Rama-Meta diskutojnë listën e Qeverisë

464
Sigal

Ilir Meta sërish takon Edi Ramën, për të akorduar kabinetin e ri qeveritar

Pas tensionit të krijuar nga kryetarja e KQZ-së, Lefteri Lleshi, për shtyrjen e dorëzimit të mandateve deri në muajin tetor, dy liderët e së Majtës kanë nxituar për programin qeverisës dhe për t’i dhënë dorën e fundit, listës së kabinetit. Strategjia e koalicionit rozë, përveç të tjerash ka si synim që t’i bëjë presion KQZ-së, që të mos vonojë procesin, me anë të numërimit, sepse në 7 shtator mbaron afati. Dje, afër mesditës, në kohën kur kryeministri Sali Berisha kishte dalë në konferencë shtypi për t’i uruar Bashës fitoren, brenda PD-së, pra në atë kohë, Ilir Meta hyri nga dera kryesore e selisë rozë, për të diskutuar me Ramën, lidhur me emrat e ministrave. Qeveria e re me gjithë disa korrigjime të fundit, ka disa ditë që qëndron e kyçur në sirtarin e kryesocialistit Rama. Kryetari iLSI-së ka zhvilluar një takim kokë më kokë, me Kryeministrin e ardhshëm Edi Rama,  në selinë e PS-së, ku për herë të dytë brenda një jave ata kanë biseduar për të “blinduar” një qeveri që do t’i kënaqë të gjitha partitë e koalicionit. Në tematikën e bisedimeve të djeshme, janë përfshirë edhe detaje numrash që lidhen me zëvendësministrat, duke i lënë partive më të vogla, hapësira për drejtorë drejtorish dhe përfaqësuesve të tjerë të administratës. Ky nxitim i dy liderëve të koalicionit u bë për shkak të shkeljes së afatit për publikimin e kabinetit ministror, i cili duhej të mbyllej para 3 ditësh. Ardhja e djeshme për herë të dytë brenda javës dhe pas 6 vjetësh në selinë rozë, e Ilir Metës në selinë e PS-së, për t’u takuar me Edi Ramën, u bë për të retushuar të gjitha pakënaqësitë që mund të lindin nesër, nëpërmjet plotësimit të pretendimeve për LSI-në. Edhe pse, pas takimit, asnjë nga palët nuk bëri të ditur hollësitë e takimit Rama-Meta, tema e bisedimeve ishte lista e kabinetit dhe akordimi i emrave që do të përbëjnë listën tjetër siç është nënkryetari i Kuvendit, apo drejtori i Përgjithshëm i Policisë. Emri i fundit u diskutua për shkak të emergjencës lidhur me stabilitetin e rendit publik. Në mënyrë të veçantë u diskutua edhe strategjia e të majtëve për luftën kundër krimit të organizuar dhe për largimin e policëve apo kryepolicëve që dyshohen për korrupsion. Deri dje, sipas informacioneve, shumë emra  kandidatësh për postet ministrore janë shkruar dhe janë shuar, madje disa janë publikuar edhe në publik, për të matur pulsin dhe reagimet. Një nga reagimet që janë shfaqur nga politikanë, edhe të PS-së, edhe tëLSI-së, sikurse Luan Rama dhe Ilir Beqja, është se ata nuk janë dakord me ndarjen e mandatit të deputetit nga posti i ministrit, ndërsa deputetë të tjerë, sikurse Klodiana Spahiu dhe Mimoza Hafizi, kanë shprehur publikisht dëshirën që të lënë mandatin e deputetit për hir të postit ministror. Pas takimit, Ilir Meta iu përgjigje edhe pyetjeve të shumta të disa gazetarëve.

LSI, pesë ministri

Gjatë bisedës së djeshme mes dy liderëve u rakordua që LSI do të marrë pesë ministri, ku përmendet Ministria e Drejtësisë, Transportit, Arsimit dhe Mbrojtjes, ndërkohë që nj ministri tjetër është në proces diskutimi. Për postin e ministrit të Drejtësisë është diskutuar të caktohet një nga funksionarët kryesorë të qeverisjes së kaluar, ndërkohë që për Ministrinë e Transporteve u fol për Lefter Kokën dhe për arsimin deri tani mbetet emri i Shezai Rrokaj, ndërsa dy kandidatura të tjera janë ende në diskutim. Kjo edhe për faktin se disa ministri do të ndahen ose do të riorganizohen edhe në lidhje me drejtoritë. Në takim vendos gjithashtu që të shkurtohen një pjesë e drejtorive që mund t’i bëjnë karshillëk, ministrive, siç është për shembull, Drejtoria e Integrimit, ndërkohë që për këtë argument ekziston Ministyria e Integrimit. Mësohet gjithashtu se në Ministrinë e Brendshme do të caktohet Damian Gjiknuri, ndërsa në Ministrinë e Emigracionit, Erion Veliaj. Në Shëndetësi diskutohet akoma emri i Vali Bizhgës, kurse për disa të tjerë vazhdojnë diskutimet. Ajo q mund të thuhet në mënyrë të veçantë është fakti se këtë radhë, një ministri do të merren në dorëzim në total nga një forcë politike dhe nuk do të ndodhë që në një ministri të jenë pjesëmarrës përfaqësues nga dy apo më shumë parti. Dhe kjo bëhet për shkak të ndarjes së plotë të përgjegjësive.

  Z. Meta, çfarë keni diskutuar me z. Rama gjatë këtij takimi?

Ka qenë një bisedë më shumë verore se sa politike.

Megjithatë, kanë kaluar tre javë nga momenti i fillimit të punës për ndërtimin e qeverisë së re. A e keni diskutuar për këtë temë?

 Për këtë mund të pyesni Kryeministrin e zgjedhur.

 A e keni marrë në dorëzim programin e ri qeverisës për 300 ditët e para?

 Natyrisht, që çdo gjë do të bëhet publike në kohën e duhur.

 Z. Meta, a keni një koment për vendimin e Kolegjit Zgjedhor që e cilësoi të paligjshëm procesin e rinumërimit të votave nga KQZ-ja për Qarkun e Lezhës?

 Transparenca është mjaft e rëndësishme, por gjithmonë sipas ligjit dhe kodi ka qenë shumë i qartë se procesi i hapjes së kutive mund të bëhet vetëm me 5 vota të anëtarëve të KQZ-së. Pra, këtë kompetencë mund ta ketë vetëm Kolegji Zgjedhor, në kushtet kur gjysmë-KQZ-ja ka vetëm janë katër anëtarë. Pra, Kolegji ka marrë vendim të qartë ligjor dhe kushdo që nuk është dakord me këtë vendim ndjek rrugën që përcakton ligji.

 Çfarë prisni nga Kolegji Zgjedhor lidhur me kërkesën ankimore që ka bërë LSI-ja për rezultatin e Qarkut të Kukësit?

 Unë pres vetëm zbatimin e ligjit. Faleminderit.

 Kolegji Zgjedhor pranon kërkesën e LSI-së për Qarkun e Kukësit: Akt ekspertim i provave deri më 25 korrik

Kolegji Zgjedhor ka vendosur të pranojë provat e vëna në dispozicion ngaLSI-ja, për qarkun e Kukësit, e cila pretendon një mandat në këtë qark. Kolegji Zgjedhor ka pranuar pamjet filmike të cilat tregojnë mospërputhjet e votave.LSI-ja pretendon se ka prova që nxjerrin në pah numërimin e gabuar të votave në kutitë e qarkut Kukës, ndërsa asaj i duhet vetëm 15 vota për të marrë një mandate në këtë qark. Nga ana tjetër,LSI-ja pretendon se ka 155 vota më shumë në Qarkun e Kukësit. Kështu, Kolegji Zgjedhor ka vendosur se do të kryhet një akt ekspertimi për pamjet filmike të vëna në dispozicion ngaLSI. Pritet që akt ekspertimi të kryhet nga ekspertë tëLSIdhe PD. LSI-ja ka propozuar emrin e Ardian Pollos, ndërsa PD-ja atë të Zamir Hoxhës. Ekspertët janë të fushës së elektronikës. LSI-ja pretendon se mund të ketë 155 vota më shumë dhe mund ta marrë ajo mandatin e katërt në këtë qark dhe jo PD-ja, pasi rezultati është shumë i ngushtë: vetëm 15 vota. Përfaqësuesi iLSI-së Ilirjan Muho është shprehur se vendimi i KQZ-së është i pambështetur në prova dhe në ligj.