Rama mbledh sërish qeverinë e padekretuar ende, këtë radhë takimi në Velipojë

559
Kryeministri Edi Rama që prej datës 27 gusht, kur edhe lajmëroi kabinetin e ri qeveritar, i është rikthyer praktikës së vjetër, asaj të vitit 2013. Ende pa u dekretuar qeveria e re, Rama ka zhvilluar takimin e parë në Llogara ndërsa sot, zhvillon takimin e dytë në Velipojë. Synimi i këtyre mbledhjeve sipas të dhënave që vijnë nga selia mavi, duket se është reformimi i administratës dhe gjetja e mënyrave për të eliminuar korrupsionin në radhët e saj. Në Velipojë Rama ka lajmëruar se do të zhvillojë mbledhjen e dytë, ndërsa pritet që ministrat e qeverisë së shkurtuar, do të qëndrojnë në këtë vend për dy ditë. Bëhet fjalë për një takim informal. Javën e kaluar Rama mblodhi në Parkun Kombëtarë të Llogarasë anëtarët e kabinetit të ri qeveritar ku prezantoi detyrat dhe kompetencat e reja për ministrat, për shkak të ndryshimit të strukturës së disa institucioneve. Mbledhja vjen katër ditë para konstituimit të Kuvendit të ri dhe zgjedhjes së kryeparlamentarit. Qeveria e re pritet të betohet të hënën e ardhshme pasi të jetë dekretuar nga Presidenti i Republikës. Megjithatë disa prej ministrave të kësaj qeverie janë kontestuar nga opozita, e cila pritet që para seancës së parë në Kuvend, të zhvillojë një protestë. Bëhet fjalë për të kundërshtuar disa emra që mbajnë mbi shpinë edhe hijen e së kaluarës komuniste. Dy prej tyre janë Gramoz Ruçi, i cili është propozuar nga kryeministri Rama në postin e Kryetarit të Kuvendit dhe Fatmir Xhafa që do të rimarrë postin e Ministrit të Brendshëm.
Sigal