Rama mbledhjen e parë të qeverisë, në Vlorë

460
Sigal

Ditën e martë më datën 20 gusht ministrat do të presin përballë tunelit të Ujit të Ftohtë ardhjen e Kryeministrit

Rama improvizon mbledhjen e parë të qeverisë së re, jo në Tiranë, por në Vlorë dhe jo ditën e mërkurë, por të martën. Gjithashtu, si dallim nga mbledhjet e zakonshme të çdo qeverie, ky takim nuk do të organizohet në Kryeministri, por në hotelin “Nju Jork”, i cili ndodhet pranë Ujit të Ftohtë dhe me pamje pranë tunelit. Në këtë mënyrë ardhja e Ramës në këtë mbledhje do të përfitojë nuanca ceremonialiteti, kur kalimi i tij nëpër tunel do të ndiqet dhe vëzhgohet nga sytë e të gjithë ministrave, por edhe të kamerave të ndryshme që do të mund të asistojnë në atë rast. Kjo është mbledhja e parë e Ramës në Vlorë dhe e dyta e qeverisë, duke shënuar këtu se mbledhja e parë është bërë nga qeveria “Berisha”, gjatë festimit të 100- vjetorit të Pavarësisë. Por ndryshe nga rasti i Berishës, kur takimi u bë në zyrën e qeverisë së Ismail Qemalit, kjo mbledhje do të zhvillohet në hotelin “Nju Jork”, i cili është me leje ndërtimi. Rama ka zgjedhur pikërisht, një lokal të tillë, me leje, sepse lokalet e tjera pa leje, siç ka paralajmëruar ai do të prishen.

Pjesëmarrësit

Në takimin e datës 20 gusht, do të jenë të pranishëm të gjithë ministrat e kabinetit “Rama”, të cilët do të raportojnë për përgatitjet e deritanishme në lidhje me njohjen e problemeve për ministrinë që do të drejtojnë. Por sipas burimeve brenda selisë rozë mësohet se deri të martën, do të jenë caktuar edhe bashkëpunëtorët kryesorë të këtyre ministrave siç janë drejtorët e drejtorive. Ata janë përcaktuar tanimë nga marrëveshjet e partive të koalicionit sipas numrit të votave që kanë marrë. Por deri të martën mbyllja e listës së këtyre drejtorëve do të jetë përkryer më shumë. Kjo mbledhje e parë jozyrtare e qeverisë “Rama”, bëhet në Vlorë edhe për faktin se, Rama, duke qenë deputet i Vlorës, kërkon të sigurojë votuesit e vet, se ai do ta ketë gjithmonë në qendër të vëmendjes, qytetin e tyre dhe për çdo gjë do të gjendet pranë banorëve. Nga ana tjetër një diskutim më vete do të përbëjë, problemi i ruspave që do të shfaqen përgjatë bregdetit, për të shkatërruar ndërtimet pa leje. Një temë tjetër më vete do të jetë ajo e Shtëpisë së Oficerëve, në Tiranë e në Fier, ku ajo e Tiranës, sipas dekretit presidencial, do të kalojë si seli e Partisë Demokratike. Në këtë mbledhje do të diskutohet mbi strategjinë që do të ndiqet nga qeveria e re, për vendimin e SHQU-P-it. Në këtë mbledhje do të flitet edhe për çështjen e ish- pronarëve, apo ish të përndjekurve politikë, por do të diskutohen edhe çështje të mprehta për legalizimet, apo tapitë e pronave. Një problem më vete është sidomos çështja e shëndetësisë, ku pas premtimit në fushatë për vizitat, apo ilaçet falas, tani do të ketë një përballje të vështirë me realitetin e krijuar. Por kryefjala e këtij takimi, do të jetë çështja e rendit publik, ku pas studimeve të këtyre ditëve specialistët kanë përgatitur platformat përkatëse për luftën kundër krimit në 100 ditët e para.