk i dalin përpara asnjë shqiptari për t’i kërkuar votën. Prandaj duan të hedhin në erë zgjedhjet, për të hedhur në erë Veting-un, drejtësinë që po troket në derë, edhe me çmimin që të hedhin në erë përsëri Shqipërinë, ashtu siç bënë 20 vjet më parë, duke e shembur përtokë ekonominë e çdo familjeje shqiptare”, tha Rama në fjalën e tij.

Vendosën të vrasin veten.
“Çërçilli thotë: “Problemi me vetëvrasjen politike është se nuk vdes, por jeton tërë jetën me pendesën që e bëre”. Ashtu le të jetojnë! Vetë e zgjodhën politikën e inatit, tani le ta vuajnë inatin e politikës! Mua, s’e fsheh dot, as më dhimbsen, as më bëhet vonë sesa pishman do të bëhen ata, por më dhimbsen dhe shumë madje, votuesit e tyre. Njerëz të zakonshëm, qytetarë të këtij vendi, që për njëmijë e një arsye e shohin veten të lidhur me Partinë Demokratike. Më dhimbset, e shumë fare, Shqipëria, ku partia e opozitës sillet si një shoqatë anarkiste që s’do shtet, s’do ligj, s’do zgjedhje. E padyshim krijon një imazh jo të admirueshëm për vetë vendin tonë”, tha kryeministri.
Zgjedhjet do të bëhen
Rama u tha të pranishmëve në kongres se nuk do të vazhdojë më dialogun. Për të, zgjedhjet do të mbahen pa asnjë mëdyshje dhe se fletët e votimit tani kanë nisur të shtypen. “Mos e vazhdoni këtë kor, po ju lajmëroj, që sot fletët e votimit kanë fluturuar për t’u shtypur dhe zgjedhjet do të bëhen në 18 qershor. Përpara, drejt 18 qershorit dhe të thërrasim që të na bashkohet çdo qytetar dhe qytetare e këtij vendi, që mbi çdo flamur partie do flamurin kuq e zi të Skënderbeut dhe të Ismail Qemalit. Në këtë Ditë të Evropës dhe të nisjes sonë si një trup i vetëm drejt fitores për Shqipërinë që Duam, unë ju jap fjalën të gjithë shqiptarëve të zakonshëm, pa dallim partie, nga Tropoja në Konispol, në Greqi, në Itali, në Evropë, në Amerikë dhe kudo qofshin, se 18 qershori do të jetë dita e vetingut të popullit ndaj politikës së vjetër, të marrjes zvarrë të Shqipërisë në emër të interesave personale dhe partiake dhe parlamenti i ri do ta nisë jetën me zhbllokimin e Veting-ut, menjëherë pas krijimit të qeverisë së re”, tha Rama.
Një përgjigje për skeptikët e zgjedhjeve dhe parlamentin e ri
“Në këtë rrugë do të dëgjoni përditë shumë gjëra. Do të dëgjoni gjëra nga më të ndryshmet. Do të dëgjoni njerëz që do ju thonë se s’ka më kuptim, këtu s’ka garë, s’ka më kuptim, zgjedhjet janë të fituara, s’ka më kuptim, se Parlamenti i ri do ta ketë jetën e shkurtër, ngaqë PD është jashtë Parlamentit. Sot që PD ka ikur, ka më shumë kuptim se kurrë që ta shfrytëzojmë këtë boshllëk të lënë prej saj, për të plazmuar një unitet të ri, një unitet nën flamurin kuq e zi për Shqipërinë që Duam, me shtet për të gjithë, me punë për të gjithë, me mirëqenie për të gjithë. E kujtdo që mendon se Parlamenti i ri do ta ketë jetën e shkurtër, ngaqë PD-ja do jetë jashtë tij, gabon! I them gabon, se liria e zgjedhjeve do të prodhojë opozitën e re parlamentare. Opozita nuk është asnjë flamur partie, as një fytyrë, as dy fytyra, as një elitë frikacakësh në krye të saj. Opozita është nevojë e lirisë dhe partitë janë oferta në hapësirën e saj. Jetëgjatësia e Parlamentit të ri do të varet vetëm nga ne, vetëm nga aftësia e kësaj partie të madhe për të kuptuar sensin e historisë në këtë moment dhe për t’u kthyer nga partia e socialistëve, në shtëpinë e shqiptarëve përtej ngjyrave, simboleve, ideologjive të vjetra, në vatrën ku ka vend për çdo njeri të zakonshëm që e do Shqipërinë, në fuqinë reformuese dhe transformuese që mishëron ambicien e prindërve për fëmijët e Shqipërisë. Në qoftë se ne do të bëhemi shëmbëlltyra e ambicies së çdo prindi për fëmijën e vet, atëherë, ne do ta çojmë Shqipërinë më shpejt, më fuqishëm, aty ku e kanë ëndërruar baballarët e këtij kombi dhe aty ku e duan të gjithë njerëzit e zakonshëm të këtij vendi”, vazhdoi ai.
Puna e 44 muajve
“Çdo e metë, çdo dobësi, çdo gabim i këtyre 44 muajve, sot është një mësim i madh, një mësim më vete për 4 vitet që vijnë. Këta 44 muaj kemi bërë shumë, por kur e shoh përpara rrugën e 4 viteve që vijnë, çka kemi bërë deri këtu vlen vetëm për një gjë, për të besuar se aq shumë më shumë që mbetet për t’u bërë, ne dhe vetëm ne mund ta bëjmë. Dhe do ta bëjmë, me se s’bën! Engjëj nuk jemi, magjistarë nuk jemi, të pagabueshëm jo e jo, por ne jemi Partia Socialiste e Shqipërisë! Sepse e duam Shqipërinë dhe jemi këtu, në këtë parti, për Shqipërinë që Duam”, tha ai. 
Kanabizimi
Në fjalën e tij të gjatë zuri vend edhe kanabizimi i vendit. “Patjetër që kanabisi është një plagë e hapur, por sa shumë ka ndryshuar Policia e Shtetit në këto 44 muaj! Sa shumë ka ndryshuar shkalla e besimit të publikut te Policia e Shtetit! Nga një institucion i marrë fund, që ishte katandisur në një zhele dhe që nga qytetarët konsiderohej po aq i pabesueshëm sa gjykatat në vitin 2013, sipas anketimit të Komisionit Evropian, Policia e Shtetit është sot, institucioni më i besueshëm në Shqipëri, po sipas Komisionit Evropian në vitin 2016. Kjo nuk do të thotë që s’ka kanabis. Kjo nuk do të thotë që kanabisi nuk është një problem. Kjo as nuk e justifikon dhe as nuk e mbulon dot plagën e kanabisit dhe nevojën për shfarosjen e këtij mikrobi të keq nga trupi e Shqipërisë, bashkë me spastrimin e çdo elementi të infektuar nga ky mikrob në trupën e Policisë së Shtetit. Po ju them një detaj. E dini çfarë i thashë edhe Lulzim Bashës në takimin që pata, kur më përsëriste përrallën e qeverisë teknike për të luftuar kanabisin? I thashë: “Mos u lodh se ky vit është epilogu i luftës sonë me këtë fenomen dhe, jo vetëm Shqipëria do të dalë prej këtij viti, tejet e lehtësuar nga kjo plagë, por dhe Policia e Shtetit do të dalë më e pastër dhe më e fortë prej kësaj lufte”, tha Rama.
Ahmetaj: Premtojmë 220 mijë vende të reja pune
Në Kongresin e PS mbajtur në Durrës folën edhe disa nga ministrat aktual. Ministri i Financave Arben Ahmetaj deklaroi, se në katër vitet e ardhshme do të ketë shtim të vendeve të reja të punës. “Ne garantojmë 220 mijë vende të reja pune në mandatin e dytë dhe ulim për herë të parë papunësinë në nivelin një shifror. Është për t’u theksuar dhe me këmbëngulje, që Reforma në Drejtësi do të bëjë të mundur uljen e papunësisë, më shumë punë, më shumë mirëqenie, më shtet të fortë për qytetarët. Në fund të mandatit do të kemi rritur pagat me 40 %, pagat e të gjithë punonjësve buxhetorë; dhe do të rrisim pagën minimale në 30 mijë lekë. Ne tani sa rritëm pagën minimale në 24 mijë lekë, pra me 9 %, dhe në fund të mandatit do ta kemi rritur me 30 mijë lekë. Për të thënë në shifra konkrete: do të përfitojnë 315 mijë qytetarë, rreth 22.5 miliardë lekë vetëm nga kjo rritje page”, tha Ahmetaj.
Sigal