Rama-Meta konfirmojnë qëndrueshmëri në aleancën për ‘Ardhmërinë Europiane’

42

Në festimin e 101- vjetori i Pavarësisë në Vlorë, marrin pjesë bashkërisht, Presidenti, Kryeministri dhe Kryeparlamentari

 Dje  në qytetin e Vlorës u  festua 101- vjetori i Shpalljes së Pavarësisë Kombëtare. Në Sheshin e Flamurit, u zhvillua ceremonia zyrtare, ku ishin të Pranishëm Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Ilir Meta, Kryeministri Edi Rama, ministrat e Kabinetit, deputetë, përfaqësues të forcave politike e subjekteve fetare,  të ftuar nga Kosova e Maqedonia. Në fillim u zhvillua ceremoniali i ngritjes së Flamurit, ndërkohë që, më pas u vendosën kurora dhe u bënë homazhe në memorialin e Ismail Qemalit, në lulishten e Flamurit, ku prehen edhe eshtrat e tij. Kurorën e parë te varri i Ismail Qemalit e vendosi Presidenti Nishani, i ndjekur nga kryetari i Parlamentit Ilir Meta si dhe nga Kryeministri Edi Rama. Ndërsa kurorën e fundit me lule e ka vendosur Kryetari i Bashkisë së Vlorës, Shpëtim Gjika.

 Presidenti Bujar Nishani  viziton familjen e patriotit Osman Haxhiu

Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, me bashkëshorten Odeta Nishani, zhvilloi një vizitë në mesditë në familjen e patriotit vlonjat Osman Haxhiu. Gjatë kësaj vizite, në kuadër të festës për 101 vjetorin e Pavarësisë, Presidenti Nishani shoqërohej dhe nga kryetari i bashkisë, Shpëtim Gjika, kryetari i Kontrollit të Lartë të Shtetit, Bujar Leskaj dhe drejtues të tjerë vendorë.
Gjatë bashkëbisedimit me paraardhës të patriotit Osman Haxhiu, Presidenti Bujar Nishani, u ndal tek dimensionet e figurës së tij dhe tek roli i tij në historinë e Vlorës dhe të Shqipërisë.
“Kisha dëshirë të nderoj kujtimin e atyre që kanë dhënë shumë për Shqipërinë dhe familja juaj është një familje tradicionale me vlera të larta”, theksoi Nishani, duke e cilësuar Osman Haxhiun një figurë qendrore të historisë.

Rama: T’i japim Bregdetit një përmasë të re zhvillimi
Në teatrin “Petro Marko u prezantua dje objekti “Lungo Mare”, ku dhe u shpall konkursi ndërkombëtar për projektin e vijës bregdetare të qytetit të Vlorës. I pranishëm në aktivitet Kryeministri Rama u shpreh optimist për konkursin në funksion të zhvillimit të vijës bregdetare. Sipas Ramës pavarësisht dëmtimit të vijës bregdetare nga ndërtimet pa kriter, është i mundur transformimi i saj në harmoni të plotë me natyrën në funksion të turizmit. “Kemi shembuj të shkëlqyer të mënyrës se si duhet të jetë vija bregdetare e një qyteti mund të transformohet në një nga burimet më të rëndësishme të zhvillimit ekonomik, por edhe të mirëqenies së atij qyteti por edhe të mbarë vendit. Kemi shembuj të shkëlqyer për të mësuar nga gabimet e të tjerëve në projektimin dhe shfrytëzimin mbi bazën e projekteve të bëra të vijës bregdetare urbane që është një element shumë i brishtë pasi bashkon shumë afër pranë njëra-tjetrës natyrën dhe nevojën për zhvillim. Kemi marrë një zotim që t’i japim bregdetit dhe Shqipërisë në tërësi një përmasë të re zhvillimi, por njëkohësisht ti japim këtij zhvillimi shumëllojshmëri dhe ta bëjmë këtë zhvillim në një harmoni me natyrën dhe sa më pranë standardeve që sot përcaktojnë edhe cilësinë e industrisë së turizmit në botë, por edhe në Mesdhe dhe ky konkurs dhe ky projekt janë hapi i parë në realizimin e këtij zotimi ndërkohë që ky qytet dhe vija e tij bregdetare janë më siguri një sfidë për tu fituar në funksion të transformimit të gjithë vijës së përcaktuar nga konkursi,nga pylli i Sodës deri lart tek tuneli në një realitet të ri europian dhe urban të Shqipërisë së re turistike”,- tha Rama. Ai theksoi se, objektivi i qeverisë mbetet realizmi i këtij projekti brenda harkut kohor të dy viteve.

 Ilir Meta: Integrimi është sfida e së ardhmes

 Meta, vlerësoi praninë e qytetarëve të shumta nga të gjitha trevat, duke përfshirë edhe Kosovën, të cilët ndodhen në Vlorë për të festuar me të njëjtën mirënjohje, këtë akt të madh të Ismail Qemalit dhe të gjithë patriotëve të tjerë. “Kemi hedhur një hap të rëndësishëm në këtë 1 vjetor të parë të 100 viteve që kanë hyrë tashmë për shtetin tonë, i cili po bëhet çdo ditë edhe më evropian dhe është kënaqësi që jemi sot bashkë këtu me Kryeministrin e Shqipërisë, zotin Edi Rama, për modernizimin e këtij shteti dhe për plotësimin e aspiratës së të gjithë qytetarëve tanë për një Shqipëri evropiane, për një Vlorë evropiane, ashtu siç është përkatësia jonë, ashtu si do të jetë edhe e ardhmja jonë”, u shpreh Meta. Kryeministri Edi Rama u shpreh  se,  është kjo ditë është shumë emocionuese.  “Për ne, që jemi këtu së bashku me kryetarin e Kuvendit dhe me bashkëkryetarin e Aleancës për Ardhmërinë Evropiane, është një ditë jo vetëm për t’u përulur përpara atyre që themeluan shtetin shqiptar, por edhe për të rinënvizuar angazhimin e plotë që ndjejmë në këtë ditë dhe në këto vite të para të 100 -vjetorit të dytë të shtetit, ta çojmë Shqipërinë përpara, ta çojmë shtetin shqiptar përpara dhe njëkohësisht të rrisim edhe bashkëpunimin me të gjithë shqiptarët në të gjithë rajonin për të patur ditë më të mira për çdo shqiptar kudo që jeton”, -tha Kryeministri Rama. Ai falënderoi dhe shprehu mirënjohjen për të gjithë ata që, sipas tij,  kanë ardhur dhe i janë bashkuar në këtë festë, nga të gjitha trevat ku jetojnë shqiptarët.

 Sequi uron shqiptarët: Shqipëria po përparon drejt integrimit

Kreu i prezencës së Bashkimit Europian në vendin tonë, Ettore Sequi, ka uruar shqiptarët për përvjetorin e 101 të Pavarësisë së Shqipërisë. Në mesazhin e urimit, Sequi thekson se angazhimi i përtërirë politik ndërpartiak në reformat kyçe janë shprehje të rëndësishme dhe inkurajuese të aspiratave të forta europiane të Shqipërisë.“Me rastin e përvjetorit të 101-të të Pavarësisë së Shqipërisë, i dërgoj urimet e mia të sinqerta popullit shqiptar në këtë ditë të veçantë për historinë e vendit. Ndërkohë që, Shqipëria përparon në rrugën e saj drejt integrimit në Bashkimin Europian, angazhimi i saj në axhendën e reformave dhe angazhimi i përtërirë politik ndërpartiak në reformat kyçe janë shprehje të rëndësishme dhe inkurajuese të aspiratave të forta evropiane të Shqipërisë”,  shkruan Sequi.