Rama, me politikën e tij , heq dorë nga 21 janari dhe Gërdeci

541
Sigal

Kandidatura e avukatit të Gërdecit, ngjalat e Lalzit dhe anëtari i Gjykatës së Lartë  dëshmojnë se…

 Votimi  në Parlament, ditën e enjte, i kandidaturës të gjyqtarit , si anëtar i Gjykatës së Lartë, edhe  me votat e deputetëve të PS-së, ishte akti i fundit politik nga Edi Rama, i cili, kësisoj,  dëshmoi se PS-ja hoqi dorë përfundimisht nga 21 janari dhe Gërdeci. Nuk u mor vesh, përse deputetët e PS-së u detyruan të votonin në parlament këtë kandidaturë, kur, ta paktën, publikisht, nuk kishte asnjë ndikim, ndërhyrje të ndërkombëtarëve, në të ashtuquajturën trysni të dhënies, me hir dhe me pahir, të votës 3/5, siç po ndodh me votimin e reformave/prioriteteve të BE-së për dhënien e statusit kandidat. Ngrihet pyetja: Përse pak e nga pak Edi Rama po (vetë)rrëzon çdo akuzë politike për  21 janarin dhe Gërdecin? Dhe, logjikisht, pyesim si ka mundësi që një opozitë kaq e fortë, numerikisht në parlament, sikurse është PS-ja, me 65 vota në parlament,  të dëftohet kaq e dobët politikisht, sa të ndodhin dy nga ngjarjet më tragjike, sikurse 21 janari dhe tragjedia e Gërdecit dhe të mos arrijë, që jo vetëm të rrëzojë një maxhorancë kaq të dobët numerikisht, por në fund të fundit, është vetë PS-ja, që politikisht, po u vë 21 janarit dhe Gërdecit, pllakën e  braktisjes.

Lind pyetja, përse? Është e dobët opozita, sa e ka të pamundur politikisht, që të shfrytëzojë çdo epërsi politike nga këto dy ngjarje? I pyetur për këtë çështje nga “Telegraf”  Kryetari i PSD-së, Skëndër Gjinushi, thotë: “ Shoqëria shikon anën morale në politikë, zotëri. 21 janari nuk është dukje. Është ngjarje. Janë 4 të vrarë. E dinë të gjithë, kush shtiu dhe me kë urdhër shtiu. Ku është përgjegjësia morale politike? Ku është përgjegjësia morale për Gërdecin? Ka korrupsion të lartë , pikërisht kur nuk arrin dot të dënosh të korruptuarit politikë.”  Të korruptuarit politikë, në radhë të parë i dënon opozita, sepse të korruptuarit politikë janë maxhoranca.  Edi Rama, vetë braktisi pikërisht përgjegjësinë morale të Gërdecit, me kandidaturën e avokatit Visha,  që PS-ja paraqiti,  për anëtar i KLD-së. Edi Rama, për hir të përfitimit të ndonjë vote nga …Mediu dhe Meta ( si njerëzit e avokatit Visha) në Parlament, dëshmoi hapur për pazare politike, dhe mungesë vullneti politik që të dënojë të korruptuarit politikë.  Dhe, Edi Rama, ka provuar shumë herë, se për hatër të interesave të çastit, që vetëm ai i di, përtej interesave partiake, ka braktisur ngjarje të mëdha politike me përgjegjësi të mëdha morale. Edhe vota e PS-së, për anëtarin e Gjykatës së Lartë, për drejtuesin e  Gjykatës së Tiranës i cili dënoi fajtorë deputetët e PS-së, për 21 janarin, mund të shpjegohet vetëm me interesa personale të Edi Ramës. Nuk e besoj, se do të thotë ndokush, që ka interesa PS-ja?!  Për hir të këtyre interesave personale, Edi Rama, akoma po hesht ndaj apelit publik që i ka bërë deputeti i tij, Erjon Braçja: “ Dil dhe thuaj edhe një herë që 21 janari nuk është mbyllur e që s’ke për ta harruar asnjëherë”. Edi Rama hesht ndaj këtij apeli, por “flet” me votën e detyrimit, duke urdhëruar deputetët të votojnë bashkëfajësinë politike edhe për 21 janarin, edhe për Gërdecin.

Detyra e opozitës, është të opozitojë maxhorancën dhe jo të votojë me kompromis bashkë me maxhorancën. Berisha i  kërkon me ngulm ndryshimet kushtetuese për Imunitetin, ndërkohë që Rama duhet t’i kundërpërgjigjet  për konsensusin që i duhet të japë, me garancinë institucionale të organeve të pavarura që qeverisja e PD-së  ka kohë që i ka uzurpuar. Dhe do ishte me vend që ndryshimet për Imunitetin të bëheshin paralelisht me ato të emërimit me 3/5 të Prokurorit të Përgjithshëm dhe anëtarëve të Gjykatës së Lartë dhe asaj Kushtetuese. Mirëpo, ndoshta Edi Rama hesht, sepse udhëhiqet nga mentaliteti i pushtetarit të ardhshëm dhe përqendrimi i pushteteve edhe në kontrollin e tij, do t’i interesonte, po kaq sa i intereson tani Berishës. Në fund të fundit, nisur nga kjo mendësi, Rama i mbështeti ndryshimet e Kushtetutës në 2008-n. Shembulli më i qartë, i kundërt, veçse me mendësitë politike të Ramës, ishte qëndrimi i Samaras, kur ishte në opozitë, para 9 muajve, i cili nuk pranoi kurrsesi që të jepte asnjë votë qeverisë së Papandreut, edhe sikur të falimentonte ekonomikisht Greqia. Sado presion politik që Samaras, si kryetari i opozitës greke, pati nga të gjithë faktorët ndërkombëtarë, Samaras tha, se Greqia shpëton me rrëzimin e qeverisë të Papandreut.  Rezultati? U rrëzua qeveria e Papandreut dhe sot Samaras qeveris me votat parlamentare të PASOK-ut. Pra, alibia politike e Edi Ramës, se PS-ja detyrohet të votojnë ligje me 3/5 për hir të statusit kandidat, rrëzohet. Edi Rama vetërrëzoi Gërdecin  e 21 janarin dhe PS-ja shkon  pa ato, e zhveshur politikisht në zgjedhjet e 2013-s. Përderisa Edi Rama, për arsye që vetëm ai i di, dhe gjithsesi jopolitike, përdhosi përgjegjësinë morale dhe politike të Gërdecit dhe të 21 janarit, përse PS-ja duhet të  ketë moralitet  qytetar dhe politik të kërkojë të fitojë në 2013-n?