Rama me ambasadorët në pritjen e fundvitit: Ne duam zero probleme me fqinjët

54

“Zero probleme me fqinjët”, ka qenë qëndrimi i shprehur nga kryeministri Edi Rama mbrëmjen e sotme, gjatë pritjes së fundvitit të organizuar në godinën e Kryeministrisë me ambasadorët. Për kreun e Qeverisë, marrëdhëniet e mira me vendet fqinje nuk do të thotë domosdoshmërisht të bësh “veshin e shurdhër”, dhe të mos ndash me ta shqetësimet e së kaluarës apo së tashmes.

E me këtë, kryeministri Rama iu referua debateve të hapura më së fundmi mes Shqipërisë dhe Greqisë sa i takon çështjes çame.

Teksa ritheksoi se marrëdhëniet tona me të gjithë fqinjët duhet të karakterizohen nga dialogu i hapur, kryeministri tha se vetëm bashkëpunimi mundëson zgjidhjet e problemeve.

“Kemi punuar dhe do punojmë, që marrëdhëniet tona me të gjithë fqinjët të karakterizohen nga dialogu i hapur, dhe mbi dëshirën e plotë që të ndërtojmë se bashku mbi gjithçka që na bashkon. Çka na bashkon në interes të popujve tonë, është më e madhe se ajo që hera herës na ndan. Nuk do të hezitojmë të ndajmë shqetësimet tona të së kaluarës së afërt apo të largët, po gjithnjë me dëshirën që të kemi 0 probleme me fqinjët. Duam probleme 0 me fqinjët, edhe kur gabimisht duket apo interpretohet sikur kemi ngritur probleme, kur ngremë çështje të së kaluarës, edhe pse duam zgjidhjen dhe zerimin e tyre. Është e rëndësishëm që atmosfera e paqes dhe ndërveprimit që ne kemi në këtë rajon, ku deri dje karakteristika kryesore ishin konfliktet, dhe hasmëritë e trashëguara, të intensifikohet në një funksion të një dakordësie sa më të madhe”, tha Rama.

FJALA E KRYEMINISTRIT RAMA


Jemi dëshmitarë të një viti si ky që po mbaron, ku liritë dhe të drejtat kanë vazhduar të shkelen rëndë në vende e rajone të ndryshme të botës. Janë si fakte tronditëse në sytë të të gjithëve ne, përmes ndërlidhjes që na mundëson në kohë reale të dimë gjithçka ndodh kudo në botë. Në një botë ku verbëria terroriste ka vijuar të prodhojë skena makabre. Ku fenomene shumë shqetësuese si diskriminimi dhe gjuha e përçmimit ndaj tjetrit po shton konfliktet.

Nuk ndihemi më kaq të rrallë, sepse bashkësia e politikanëve të kësaj natyre është zgjeruar gjatë viteve të fundit. Nuk duhet asnjë lupë për të vënë re se presioni i ekstremeve ndaj politikave po e banalizon progresivisht debatin publik.

Pa pak ditësh, John Kerry tha se çdo shmangie sado e vogël në rrugën e lirisë, është një gur i shëmtuar në rrugën e tiranisë. Ne në Shqipëri kemi investuar gjatë këtij viti energji të mëdha në rrugën që e kemi caktuar si popull, dhe kemi vijuar të vendosur në këtë drejtim. Është një rrugë e përcaktuar qysh prej 26 vitesh, integrimi BE. Tek Europa ne shqiptarët nuk ndahemi. Për sa na takon ne si forca qeverisëse sot në qeverie kemi shkruar në programin tonë qeverisës, se Europa nuk është udhëtim për të shkuar diku, por udhëtim i brendshëm drejt përmbushjes së një aspiratë kombëtare për të patur një shtet demokratik, dhe ekonomikisht solid.

Kemi ndjekur një politikë ët jashtme koherente. Në çdo moment në frymën europianiste që karakterizon forcat tona politike, si përfaqësim i një populli që në këtë rajon ka qenë i angazhuar dhe mbështetës për stabilitetin bazuar mbi vlerat e parime e Europës, ku duam të bëjmë pjesë.

Besojmë se kemi mundësi të bëjmë më shumë në kuadër të bashkëpunimit rajonal. Është një hapësirë rajonale ende jashtë BE, ku përpjekjet janë të pareshtura, dhe ku qasja tërësore tani është më e qartë se asnjëherë më parë ndaj paqes dhe ndërveprimit me njëri-tjetrin. Kemi punuar dhe do punojmë, që marrëdhëniet tona me të gjithë fqinjët të karakterizohen nga dialogu i hapur, dhe mbi dëshirën e plotë që të ndërtojmë se bashku mbi gjithçka që na bashkon. Çka na bashkon në interes të popujve tonë, është më e madhe se ajo që hera herës na ndan. Nuk do të hezitojmë të ndajmë shqetësimet tona të së kaluarës së afërt apo të largët, po gjithnjë me dëshirën që të kemi 0 probleme me fqinjët. Duam probleme 0 me fqinjët, edhe kur gabimisht duket apo interpretohet sikur kemi ngritur probleme, kur ngremë çështje të së kaluarës, edhe pse duam zgjidhjen dhe zerimin e tyre. Është e rëndësishëm që atmosfera e paqes dhe ndërveprimit që ne kemi në këtë rajon, ku deri dje karakteristika kryesore ishin konfliktet, dhe hasmëritë e trashëguara, të intensifikohet në një funksion të një dakordësie sa më të madhe.

Të gjitha këto nisma së bashku i japin përpjekjeve tona një cilësi të re, në funksion të një objektiv madhor, që mbi bazën e stabiliteti të krijuar, të krijojmë më shumë mirëqenie për popujt tanë. Interesi i përbashkët i një të ardhëm të përbashkët të vendeve tona të prevalojë mbi gjithçka tjetër. Kemi bërë shumë, por ka ende shumë për të bërë, për të promovuar vlerat dhe shembujt e miqësisë.

Kjo vlen për të gjitha vendet, e sidomos për forcimin e bashkëpunimit me Kosovën, forcimin e marrëdhënieve strategjike me Greqinë përmes dialogut, vijimit të bashkëpunimit me Serbinë, dhe nxitjen sa më shumë të rritjes së bashkëjetesës në Maqedoni mes shqiptarëve dhe maqedonasve aty.