Rama-Meta prezantojnë Bazhdarin: Mbështesim ata që kanë projekte

428
SHKODER – Edi Rama dhe Ilir Meta kanë prezantuar sot kandidaten e tyre për bashkinë e Shkodrës Keti Bazhdarin.
Kreu i parlamentit Ilir meta u shpreh se projekti që ka Keti bazhdari për këtë bashki është një projekt jo i mbështetur në ideologji por një projekt që është krijuar në Shkodër dhe për Shkodrën.
Meta theksoi se Shkodra gjithnjë ka ditur të japi mesazhe të forta ndryshimi, transformimi e emancipimi për këtë vend dhe beson se këtë gjë do ta bëj shumë mirë edhe në 21 qershor.
“Është kënaqësi e veçantë për mua të jem në prezantimin e kandidates për kryetare të Bashkisë Shkodrës, znj. Keti Bazhdari dhe të mbështes së bashku me ju projektin e saj dhe të gjithë ekipit përfaqësues ‘Keti për Shkodrën’. Unë besoj shumë tek ky projekt sepse besoj tek energjitë e jashtëzakonshme të shkodranëve për ndryshime, për transformime dhe Keti i simbolizon dhe i mëshiron këto energji më së miri. Besoj shumë tek historia e Shkodrës që gjithnjë ka ditur të japi mesazhe të forta ndryshimi, transformimi dhe emancipimi për këtë vend dhe besoj se këtë gjë do ta bëj shumë mirë edhe në 21 qershor, por gjithashtu besoj edhe se reforma administrative–territoriale, e cila i jep një dimension krejt tjetër Bashkisë së Shkodrës, duke bashkuar të gjithë resurset e jashtëzakonshme natyrore, turistike por edhe njerëzore nga Velipoja deri në Theth, kërkon një drejtuese me vizionin, me përkushtimin, me dedikimin dhe me ambicien për të bërë një transformim historik për Bashkinë e Shkodrës në drejtim të shërbimeve dhe standardeve evropian që duhen afruar të gjithë komunitetit”, – deklaroi Meta.
Ndërkaq, Kryetari i LSI-së shtoi se beson tek projekti Bazhdari, pasi është një projekt jo për të majtën, por për të gjithë qytetin e Shkodrës dhe këtë e tregon dhe historia e familjes së saj.
“Unë besoj tek projekti ‘Keti për Shkodrën’. Nuk është një projekt ‘Keti për të majtët’. Edhe vetë historia e Ketit, e familjes së saj, është një histori e cila është e ngjashme për shumë familje të tjera të Shkodrës të cilat kanë vuajtur gjatë sistemit të kaluar komunist, por këto vuajtje absolutisht i kanë ndihmuar për tu bërë më të fortë në jetë, për tu bërë më optimist dhe për të qenë të bindur se çdo gjë mund të arrihet dhe se suksesi me punë dhe me këmbëngulje është i sigurt dhe ky projekt nuk është një projekt ideologjik, është një projekt shkodran i lindur në Shkodër dhe që i dedikohet tërësisht Shkodrës”, – tha Meta, duke u ndalur më tej te prioritetet që duhet të ketë një bashki dhe politikat që duhet të ndjekë.
Ndërkohë kryeministri Edi Rama tha se qeveria që ai drejton do të mbështesë çdo kandidat për bashki që ka projekte konkrete.
“Do ta filloj me nje episod që flet shumë për ata që egzistojë duhet ta votojnë apo jo Ketin. Me çon para pak kohësh një kryetar Bashkie i PD dhe më thotë se duhet të të takoj. OK i thashë hajde në zyrë, jo më tha se kam frikë se më shohin. Si mund të bashkëpunojmë me këta njerëz që kanë frikë. Qeveria do mbështesë ata kryetarë bashkie që kanë projekte,” – u shpreh Rama.
Keti bazhdari, kandidatja e PS për bashkinë e Shkodrës u shpreh se ajo ka si qëllim që ti rikthejë Shkodrës identitetin e humbur, si dhe jetën. Në fjalën e saj ajo tha se Shkodrës dhe qytetarëve shkodranë nuk u kanë munguar ndonjëherë cilësitë e mira dhe kjo është e pakonceptueshme që sot Shkodra renditet mes qyteteve më të varfra.
“Pas ktyre fjalë të bukura dua tu drejtohem të gjithëve dhe të përfitoj nga rasti tju flas për filozofinë që më solli këtu. Jemi në fazën e dëgjesave për të hartuar projektet. Për mua qendra e botës është Shkodra dhe dua ti kthej dinjitetin e humbur. Do punoj për banorët nga Thethi në Velipojë. Ajo që më ka mbajtur sfiduese është mbajtja e parimeve shkodrane që i kam marrë nga familja dhe vendi ku jam rrit. Ajo që dua të transmetoj sot është aspekti më i rëndësishëm i profilit tim politik që ju përfaqëson ju. Dua t’ju flas thjeshtë dhe hapur sepse kështu do të jem për ju gjithmonë. Modeli i politikanëve që jemi mësuar të shohim deri më tani ka ndikuar në shkatërrimin e Shkodrës. Shkodranët kanë qenë ekspresiv në çdo fushë të jetës, por është fatale që sot duhet të pyesim u jemi e të kuptojmë se renditemi në qytetet më të varfra në vend,” – tha Bazhdari.  
Sigal