Rama mbërrin në Pekin, vizita në të njëjtën ditë me homologun serb

513
Sigal

TIRANE – Kryeministri Rama ka mbërritur paraditen e sotme në Pekin, duke filluar vizitën e tij zyrtare në Kinë. Rama dhe delegacioni që e shoqëron u pritën në Aeroportin Ndërkombëtar të Pekinit nga Chen Guo You, zv-drejtor i Europës në Ministrisë e Jashtme. Kreu i qeverisë shqiptare pritet që të drejtojë gjatë ditës së nesërme, sesionin interaktiv “Suksesi i një Ekonomie të Re Krijuese” në Forumin Ekonomik Botëror që mbahet në Tianjin të Kinës Lindore. Ndërkohë që ditën e enjte do të mbajë një leksion për studentët dhe akademikët e Universitetit të Financës dhe Ekonomisë të Tianjin-it. 

Rama-Vuçiç takime zyrtare, në të njëjtën datë vizitë në Pekin
Kryeministri Edi Rama dhe homologu i tij Serb, Aleksandër Vuçiç mund të takohem më shpejt se vizita që të dy kishin parashikuar në 22 tetor. Axhenda e përbashkët për vizitën e tyre në Kinë në datën 10-11 shtator, mund të sjell një takim të parakohshëm mes kryeministrit shqiptar dhe atij serb. Gjatë konferecës së djeshme për shtyp, Rama njoftoi për vizitën disa ditore që do të zhvillojë në Kinë. Qëllimi i vizitës, sipas kryeministrit, është rritja e bashkëpunimit në disa fusha mes dy vendeve. Edhe vizita e kryeministrit serb në Kinë do të ketë karakter ekonomik. Serbia synon të përfitojë të ardhura nga plani kinez i cili parashikon të investojë rreth 10 miliardë dollarë në vendet e Evropës. Gjithsesi, mbetet ende e paqartë nëse do të kemi një takim të parakohshëm mes kryeministrave shqiptarë dhe serb, ndërkohë që ashtu siç edhe është parashikuar kreu i qeverisë Rama do të vizitojë Beogradin në 22 tetor. Vizita e Ramës në Serbi është cilësuar si historike, pas është e para pas disa dekadash marrëdhënie të ngrirë vizitash të nivelit të lartë mes dy vendeve. Konfirmimin për vizitën që do të mbajë në Beograd, kryeministri Rama e bëri gjatë Konferencës Ballkanike në Berlin. Sipas Ramës, ka ardhur koha që mes dy vendeve të krijohet një marrëdhënie e re e cila duhet t’i përshtatet edhe klimës së qetë që po mbizotëron në rajon. Ndërkohë edhe kryeministri Serb, Vuçiç e ka vlerësuar pozitivisht vizitën e Ramës në Serbi dhe ka theksuar se Shqipëria shihet si një treg shumë i përshtatshëm nga pala serbe.