Rama me ambasadorët, Basha: Sjellja e investitorëve të huaj, mision i pamundur

638
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha reagon ashpër pas takimit që kreu i qeverisë Edi Rama pati paraditen e së dielës, me ambasadorët e Shqipërisë në botë, ku fokusi ishte thithja e investimeve të huaja. Basha thotë se është mision i pamundur që ambasadorët të sjellin investitorë të huaj në Shqipëri. Ai shton se Rama e di shumë mirë këtë, sepse është ai përgjegjësi për krijimin e një klime armiqësore për biznesin vendas dhe të huaj. Kreu i opozitës deklaron se Kryeministri i pashpresë dhe i korruptuar deri në rrënjë, e di se në Shqipëri mund të investojnë apo marrin tenderë vetëm ata që pranojnë të dorëzojnë kapar 30- 50% të fitimit tek ai, përmes sejmenëve të tij të kapur në përgjime.

“Ambasadorët e kanë mision të pamundur sjelljen e investitorëve të huaj, sepse në 4 vitet e fundit raportet ndërkombëtare flasin vetëm për përkeqësimin e klimës së biznesit, për rritjen e taksave, për korrupsionin e përhapur në çdo nivel të qeverisjes. Sepse tenderët dhe koncesionet përfundojnë në xhepat e 10 klientëve të Kryeministrit dhe investitorët e huaj gjymtohen nga kriminelët e lidhur me Ramën dhe Dakot e tij për t’u përzënë nga Shqipëria”, shprehet Basha. Gjatë qeverisjes tashmë të vdekur të Ramës, në Shqipëri nuk erdhi asnjë investim serioz i huaj, thotë lideri demokrat, duke nënvizuar se po të mos ishin dy projektet e mëdha energjetike, gazsjellësi Trans Adriatik dhe Kaskada e Devollit, niveli i investimeve do të ishte në minimum historik, duke e kthyer vendin 15 vite prapa.
Sigal