Rama: “Me SHBA-të në çdo front, brenda e jashtë”

557
Sigal

Rama uroi zyrtarin amerikan Hoyt Brian Yee dhe e vlerësoi të vyer eksperiencën që ka në rajonin tonë

Kryeministri i vendit Edi Rama thekson vendosmërinë e qeverisë së tij për të vijuar e konsoliduar më tej miqësinë, partneritetin dhe aleancën e pandashme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Gjatë takimit me zv/Ndihmës Sekretarin e Shtetit të SHBA-së, Hoyt Brian Yee, kryeministri Rama theksoi se Shqipëria do të qëndrojë “krah SHBA-së në çdo front, brenda dhe jashtë”.  “Ndër pikat ku politika shqiptare nuk ndahet, miqësia e partneriteti me SHBA dhe aleancat në krah të SHBA, janë e do të mbeten një pikë kryesore. Ndërsa kjo qeveri përkatësinë e Shqipërisë në këtë miqësi, partneritet e aleancë të pandashme, e lexon edhe si detyrim për t’u udhëhequr edhe në qeverisjen e vendit tonë nga vlerat e parimet që SHBA mishërojnë e promovojnë si një shembull i shkëlqyer lirie, demokracie, prosperiteti të bazuar në respektin për individin e në konkurrencën e lirë.”- shkruan kryeministri në rrjetin social “Facebook”, ku publikoi edhe një fotografi nga takimi me zyrtarin e lartë amerikan Hoyt Brian Yee.  Sipas njoftimit të Kryeministrisë, shefi i qeverisë e uroi zyrtarin amerikan për detyrën e re dhe e vlerësoi të vyer eksperiencën që z.Yee ka në rajonin tonë. Rama e falënderoi z. Yee për mbështetjen e vazhdueshme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës ndaj Shqipërisë dhe përpjekjeve të saj në rrugën e integrimit në Bashkimin Evropian.  Më tej, Kryeministri Rama e njohu z.Yee me programin dhe prioritetet e qeverisë shqiptare, me theks të veçantë në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Kryeministri u ndal edhe në operacionin më të fundit të Policisë së Shtetit për bllokimin e lojërave të fatit që ushtronin aktivitetin në mënyrë të paligjshme.

Në takim u vlerësua kontributi i Shqipërisë në shërbim të paqes e sigurisë globale. Kryeministri Rama siguroi zyrtarin e lartë amerikan se Shqipëria do të jetë në krah të SHBA, në përpjekjet e përbashkëta për promovimin e paqes dhe sigurisë në botë.

Z. Yee i uroi gjithashtu, Kryeministrit Rama suksese në detyrën e re. Ai e falënderoi për mbështetjen që Shqipëria i ka dhënë rezolutës së Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara 2118 mbi Sirinë, duke mbështetur kërkesën e komunitetit ndërkombëtar për të vënë para përgjegjësisë regjimin e Assad-it.

Z. Yee e siguroi Kryeministrin për mbështetjen e SHBA-së në rrugëtimin e Shqipërisë drejt Bashkimit Evropian dhe mirëpriti progres raportin e Komisionit Evropian që rekomandon statusin e vendit kandidat për Shqipërinë.