Rama: Linjë e re energjetike për Jugun, askush nuk bëri asgjë për 45 vjet

434
Saranda nuk do të vuajë më nga ndërprerjet e energjisë apo tensioni i ulët, një “gangrenë” që ka dëmtuar ndjeshëm turizmin dhe ekonominë e zonës gjatë 25 viteve të fundit, veçanërisht në kulmin e sezonit veror.
Kryeministri Rama inspektoi punimet për ndërtimin e linjës së re 20 kv dhe 17 kabinave elektrike, falë një investimi prej 108 milionë lekësh nga OSHEE. Nëpërmjet këtij investimi u realizua ndërhyrja në zonën më problematike të Sarandës, që prek segmentin nga Qafë Gjashta, tek Hotel Butrinti e deri në Kanalin e Çukës. Investimi i OSHEE është i pari investim pas me shume se 45 vitesh, në rrjetin që ishte lënë i paprekur që prej ndërtimit të tij në vitet 1970.
“Nga linja 10 kilovolt që ka qenë në vitin 1970, e gjitha ajrore, linja është bërë 20 kv dhe është futur e gjitha nëntokë. Janë këtu 700 hotele dhe restorante, është zona më e ngarkuar, me 2 mijë abonentë të tjerë”, – komentoi drejtori i përgjithshëm i OSHEE, Ardian Çela.
Në fjalën e tij, Kryeministri Rama vuri në dukje se “në gjithë bregdetin, rrjeti është 45-vjeçar dhe që atëherë, askush nuk bëri asgjë. Ne kemi vendosur t’i japim drejtim këtij problemi 20 e kusur vjeçar e faktikisht, me Unazën e Jugut dhe gjithë këto investime, në harkun e dy viteve problemi do të ndryshojë rrënjësisht. Por që verën e ardhshme, Saranda me këtë ndërhyrje që po bëhen nuk do të ketë problemet e rënda që ka pasur gjithë këto vite”.
Reforma e suksesshme në energji është ajo që ka mundësuar OSHEE-në që të dalë nga humbjet kolosale dhe të rikthehet të investojë në shërbim të qytetarëve. “Sigurisht që do të donim që gjithçka të bëhej sa hap e mbyll sytë, por çfarë u shkatërrua në 20 e kusur vite nuk rindërtohet dot menjëherë. Për herë të parë, kompania po investon në Sarandë dhe kudo. Kompania, deri përpara një viti, jo vetëm që nuk kishte para të investonte, por kërkonte 150-200 milionë dollarë për t’u mbajtur në këmbë dhe për të mos fikur dritat një herë e përgjithmonë. Sot, falë kontributit tuaj, falë kontributit të të gjithë atyre që nënshkruan marrëveshjet, jo vetëm që po investon, por edhe vetë kompania po paguan taksa për herë të parë dhe po bën investime. Kjo vjen si rezultat i kontributit, njerëzit filluan të paguajnë, vazhdojnë të paguajnë, kompania paguan taksa që i kthehen prapë njerëzve dhe bën investime”, shtoi kreu i qeverisë shqiptare.
Investimet në rrjetin energjitik në Sarandë do të vazhdojnë edhe gjatë vitit të ardhshëm, duke bërë të mundur që e gjithë zona të mos njohë më ndërprerje të energjisë as në kulmin e sezonit turistik dhe as gjatë periudhës së dimrit.
“Në janar, është loti tjetër 330 milionë lekë të reja prapë për Sarandën. Vazhdojnë 30 kabina të tilla, vazhdon deri në Ksamil që bën Qafë-Gjashtën, Metoqin, do të bëhen në Ksamil dhe në qendër të qytetit. Zëvendësohen i gjithë 10kv që është që nga 70-ta dhe përfshin edhe 16 mijë abonentë të tjerë në Sarandë. Këto janë investime që i bëjmë me fondet tona, janë të gjitha të ardhura tona të OSHEE. Nuk investojmë vetëm në ato zonat informale ku kemi pasur probleme me humbjet dhe mospagesat, investojmë edhe në ato zona ku abonentët janë korrektë dhe janë edhe zona të rëndësisë turistike”, shtoi drejtori i OSHEE, Ardian Çela.
Punimet përfunduan brenda tre muajve, dy muaj përpara afatit të mbarimit të punimeve.
Sigal