Rama luan kartën e rrezikut nga radikalizmi islamik

642
“Duke i mohuar Shqipërisë anëtarësimin një ditë në Bashkimin Evropian, mund të ushqehet radikalizimi islamik në këtë shtet ballkanik, duke rrezikuar stabilitetin rajonal”, ka deklaruar kryeministri Edi Rama në një intervistë për “Reuters”. Rama ndodhet në Berlin për të lobuar pro hapjes së negociatave me Bashkimin Evropian, dhe duket t’i jetë rikthyer “presionit” ndaj ndërkombëtarëve duke përmendur jo vetëm rrezikun e radikalizimit islamik të Shqipërisë, por edhe influencat ruse dhe kineze në rajon. “Mos lini vend bosh që të mbushet nga shtetet e tjera”, ka paralajmëruar Rama. Ekzekutivi i BE-së është i gatshëm të ofrojë perspektivën e anëtarësimit për gjashtë shtete të Ballkanit, duke përfshirë Shqipërinë, duke u përpjekur të luftojnë rritjen e ndikimit rus dhe kinez në rajon. Presidenti i Komisionit Evropian Zhan-Klod Junker, tha javën e kaluar se blloku duhet të pranojë anëtarë të rinj nga Ballkani Perëndimor për të shmangur rrezikun e një lufte të re në këtë rajon. “Statistikisht, Shqipëria është një vend me shumicë myslimane, por unë do të thosha se feja kryesore në Shqipëri është Evropa”, tha Rama për Reuters. “Pra të gjitha këto forca, janë praktikisht investitorët kryesorë në radikalizim nga kjo anë e Evropës. Prandaj i urrej.” Mbyllja e një perspektive evropiane për Shqipërinë do të linte gjithashtu një boshllëk që Rusia ishte gati të shfrytëzonte, shtoi Rama, duke paralajmëruar se ndërhyrja e supozuar e Moskës në zgjedhjet e vitit 2016 të Malit të Zi mund të përsëritet diku tjetër në Ballkan.
Sigal