Rama: Meta kryeministër, nëse LSI del e para në zgjedhje

428
Kur na ndajnë më pak se 10 ditë nga marrëveshja e 1 Prillit 2013, datë në të cilën Edi Rama dhe Ilir Meta vendosën për të hyrë bashkë në zgjedhje, pikëpyetje të shumta ngrihen nëse do të arrijnë dy krerët e koalicionit qeverisës që ta rinovojnë kontratën. Në një intervistë për “News 24”, Rama foli për zgjedhjet dhe marrëdhënien me Metën. Ai tha se ka marrë përgjigje për ftesën ndaj Metës për koalicionin. “Kur njerëzit janë bashkë nuk diskutojnë në rast se duan të ndahen. Koalicioni ynë ka qenë larg të qenit luftarak. Është një bashkëjetesë normale mes forcash që janë të ndryshme, kanë qasje të ndryshme në momente të caktuara, por që kanë një qëllim të caktuar”, tha Rama. I pyetur për deklaratën e ministres Gjosha se Meta duhet të jetë kryeministër, Rama tha, se është anormale mos ta thoshte këtë gjë. “Është e kabinetit tonë, por është pjesë e partisë së Metës prandaj është normale që ta dojë këtë”, tha Rama. Sipas tij, kryeministri buron nga vullneti i popullit, ata zgjedhin partinë fituese dhe kryeministrin dhe koalicionin fitues. “Se kush do jetë kryeministër këtë nuk e përcaktoj, as unë dhe as Ilir Meta, por vota e popullit”, nënvizoi Rama. Ai shtoi, se nëse LSI del parti e parë, është normale të bëhet ai Kryeministër. Në të njëjtën, kryeministri shtoi se nuk ka negociata për emrin e Metës si President, dhe nuk ka nevojë të ketë. “Ne jemi koalicion dhe do bisedojmë kur të vijë koha”, tha Rama, duke shtuar se në këto bisedime do të përfshihet edhe PDIU. “Meta asnjëherë nuk ka kërkuar të imponojë apo pengojë asgjë. Përkundrazi, të gjithë ministrat në kabinetin qeveritar janë të barabartë dhe kanë një kryeministër, jo dy. Nuk dua të humbas kohë me presidentin, pasi shumë më e rëndësishme se një konference të diel pasdite për të dalë për të mos thënë asgjë, është çfarë po ndodh sot. Vendi sot ndodhet përballë një qasje shumë kuptimplotë mes aspiratës për të bërë shtet, për të kaluar gjykatësit e prokurorët në filtrin e Vettingut, dhe ringjalljes së një instinkti për të penguar popullin të bëjë shtet”, tha Rama. Ndërsa lidhur me largimin e Tahirit nga qeveria, kryeministri tha se nuk ka pasur ndikim ndërkombëtar. “Është dashur që të konsultohem me ta për kandidatët, i kam kërkuar opinionin, i cili ka qenë shumë pozitiv”, tha Rama. Kryeministri nënvizoi se nuk do të ketë asnjë lëshim për qeverinë teknike. “S’ka asnjë lëshim. Por çfarë t’ju them 1 milion njerëzve që më kanë dhënë këtë detyrë. T’i them se ne bashkë duhet t’u hapim rrugë budallait dhe në emër të kësaj, të hedhim bazën kushtetuese dhe t’i hapim rrugë një politike që do zhvillohet jo më në parlament. Por opozita në çadër dhe qeveria në parlament. Vjen tjetri, merr çadrën dhe thotë ‘ulu ti, të hipi unë’”, u shpreh, duke nënvizuar sigurinë për miratimin e Vettingut.
Sigal