Rama-Meta: Rëndësi procesi jo rezultati, zgjedhjet më të qeta!

423
Dy drejtuesit kryesorë të Aleancës Shqipëria Europiane kryetari I PS-ë njëkohësisht kryeministër dhe kryetari I LSI-së Ilir Meta ndodhen në një konferencë të përbashkët për shtyp dy ditë nga e diela e 21 qershorit.
“Buxheti i shtetit nuk u bë pjesë e shpenzimeve elektorale dhe shpenzimet nuk u frynë dhe as nuk u deformuan për shkak të fushatës” tha Rama.
Rama: “Nuk ka përdorim të fëmijëve në fushatë por thjesht një përzgjedhje të natyrshme të fëmijëve me eventin që është tërësisht e pashmangshme. Nuk janë partitë tona që i veshin bluzat e fushatës fëmijëve por janë prindërit”
I vetmi rast i blerjes së votës, ai i kryebashkiakut të Vorës
Lidhur me pretendimin e opozitës për blerje votash, Kryeministri tha se i vetmi rast që tashmë është nën hetim është ai i kryetarit të Bashkisë së Vorës. “Sa i përket blerjes së votave, kemi vetëm një konstatim konkret me dëshmitarë konkret, të cilët janë pjesë e një hetimi konkret dhe bëhet fjalë për përpjekjen për të blerë vota nga ana e Bashkisë së Vorës. Nuk kemi asnjë rast tjetër. Historitë me zëra, me video ku nuk duket kush i thotë çfarë dikujt, duken si të bëra në Konostudion e SHQUP-it. Mund të kenë bazë, mund të mos ketë, por është e kotë tu hyjmë këtyre muhabeteve. Raste të tjera ne nuk dimë. Për çdo rast ne jemi absolutisht të gatshëm që të veprojmë siç ka vepruar në këtë rast dhe për çdo rast tjetër”.
Në fund Rama adresoi dhe një apel ndaj qytetarëve për pjesmarrje në votime
Unë kam dëshirën dhe detyrimin tu bëj thirrje të gjithë shqiptarëve të votojnë në 21 qershor, të votojnë të lirë, të votojnë alternativën që ata preferojnë, partinë që besojnë, kandidatin që dëshirojnë, por të votojnë. Të votojnë sepse në 21 qershor nuk janë zgjedhje vendore si ato që kemi pasur dhe as ato që do kemi. Janë zgjedhje që kanë të bëjnë me vulosjen nga ana e popullit sovran të reforëms së madhe historike të administrimit të territorit. Po ashtu thirrja ime e përsëritur për gratë dhe vajzat të marrin pjesë në votim sepse si asnjëherë më parë gratë kanë 50% të pjesmarrjes në Kuvendet e reja vendore”.
Incidentet jane ndjekur rigorozisht nga Policia 
Rama: Incidentet si ato incidenti në Ersekë, ku një person hodhi karrige në drejtim të turmës së PD-së janë raste që janë ndjekur me rigorizet maksimal nga policia e shtetit dhe janë ndëshkuar siç e parashikon ligji. Ndërsa historitë me fotografi me kamioncinë, apo makinë policie me flamur të Ps-së ku nuk ndodhet kryetari I PS-së as ai I LSI-së këto janë qesharake, por nëse erdhi dita kur të diskutojmë dhe këto atëherë kemi shkuar shumë larg. 
Pjesë nga deklarata e Rames gjate konferences
Asnjë presion politik mbi administratën, PD u merrte kartat
Së dyti administrata e shtetit në asnjë rast nuk është vendosur në rresht nga Drejtoritë e Burimeve Njerëzore siç ndodhte deri në fushatën e shkuar dhe nëpunësit e shtetit në asnjë rast nuk janë gjendur nën presionin imponues për të qenë të pranishëm në kuadrate të përcaktuara mitingjesh apo për të dorëzuar kartën e identitetit siç ndodhte në të shkuarën për shkak se dyshohet se janë kundërshtarë të pandreqshëm dhe kështu e linin kartën e identitetit te Burimet Njerëzore të premten për ta marrë të hënën, që të mos shkonin në votim.
Ushtria jashtë fushate, në 2013 hidhte çakull në fshatra për vota
Së treti, ushtria shqiptare nuk është përfshirë në asnjë veprimtari të natyrës që keni parë në zgjedhjet e shkuara, sidomos në 2013, ku Ministri i Mbrojtjes u bë Drejtor i Përgjithsëm i punëve komunale të Shtabit Elektoral të PD dhe forcat xheniere u kthyen në forca që merrnin çakull nëpër lumenj dhe e hidhnin nëpër fshatra për të marrë vota.
Buxheti i shtetit, jo pjesë e shpenzimeve elektorale
Së katërti, për herë të parë buxheti i shtetit nuk u bë pjesë e shpenzimeve elektorale dhe shpenzimet nga buxheti nuk u frynë dhe as deformuan për shkak të fushatës, një shqetësim shumë i madh i krijuar në të shkuarën në buxhet dhe vitet fiskale që pasonin zgjedhjet për shkak të gropave që hapeshin thjesht dhe vetëm për qëllime elektorale, gropat financiare. Rast tipik fushata e 2013 që hapi një gropë të madhe borxhesh dhe historish, të cilat ende nuk i kemi mbyllur dot hesapet.
Në 2013 energji falas për vota, OSHEE vijon aksionin kundër paligjshmërisë
Nënvizoj këtu një tjetër element sesi shteti në këtë fushatë ka qenë terësisht i ndarë nga qëllimet tona si parti të koalicionit dhe ambicja jonë për të fituar zgjedhjet. Nga janari 2013 deri në gusht, Kompania e Shpërndarjes së Energjisë Elektrike ka akumuluar 220 milion dollarë borxh, borxh elektoral, duke jetuar jo vetëm shtimin e vjedhjeve dhe lidhjeve të paligjshme por dhe duke marrë pjesë dhe vetë me inxhinierë dhe elektriçistë për të dhënë energji falas me qëllim marrjen e votave. Në këtë fushatë OSHEE ka vijuar punën normalisht si një kompani që nuk është pjesë e fushatës, as aset i partive politike në pushtet, por kompania e të gjithë shqiptarëve.
S’ka përdorim të fëmijëve në fushata nga asnjëra palë
Së fundi, në konstatimet edhe tuajat dhe vëzhguesve thuhet rëndom që fëmijët përdoren për fushatë, më vjen keq është konstatim që nuk qëndron për arsye se nuk di ndonjë metodë sesi mund të rrethohen vendet ku zhvillohen takimet elektorale dhe të pengohen fëmijët të jenë pjesë në gjithë atë turmë njerëzish që vinë dhe me fëmijë. Nuk ka përdorim të fëmijëve në fushatë, ka thjesht një përzierje të natyrshme të fëmijëve me eventin që është krejt e pashmangshme. Nuk janë partitë tona që u veshin fëmijëve bluza fushate, janë prindërit, familjet në një lloj procesi gjysëm feste dhe gjysëm sportive si fushata. A është kjo një gjë normale, mbase jo. Por nuk ka lidhje me përdorimin politik të fëmijëve. Besoj se në këtë rast e njëjta gjë vlen edhe për palën tjetër.
Fushata më e qetë, pretendimet e PD artificiale
Sa i takon pretendimeve të tjera, me keqardhje kemi konstatuar se në terësinë e pretendimeve të PD për mosmbarëvajtje të fushatës, pjesa më e madhe janë terësisht artificiale dhe më ngjan si përpjekje për të nxitur një lloj tensioni që nuk ka fare hapësirë. Të gjithë jemi dëshmitarë që kjo është fushata më e qetë që kemi zhvilluar ndonjëherë.
Rama për akuzat e PD: Të vetmet pretendimr të drejta legalizimet dhe “Erseka”
Pretendimi që në konsideratën time ka qenë i drejtë dhe unë e kam konsideruar të gabuar dhe kemi marrë masa menjehërë ka qenë përfshirja në dy apo tre raste e kandidatëve në dhënien e lejeve të legalizimit, ka qenë pretendim i drejtë.Ne e kemi ndaluar menjëherë, nuk ka qenë dicka e qëllimshme, por thjesht një inerci që ka cuar në një gabim n ga ana jonë.
Po ashtu për pretendimin që kanë qenë të lidhura me akte realisht të patolerueshme si incidenti në Ersekë, ku një person ka hedhur karrigen në drejtim të turmës së kryetarit të PD janë raste që janë ndjekur me rigorizitetin maksimal nga policia dhe janë ndëshkuar si parashikon ligji. Pastaj historitë me fotografi, bëj një fotografi me një makinë që ka miell dhe ka një flamur të PS, bëj fotografi me një makinë policie që ka flamur të PS, bëj fotografi me grup të rinjsh të LRI në një oborr shkolle ku nuk duket gjëkundi as kryetari i LSI, as kryetari i PS, as ndonjë miting, këto janë qesharake.
Unë besoj se janë dhe tregues të rritjes së standartit, sepse nëse erdhi dita që ne të diskutojmë një fotografi të një grupi të rinjsh të veshur me bluzat e LRI në një oborr shkolle do të thotë se kemi shkuar shumë përpara në krahasim me dy vjet përpara ku në oborrin e shkollës ishte Kryeministri që iu çirrej nxënësve duke u këkruar ndihmë që të bindnin prindërit e tyre që duhet të shkonin përpara bashkë me ta, pra jemi në dy botë të ndryshme.
Kam pasur unë një sërë ankesash, më e fundit para 2 netësh nga organizata të PS të angazhuara në fushatë që policia ju ka marrë banderola dhe flamuj që donin ti vinin në oborrin e spitalit ushtarak në Laprakë. Pra policia ka vepruar në mënyrë rigoroze në të gjitha ato raste ku ka parë shkelje të ligjit dhe nuk ka parë ngjyrën e flamurit, por punën e vet.
Sigal

Deklarata e Kryetarit të Kuvendit, z. Ilir Meta gjatë konferencës së përbashkët për shtyp me Kryeministrin, z. Edi Rama

Edhe unë dua të shpreh kënaqësinë që jemi sot sëbashku me Kryeministrin dhe Kryetarin e Partisë Socialiste përballë jush në këto pak orë që na ndajnë nga 21 qershori. Dua dhe unë të përfitoj nga rasti për të falënderuar të gjithë qytetarët tanë që kanë qenë pjesë e një fushate model, jashtëzakonisht të qetë dhe të kulturuar siç i takon çdo vendi evropian. Njëkohësisht theksoj rëndësinë e madhe të mbarëvajtjes së mëtejshme të fushatës, por sidomos të procesit të votimit dhe të numërimit, në mënyrë që të fitojnë të gjithë qytetarët shqiptarë duke arritur standardet më të larta evropiane në 21 qershor. 
Besoj se një standard shumë i rëndësishëm është pjesëmarrja. Ndaj unë do të dëshiroja ashtu sikurse u shpreh dhe Kryeministri Rama t’u bëj thirrje të gjithë qytetarëve shqiptarë të mos mungojnë në këtë ditë votimit sepse kjo nuk është një ditë e zakonshme, është një ditë historike. Ndan Shqipërinë e një periudhe të vjetër të keqorganizimit administrativ dhe territorial me Shqipërinë e një epoke të re , të një reforme madhore që do të hyjë realisht në fuqi me votën e mbarë qytetarëve shqiptarë në 21 qershor dhe që do të krijojë mundësi të shkëlqyera për standarde të reja në shërbimin ndaj qytetarëve tanë dhe për zhvillimin e 61 komuniteteve të bashkive të reja të vendit tonë. 
Pjesëmarrja mendoj se është e domosdoshme në mënyrë që askujt të mos i mbetet merak në të ardhmen që nuk u bë pjesë e këtij momenti historik për Shqipërinë dhe tek ata që vijnë.
Së dyti, e dimë që ai nuk voton, nuk ka dhe shumë të drejtë që të ankohet nesër. Prandaj të gjithë duhet të marrim pjesë në mënyrë që të kenë të drejtën për të kërkuar llogari ndaj drejtuesve të ardhshëm të bashkive dhe të këshillave bashkiake që bëhen realisht parlamente vendore. 
Sigurisht që është mjaft e rëndësishme që qytetarët shqiptarë në 21 qershor të votojnë të lirë, të pandikuar nga çdo formë presioni apo shantazhi. Është e domosdoshme që të gjithë komisionarët, të gjithë vëzhguesit, të garantojnë proces normal, të evitojnë çdo lloj ndikimi përpara dhe gjatë momentit të votimit sepse kjo është shumë e rëndësishme dhe është e domosdoshme. Njëkohësisht ftojmë çdo qytetar shqiptar të denoncojë çdo formë presioni, përpjekje për deformim apo për blerje të votës dhe e ftojmë policinë dhe prokurorinë të veprojë ndaj çdo rasti të tillë kudo që kjo gjë do të shfaqet. 
Njëkohësisht, i ftojmë të gjithë qytetarët të votojnë të pandikuar nga askush, përfshirë dhe familjen e tyre. Sepse secili duhet të shprehë bindjen e tij, besimin tij dhe të ketë të drejtën e votës së tij. Është shumë e rëndësishme mendoj që organet ligjzbatuese, siç janë Policia e Shtetit të vazhdojë të garantojë me paanësi rendin dhe sigurinë, të godasë pamëshirë dhe pa hezitim çdo element kriminal që përpiqet të ndikojë përpara apo gjatë procesit të votimit, kushdo qoftë, dhe ndaj kujtdo që ai përpiqet të veprojë. 
Për ne , e theksuam edhe më parë, e theksoi edhe z. Rama, kanë rëndësi standardet e zgjedhjeve, jo rezultati i tyre. Njëkohësisht do të ftoja të gjithë komisionerët dhe sidomos të gjithë numëruesit dhe të gjithë vëzhguesit që të vazhdojnë me qetësi dhe me durim procesin deri në fund dhe të mbrojnë votën e çdo qytetari shqiptar. Asnjë votë nuk duhet të deformohet, as përpara se të fillojë votimi, as gjatë procesit të votimit dhe padyshim as gjatë procesit të numërimit. Kjo është shumë e rëndësishme sepse ne e dimë se sa e rëndësishme është edhe një votë në demokraci, aq më tepër në zgjedhjet vendore. Dhe përveç saj, do të ftoja dhe gjithë mediat që siç kanë vepruar deri më tani, të kontribuojnë për të garantuar transparencën e plotë të procesit të këtyre dy ditëve përpara se të fillojë procesi i votimit, gjatë procesit të votimit, gjatë procesit të numërimit. Ju jeni një garanci e madhe e transparencës së gjithë këtij procesi deri më tani, por sidomos e transparencës së këtij procesi gjatë dy ditëve të ardhshme. Dhe njëkohësisht mirëpresim gjithë vëzhguesit ndërkombëtare dhe vëzhguesit vendorë që të jenë kudo ku kanë mundësi në mënyrë të veçantë atje ku kërkon opozita. Dhe në ato zona që i konsiderojmë si prioritare për t’u vëzhguar, ua kemi paraqitur dhe do t’ua paraqesim,por besoj që edhe ju vetë si media do të jepni kontribut vendimtar për gjithë transparencën e këtij procesi dhe në mbarëvajtjen e tij. Këto janë zgjedhje të rëndësishme për qytetarët shqiptarë, janë zgjedhje të rëndësishme për 61 komunitet, ku në 22 qershor absolutisht që ne jemi të bindur që këto zgjedhje do të jenë festë për demokracinë, pavarësisht nga rezultati. Shpresoj që të gjithë të jenë të qetë, të gjithë të jenë të duruar dhe të gjithë të kontribuojnë në mënyrë konstruktive për mbarëvajtjen e këtij procesi. Fushatën e kemi bërë të gjithë deri tani. Tani duhet t’i lëmë shqiptarët të votojnë në mënyrë më të qetë, të kenë kohë të mendojnë, të reflektojnë edhe njëherë deri në 21 qershor. Ju faleminderit. 
Z. Meta mund të bëni një parashikim sot se sa do të jetë numri i bashkive të fituara nga koalicioni i majtë?
Nuk jemi këtu për të bërë orakullin e zgjedhjeve dhe të rezultatit të tyre. Jemi këtu për të shprehur vendosmërinë tonë për t’i shërbyer standardeve më të larta në këto zgjedhje dhe mund t’ju them se nuk do të mërzitesha fare sikur opozita t’i fitonte të 61 bashkitë. Rëndësi për ne ka standardi.
Vutë theksin tek nevoja për të pasur zgjedhje me standarde dhe sot opozita shqiptare ka një shqetësim që janë votuesit fiktivë, veçanërisht në Durrës ku ju edhe do të përmbyllni sot fushatën. Ka garanci opozita dhe qytetarët shqiptarë se të paktën nga komisionerët tuaj nuk do të lejohen votues fiktivë ditën e dielë në zgjedhje?
Ju e dini që unë gjithnjë shpreh shqetësimin për standardet e dyfishta që përdor opozita si përsa i takon çështjes së dekriminalizimit, ku sapo u sqarua edhe çështja e Yllit të Europës dhe të Botës, ashtu edhe përsa i takon çështjes së votuesve fiktivë, pasi siç e dini, gjendja në Bashkinë e Vorës është shumë e rëndë dhe kritike se ato të Durrësit dhe të Kavajës po të kemi parasysh numrin në raport me numrin e përgjithshëm të zgjedhësve të shtuar, rreth 600. Është shumë herë më i madh se sa në Durrës apo se sa në Kavajë dhe vetëm një noter ka firmosur 500 kontrata fiktive, çështje e cila i është kaluar Prokurorisë dhe do të ndiqet deri në fund. Prandaj, ne do t’i shkojmë deri në fund zbatimit të ligjit. Natyrisht komisionerët kanë për detyrë të zbatojnë vetëm ligjin. Besoj se këto janë zgjedhjet më të qeta që ka zhvilluar ndonjëherë vendi ynë. Përpjekjet për të inskenuar incidente dhe për t’i trajtuar ato politikisht janë të dështuara. Ne edhe këto dy ditë do u bëjmë thirrje të gjithë anëtarëve, simpatizantëve, votuesve tanë, qytetarëve shqiptar, komisionerëve, numëruesve të ruajnë qetësinë, që të mos bien preh të asnjë lloj inskenimi dhe ngjarje të fabrikuar që kërkon të dëmtojë artificialisht klimën jashtëzakonisht të qetë, demokratike dhe evropiane zgjedhore. Ndërkohë, besoj se edhe opozita duhet të shprehet se edhe për të janë më të rëndësishme standardet se sa rezultati. Njëkohësisht çdo problem që shfaqet duhet ndjekur në rrugë ligjore, jo në rrugë propagandistike sepse e theksoj edhe një herë, opozita i bën një dëm të madh në radhë të parë vetes së saj dhe sidomos disa kandidatëve të saj të spikatur të cilët konkurrojnë për të fituar sepse në mënyrën se si po e bën fushatën duke vënë theksin te incidentet të cilat në të shumtën e rasteve nuk kanë ndodhur dhe në të paktën e rasteve keqinterpretohet, demotivon edhe votuesit e saj dhe lë në baltë edhe kandidatët e saj. Ne besojmë se për çdo gjë duhet t’i referohemi Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, komisioneve zonale, t’i referohemi Policisë së Shtetit, t’i referohemi Prokurorisë, pra institucioneve që kanë këtë përgjegjësi të zbatojnë ligjin në mënyrë të paanshme në interes të këtyre zgjedhjeve të nivelit më të lartë evropian që jam i bindur që do t’i realizojmë të gjithë së bashku me kontributin e mediave.